Ballkani Perëndimor ka ndryshuar për mirë pas Marrëveshjes së Dejtonit, arritur në vitin 1995 – pohuan njëzëri presidentët Gjukanoviç dhe Thaçi, por që nuk ka mundur ende të sfidojë idetë e nacionalizmit.
Ata u takuan në Budva, në kuadër të një samiti për sigurinë, ku pranuan se një marrëveshje Kosovë – Serbi do ishte shpëtimtare për dy vendet e rajonin gjithashtu.
“Lufta nuk ka mbaruar. Idetë e rrezikshme të nacionalizmit janë ende të gjalla dhe përsëriten në mënyrë ciklike”, tha Gjukanoviç.
E nga ana tjetër, Thaçi tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mund të ndodhë më shpejt nëse Bashkimi Evropian ofron gjithashtu një perspektivë më të shpejtë për rajonin.
“Nëse Kosova mbetet e izoluar, do të ketë një rritje të nacionalizmit dhe populizmit, e cila nuk është në përputhje me vlerat euro-atlantike”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka kohë më të mirë për të arritur marrëveshje historike” mes Serbisë dhe Kosovës.
Kjo, sipas tij, do të sjellë paqe në të gjithë rajonin, por shtoi se është e vështirë të arrihet.
Ai tha se negociatat midis Serbisë dhe Kosovës ishin në krizë dhe përsëriti se kurrë nuk ka pasur shkëmbim të territorit në axhendë.
Thaçi gjithashtu tha në këtë takim se gjëja më e mençur për Serbinë do të ishte lejimi i integrimit të komunitetit serb në Kosovën e veriut. /tesheshi.com/