Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, beson se vetëm zgjedhjet e reja mund ta riparojnë gjendjen aktuale në vend, pasi vlerëson se gjendja ekzistuese çdo ditë e më shumë po bëhet më e rëndë.
“Mbajtja e gjendjes ekzistuese po bëhet e rëndë dhe e vështirë për institucionet dhe për vendin, sidomos për qytetarin. Duhet t’ia kthejmë vendimin qytetarit, pra sovranit. Në këtë situate, kjo është legjitime dhe shprehje e një pjekurie politike, e një vetëdije të lartë. Nuk bën të testohet deri në pafundësi një gjendje e tillë. Mënyra më e mirë për t’u riparuar kjo gjendje që e ka rënduar Kosovën është për t’ia kthyer vendimin sovranit. Kjo besoj se do të ishte e mirë për gjithë spektrin politik dhe për qytetarët,” ka thënë Haradinaj në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”.
Kreu i Aleancës, i cili po mbahet padrejtësisht në Francë prej disa muajsh, në bazë të një fletarrestimi serb, është shprehur i bindur se Gjykata e Colmarit më 27 prill do ta refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe do ta lirojë atë.
Ai ka thënë se kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.
“Kjo kërkesë është thjesht përndjekje ndaj meje dhe nuk ka të bëjë asgjë me ligj,” ka thënë Haradinaj. /tesheshi.com/