Dy tërmete më të dobëta janë raportuar të shtunën jo shumë larg poligonit të testimit bërthamor të Koresë së Veriut, dhe ka të ngjarë të jetë rezultat i një prove të madhe bërthamore në fillim të shtatorit, tha një zyrtar i Institutit Gjeologjik të SHBA.
Tërmetet e magnitudës 2.9 dhe 2.4 gradë u regjistruan herët në mëngjes sipas kohës lokale.
Ata u raportuan pranë poligonit bërthamor Punggye-ri, ku Koreja e Veriut më 3 shtator kreu provën e gjashtë, e cila konsiderohet të jetë prova më e madhe bërthamore nëntokësore e kryer deri më tani. “Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për pasojat e testit të gjashtë bërthamor”, tha zyrtari, duke vënë në dukje se ka pasur disa tërmete të vogla ndërkohë.
Pheniani pretendon se ka testuar bombën me hidrogjen në shtator dhe ekspertët kanë treguar se shpërthimi ishte 10 herë më i fortë se një bombë e hedhur në Hiroshima.
Ekspertët dyshojnë se testi ka destabilizuar malin nën të cilin ndodhet poligoni, ndërkohë që ekziston frika nga shpërthimi i mundshëm i vullkanit aty pranë malit Paetitu, i cili herën e fundit ishte aktiv në vitin 1903. /tesheshi.com/