McDonald’s po përballet me thirrje për bojkotim në Indi, kjo pasi ky zinxhir global i fast-foodëve tha që po shërbente mish hallall.
“Të gjitha restorantet tona kanë çertifikime Hallall. Ju mund të kërkoni nga menaxherët e restoranteve t’ju tregojnë certifikatën për kënaqësinë tuaj”, u tha në Twitter-in e kompanisë në Indi.
E kjo më pas zemëroi shumë konsumatorë indianë, veçanërisht grupe të krahut të djathtë, të cilët kërkuan një bojkot të kësaj kompanie amerikane.
Ata nuk janë dakort që McDonald’s të shërbejë mish hallall në një vend ku 80 përqind e 1.3 miliardë banorëve janë hindusë.
Në menunë e këtij brendi ushqimor nuk ka mish viçi dhe derri, e përkundrazi ka një larmi opsionesh vegjetariane, si dhe mish pule dhe peshk.
McDonald’s nuk është kompania e parë që përballet me pakënaqësi me grupet e djathta hinduse mbi shërbimin e mishit hallall.
Muajin e kaluar, IndiGo, një kompani ajrore me kosto të ulët, ishte subjekt i një fushate në internet duke kërkuar një bojkot për shërbimin e mishit hallall gjatë fluturimeve të saj.
Në fillim të këtij muaji, një burrë 40-vjeçar nuk pranoi të merrte ushqim që i ishte dërguar nga një shofer musliman, i cili ndezi një debat rreth rritjes së islamofobisë në Indi, ku banojnë afro 170 milion muslimanë. /tesheshi.com/