Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm i Meksikës është rritur në 273 persona.
Kështu kanë thënë zyrtarët ndërsa ekipi i shpëtimtarëve akoma është duke “luftuar” kundër kohës për të arritur tek të mbijetuarit e bllokuar.
Presidenti i Meksikës, Enrique Peña Nieto tha se shpëtimi dhe ofrimi i ndihmës ndaj atyre që u plagosën nga tërmeti me shkallë 7.1 të Rihterit gjatë ditës së martë do të mbetet “prioriteti më i rëndësishëm”.
Tërmeti rrëzoi dhjetëra ndërtesa dhe la miliona njerëz pa energji elektrike.
Ekipi i shpëtimtarëve besojnë se mund të ketë ende njerëz të bllokuar në 10 ndërtesa vetëm në Mexico City.
Numri i viktimave u bë i ditur nga shefi i Shërbimeve Emergjente të Meksikës dhe zyra e presidentit.
Ndërsa operacionet e shpëtimit vazhduan edhe gjatë ditës së tretë, vëmendja u përqendrua në shkollën “Enrique Rébsamen” në kryeqytet, ku trupi i një mësueseje u gjet gjatë natës.
Më shumë se 500 ushtarë dhe marinsë së bashku me 200 oficerë policie dhe vullnetarë janë duke ndihmuar në këtë vend.
Meksika nuk është e panjohur për tërmetet, pasi edhe më parë këtë muaj një i tillë me magnitudë 8.1 ka lënë të paktën 90 të vdekur. /tesheshi.com/