Pas shfaqjes së rasteve të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, presidenti Thaçi ka firmosur një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por që kjo masë nuk ka dakortësinë e qeverisë.
“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sontëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i COVID19. Unë i bëj thirrje parlamentit të bashkohet e ta ratifikojnë atë”, ka shkruar presidenti.
Iu përgjigj zv/kryeministri Haki Abazi, duke thënë se kjo masë nuk ishte nevojshme.
“Ajo që është propozuar nga presidenti si gjendje e jashtëzakonshme, është konsideruar si masë ekstreme që është e panevojshme, që mund të interferojë me masat adekuate që ka marrë Qeveria e Kosovës. Kemi marrë lëvdatë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasada e Britanisë, për veprimet e duhura adekuate. Me këtë formë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerë ndërkombëtarë, do të vazhdojmë tutje. Kryeministri ka shprehur qëndrimin se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme që e ka propozuar Presidenti. Mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata dhe të veprohet kur e kërkon nevoja, por tani për tani është i panevojshëm dhe nuk do të duhej të merrnim një vendim të tillë tani”, tha Abazi.
Nga ana tjetër, serbët i janë trembur shpalljes së mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme, duke e parë këtë si komplot kundër tyre.
Lista Serbe tha se “përkundër të kuptuarit të situatës së re përreth pandemisë së koronavirusit, me vendosmëri kundërshtojmë qëllimin e fshehtë të Prishtinës për të vendosur forcat ushtarake në veri”.
“Nën pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve, qëllimi është okupimi i heshtur të komunave serbe”, pretendon Srpska. /tesheshi.com/