Tifozët e futbollit i janë shumë borxhli Spanjës. Gjatë javëve të fundit në Gjermani, ekipi kombëtar spanjoll ka zbukuruar një kampionat evropian nëpërmjet një futboll të shpejtë, të rrjedhshëm dhe me një gëzim të padiskutueshëm të shfaqur gjatë lojës. Spanja luan si favorite të dielën në Berlin finalen e këtij kompeticioni kundër Anglisë.
Në Spanjë, suksesi i tyre i deritanishëm ka bashkuar, të paktën përkohësisht, një vend të larmishëm, politika helmuese, media tribale dhe diskursi publik plot mllef i të cilit kanë ushqyer së fundmi ndjenjën se ky vend është i paqeverisshëm.
Edhe pse duke mos hequr dorë nga sarkazma, Anglia ka nisur që të tregojë vlerësim ndaj talenteve spanjolle që japin spektakël në fushën e blertë.
Dymbëdhjetë vite më parë, Spanja mbretëronte në mënyrë absolute në futbollin botëror, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2010, dhe dy kampionate evropiane të njëpasnjëshme. Pastaj nisi rënia. Loja e tyre me pasime të shumta, e quajtur “tiki-taka”, vazhdoi të ishte e fokusuar tek zotërimi i madh i topit në fushë, shpeshherë pa ndonjë rezultat pozitiv.
Tani nën drejtimin e një trajneri të ri, Luis de la Fuente, një brez i ri lojtarësh e kanë forcuar lojën sulmuese. Ata duken si një skuadër që luajnë me njëri-tjetrin që kur ishin fëmijë, gjë që është e vërtetë për shumë prej tyre. Nuk është rastësi që De la Fuente drejtoi skuadrat e të rinjve që nga viti 2013 deri në vitin 2022.
Ai fitoi me ta kampionatet evropiane për kategorinë U-19 në vitin 2015, dhe atë të U-21 në vitin 2019, pikërisht me disa nga lojtarë që sot janë pjesë e ekipit të të rriturve. Spanja kaloi gjysmën më të vështirë të shortit, duke mundur Kroacinë dhe Italinë në fazën e grupeve, përpara se të eliminonte Gjermaninë dhe Francën, përkatësisht në çerek dhe gjysmë finale.
Përpara një mbrojtjeje solide, Rodri dhe Fabián Ruiz e kanë drejtuar me personalitet mesfushën spanjolle. Përpara tyre janë dy anësorë të rinj që të emocionojnë me lojën e tyre, Nico Williams dhe Lamine Yamal që mbush sot 17 vjeç, dhe që mban ende fasetat dentare.
Yamal u bë lojtari më i ri që ka shënuar ndonjëherë në një kampionat evropian, me një gol të mrekullueshëm kundër Francës me një goditje të përsosur nga një distancë prej 25 metrash.
Mbi të gjitha, skuadra të bën përshtypje me kontrollin e gjatë të topit dhe me pasimet e ngushta në zonën e rreptësisë së kundërshtarit.
Shumica e këtyre manovrave përfshin Dani Olmon, një mesfushor me tipare sulmuese. Në të kaluarën La Roja (Të Kuqtë), siç njihet kombëtarja spanjolle, nuk ka shijuar gjithnjë duartrokitje universale në Spanjë. Ndonëse lojtarët baskë dhe ata katalanas kanë pasur shpesh role të spikatura, separatistët baskë donin që të luanin me ekipin e tyre në turnetë ndërkombëtarë.
Po kështu donin edhe homologët e tyre në Katalonjë, referendumi për pavarësi i të cilëve në vitin 2017 e traumatizoi të gjithë vendin. Më shumë se sa në të kaluarën e afërt, La Roja pasqyron kompleksitetin e Spanjës bashkëkohore. Në ekipin prej 26 lojtarësh, janë nëntë baskë përfshirë Nico Williams.
Ndër katalanasit më të shquar përmendim mbrojtësin e krahut të majtë Marc Cucurella, por edhe Dani Olmo dhe Lamine Yamal, i cili u rrit në një lagje të varfër emigrantësh të Mataró, në brigjet pranë Barcelonës. Këtë herë ndeshjet e ekipit kombëtar, kanë pasur një audiencë televizive të madhe në të gjithë vendin.
Për të paktën një brez, ekipet kombëtare të Francës, Anglisë dhe Portugalisë kanë qenë shumë-racore. Jo dhe aq Spanja, ku emigracioni në shkallë të gjerë është më i dekadave të fundit. Nico Williams, flet euskara (gjuhën baske) dhe spanjisht. Por prindërit e tij, ganezë në origjinë, e prishën këtë model.
Po kështu edhe Yamal, babai i të cilit është maroken dhe nëna nga Guinea Ekuatoriale, dhe që tani është shndërruar në një emblemë të Spanjës bashkëkohore. I ati ka publikuar foton e Lionel Messit kur ishte ende i ri, duke i larë të birin, foshnje 5- muajshe, në kuadër të një nisme bamirësie të UNICEF.
Ashtu si Messi para tij, edhe Yamal luan aktualisht për Barcelonën. Shfaqja e tij si një hero me kombëtaren spanjolle vjen pasi Vox, një parti e ekstremit të djathtë, u largua këtë javë nga koalicionet me konservatorët kryesorë në pesë qeveri rajonale, sepse refuzon të mirëpresë disa qindra të mitur të pashoqëruar aktualisht në qendrat e mbipopulluara të pritjes në Ishujt Kanarie.
Ndërkohë Anglia, që e nisi këtë kampionat si favoritja kryesore, u duk në ndeshjet e para si një koleksion lojtarësh që sapo ishin takuar me njëri-tjetrin, dhe që ishin shumë dobët nga ana taktike. Ndërsa instinkti i ekipit të Spanjës është të lëvizë topin me shpejtësi përpara, ai i Anglisë ishte të kalojë topin anash ose prapa, dhe ndërtimi i sulmeve të tyre ishte i ngadaltë.
Vetëm pas mposhtjes së Holandës në gjysmëfinale, skuadra e tyre e mbushur me yje, shfaqi deri diku potencialin e saj të plotë, me mesfushorin Phil Foden, më parë me paraqitje shumë zhgënjyese, që iu afruar më në fund formës së treguar prej tij me Manchester City në Premier League.
Ndërkohë, Jude Bellingham ka arritur të mbushë hapësirën midis mesfushës kundërshtare dhe mbrojtjes angleze, ndërsa Bukayo Saka është gjithnjë e më kërcënues në krahun e djathtë.
Ndonëse i kritikuar për kujdesin e tij të tepruar, trajneri i Anglisë Gareth Southgate, është parë prej kohësh si një simbol i unitetit kombëtar në një vend që sapo po del nga një periudhë e trazuar politike. Në rast se Spanja fiton të dielën, po kështu mund të nisë të shihet edhe De la Fuente. Madje kjo gjë është e domosdoshme.