SHBA-ja ka kaluar një nga javët e rralla në histori, që sipas thënies së famshme të Leninit, ndodhin ngjarje që nuk përjetohen për dekada.
Sikur Thomas Matthew Crooks të kishte qëlluar një centimetër më djathtas, apo nëse Donald Trump nuk do ta kthente kokën në një fraksion sekonde, sot do të ishte i vdekur.
Fatmirësisht Trump nuk u lëndua seriozisht nga ai atentat. Dhe fati e bekoi edhe në mënyra të tjera. Në Florida, një gjykatës hodhi poshtë padinë më të fortë kundër tij, teksa kundërshtari i tij gjithnjë e më i dobët fizikisht dhe mendërisht, Joe Biden, mbetet ende në garë, megjithëse akoma më shumë demokratë po i kërkojnë me ngulm që të tërhiqet nga ajo.
Në konventën e Partisë Republikane në Milwaukee këtë javë, prania e Trump u përshëndet si një shenjë e providencës hyjnore. Një nga argumentet më të mira që mund të përdorin demokratët kundër Trump, është se ai kërcënon normat demokratike.
Megjithatë, guximi i treguar prej tij në momentin e të shtënave e bëri të dukej, sado që për pak kohë, më shumë si një mbrojtës i vlerave amerikane sesa një kërcënim për to.
Thirrjet e tij për unitet e forcuan premtimin e tij për të qenë një udhëheqës i fortë në një botë të rrezikshme. Megjithatë çdo efekt në sondazhe mund të jetë i përkohshëm. Amerika është aq e politizuar, sa kandidatët kanë një kufi maksimal në lidhje me pëlqyeshmërinë. Ndërkaq do të zbehet edhe premtimi i palëve për të zbutur tonet ndaj njëri-tjetrit në fushatë. Gjithsesi, mund të zgjasin disa efekte të shkaktuara nga atentati.
Së pari, kjo javë ka treguar se Trump e dominon tërësisht Partinë Republikane. Kur u mblodh për herë të fundit për ta emëruar si kandidat në vitin 2016, kishte shumë pak mbështetës të njohur ndaj kandidaturës së tij. Madje disa javë para zgjedhjeve të atij viti, kryetari i atëhershëm republikan i Kongresit tha se nuk mund të mbronte më sjelljen skandaloze të Donald Trump.
Në janarin e vitit 2021, Trump doli i turpëruar nga Shtëpia e Bardhë.
Në fillim të këtij viti, Nikki Haley, një ish-rivale e tij në garën për nominimin, tha: “Shumica e politikanëve që tani e mbështesin publikisht Trumpin, privatisht e kanë frikë atë”. Ndërkohë në Milwaukee, ajo ishte një nga figurat e njohura që e mbështetën atë.
Trump rezulton të jetë kandidati i parë i emëruar tre herë nga një parti e madhe që nga koha e Richard Nixon. Po ashtu, kjo javë ofroi disa shenja se si do të qeverisë Trump gjatë mandatit të tij të dytë. Në vitin 2016 ai zgjodhi si kandidat për numrin dy një figurë tejet konservatore në lidhje me aspektet sociale, për të qetësuar votuesit kundër abortit.
Aq i sigurt është ai për fitoren në këto zgjedhje, saqë ka përzgjedhur si zëvendësin e tij J.D Vance, një anti-globalist i thekur, kundër biznesit të madh, kundër emigracionit, pro klasës punëtore dhe një entuziast i vizionit MAGA, me pak përvojë qeverisëse dhe që nuk bën asgjë për të zgjeruar mbështetjen ndaj Trump.
Madje dikur Vance ka thënë se po të ishte zv/president, nuk do të kishte certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Tani ai është bërë trashëgimtari i dukshëm i Donald Trump. Politika e MAGA-s, që nisi si një mjet i çrregullt për ambiciet e një njeriu, tani ka të ngjarë të shndërrohet në një program për qeverinë që synon të qeverisë përtej vitit 2028.
Një nga pasojat është vdekja e republikanizmit të Ronald Reagan. Vitet e fundit, Partia Republikane ka qenë më shumë e bashkuar rreth personalitetit të një individi dhe jo politikës që ai përfaqëson. Ajo përmban ithtarë të tregtisë së lirë, por edhe mbështetës të vendosjes së tarifave universale; internacionalistë dhe izolacionistë; përfaqësues të korporatave, por edhe njerëzit që besojnë se kompanitë e mëdha janë grabitqare dhe jo patriotike.
Dikur Trump ka bërë shumë për t’i kënaqur të gjithë këta njerëz, saqë ata mund të pretendojnë se ai është vërtet në anën e tyre. Zgjedhja si numri dy i Vance, e kthen ekuilibrin drejt fillimeve të MAGA-s, gjë që është më shqetësuese për ekonominë e Amerikës si dhe për aleatët e saj.
Në politikën e jashtme, Tajvani dhe Ukraina janë teste kryesore për pikëpamjen e republikanëve të Reagan, se është në interesin e Amerikës që të ruajë rendin, normat dhe aleancat e saj. Pikëpamjet e Vance mbi Tajvanin janë të paqarta, ndërsa Trump thotë se ishulli duhet të paguajë për mbrojtjen amerikane nga agresioni i Kinës.
Në lidhje me Ukrainën, Vance ka shkuar më tej se Trump, duke thënë se nuk i intereson se cila palë fiton, gjë që ka alarmuar shumë aleatët evropianë. Kohët e fundit, ai është tërhequr nga kjo qasje. Interpretimi më shpresëdhënës, është se Trump e kupton se lejimi i Vladimir Putinit që të pushtojë të gjithë Ukrainën do ta bënte atë të dukej i dobët, ashtu siç u duk Biden pas tërheqjes nga Afganistani. Dhe të dukurit i dobët është gjëja që urren më shumë Trump.
Sa i përket ekonomisë, pikëpamjet e Vance përziejnë kulturën e meme-ve në internet, zhargonin e botës së sipërmarrjes, dhe disa politika aq të majta sa do të emociononin edhe një majtist të thekur si Bernie Sanders. Vance dëshiron që shteti të mbrojë nga konkurrenca punonjësit më pak të arsimuar dhe të rrisë pagën minimale në 20 dollarë në orë.
Ashtu si Lina Khan, drejtuese e Komisionit Federal të Tregtisë, e cili ua ka bërë jetën të vështirë bosëve të teknologjisë, ai mendon se kompanitë e mëdha të teknologjisë duhet të mbahen më nën kontroll. J.D.Vance i përket një lëvizjeje në të djathtë, e cila i sheh si ajo korporatat e mëdha, dhe kjo për shkak të shtrirjes së zinxhirëve të tyre të furnizimit në të gjithë botën.
Ai e sheh kufizimin e emigracionit dhe rritjen e tarifave, si një mënyrë për të rritur produktivitetin në vend, duke rritur pagat dhe duke e forcuar industrinë amerikane. Por nëse do të bëhet zv/president, pikëpamjet e Vance nuk do të bëheshin automatikisht pozicionet e qeverisë së Trump.
Në përgjithësi posti i zv/presidentit është i dobët. Mbështetësit e Trump, thonë se atij i pëlqen të luajë me pikëpamjet e kundërta me të. Por trajtimi që i bëri Mike Pence gjatë mandatit të parë, nuk sugjeron se do ta lejojë Vance të ndikojë shumë në Shtëpinë e Bardhë.
Por nga ana tjetër Trump është i moshuar. Nëse fiton në nëntor, kur të largohet nga detyra do të jetë edhe më i madh në moshë sesa sot Joe Biden. Dhe më e rëndësishmja: pikëpamjet e Vance i përshtaten platformës elektorale të Trump. Trump u largua nga konventa e Milwaukee më i fortë nga sa dukej e mundur vetëm disa muaj më parë.
Problemet me drejtësinë nuk e kërcënojnë më, Partia Republikane është nën kontrollin e tij të plotë, dhe sondazhet premtojnë një dominim të madh në Kongres. Ndërkohë, Gjykata e Lartë e ka reduktuar kontrollin e legjislativit ndaj presidencës dhe e ka kufizuar lirinë e agjencive qeveritare.
Perspektiva e një presidence dominuese të Trump, është shumë shqetësuese për ata që besojnë se politika e jashtme duhet të jetë më shumë se sa thjesht një transaksion, se tregtia ndërkombëtare e nxit produktivitetin dhe se emigracioni është një burim rinovimi dhe vitaliteti. Megjithatë, duket se kjo është ajo që do të përjetojë Amerika dhe bota nën drejtimin e dyshes Trump-Vance, nëse republikanët fitojnë në nëntor.