Presidenti Thaçi kërkoi që kufiri mes Shqipërisë e Kosovës të mos ketë asnjë pengesë në lëvizje, asnjë kriter nga ato që, siç nënkuptohet, vendosi qeveria e ikur “Kurti”.
Këtë, kreu i shtetit të Kosovës e shprehu pas një takimi me Ramën në Tiranë, krejt tjetër nga mënyra zyrtare e takimit me homologun Meta.
“Me Edin si çdoherë, pa protokoll, por bashkë për shqiptarët, Kosovën e Shqipërinë.
Kosova dhe Shqipëria pa vonesa duhet t’i hapin tërësisht kufijtë dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm kur të duan dhe kah të duan!”, shkroi Thaçi.
Kujtojmë se dy liderët kanë një marrëdhënie të afërt vitet e fundit, me një konstante miqësie, pa fërkime, ku Rama, mu për këtë shkak, ka paguar përfoljen, deri në akuza, se ai qëndron pas tezës së shkëmbimit të territoreve.
Kreu i qeverisë shqiptare e ka mohuar kategorikisht një pretendim të tillë, duke thënë se nuk i takon atij të vendosë për një çështje kaq delikate, e për më tepër nuk ka asgjë në dorë. /tesheshi.com/