Ndër shumë telefonata urimi që ka marrë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç është “befasuar” edhe nga presidenti Hashim Thaçi.
Ky i fundit bën të ditur se ka uruar homologun e tij serb për detyrën e re, ndërkohë tregon se janë pajtuar që të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin e urova për detyrën e re. Gjithashtu, diskutuam dhe u pajtuam të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të punojmë bashkërisht për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me interes të ndërsjelltë”, thuhet në postimin e Thaçit bërë në Facebook.
Ndryshe dialogu mes dy vendeve është pezulluar dhe nuk pritet të rinis deri në formimin e qeverisë së re në Kosovë.
Mundësitë e mëdha janë që dialogu të zhvillohet në nivel presidentësh e jo kryeministash siç ka qenë më herët. Dhe nëse kjo ndodh, telefonatat mes Thaçit e Vuçiçit do shpeshtohen ashtu edhe si takimet “kokë me kokë” mes tyre. /tesheshi.com/