Nga Mensur Krasniqi
Një skandal i rradhës po nga koalicioni VMRO-BDI, pasi godet jetën universitare shqiptare.
Me një ligj të posaçëm, do mbyllen 6 programe studimore nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Më konkretisht, sipas nenin 5 të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për themelim të Universitetit Shtetëror në Tetovë (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 226 e datës 25.12.2015), mbyllen gjashtë programe studimore në Universitetin e Tetovës, të cila janë: Ndërtimtaria, Arkiterktura, Mekatronika, Inxhinieria e Transport- Komunikacionit, Gjeodezia, Gjeoinformatika dhe Inxhinieria Ekonomike.
Pra janë mbyllur këto programe studimore në një universitet kombëtar të shqiptarëve, universitet ky që llogaritej si një ndër të arriturat më të mëdha kombëtare sipas kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Interesant është fakrti se për 12 vite me radhë, Ali Ahmeti në çdo fushatë parazgjedhore, para votuesve shqiptarë ka përmendur hapjen e universitetit të parë kombëtar(USHT), e në kurriz të saj dhe ka fituar pushtetin. Po tani, me çfarë arritje do të dalë para votuesve të vet? ]
E skandal në këtë rast është fakti se dispozita ligjore me të cilën USHT-së i hiqen këto programe studimore, është e diskutueshme në aspekt të parimit të ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë, sepse nga baza e njëjtë juridike, themeluesi (në rastin konkret Parlamenti i Maqedonisë) nuk mund t’i mbyll programet studimore, por vetëm fakultetin përkatës. Ligji për Arsim të Lartë i RM-sëm në nenin 40 ka përcaktuar mënyrën se kur ndërpritet/shuhet institucioni për arsim të lartë. Sipas kësaj dispozite, kur qeveria e RM-së do të vërtetojë se është shuar nevoja për funksionim të një njësie të universitetit duhet ta informojë Senatin e Universitetit për shkaqet e shuarjes së njësisë akademike duke i dhënë afat që brenda 30 ditësh i njëjti të japë mendim në lidhje me informatën për mbylljen e njësisë akademike. Pas marrjes së mendimit nga ana e Senatit të Universitetit, atëherë qeveria i propozon Parlamentit të RM-së miratimin e ligjit për shuarjen e njësisë akademike.
Ndaj parashtrohet pyetja: A ka siguruar qeveria e Maqedonisë një mendim për mbylljen e programeve studimore nga ana e Senatit të Universitetit të Tetovës? Cilat ishin shkaqet për mbylljen e njësisë akademike të Universitetit të Tetovës? Pyetje këto pra të cilave duhet t’u përgjigjet qeveria.
Ndryshe, tagër për hapjen apo mbylljen e programeve studimore e ka vet universiteti, nëse për një gjë të tillë vleresojnë vet organet e tij duke respektuar procedurën për akreditim të programeve studimore në këshillin për akreditim të institucioneve të arsmit të lartë.
Neni 52 i ligjit për Arsim të Lartë ka përcaktuar vetëm Senatin e Universitetit si kompetent për miratimin e programeve studimore të fakulteteve, ndërkaq në nenin 63 të ligjit është përcaktuar se të drejtën për t’i propozuar Senatit të Universitetit hapjen e programeve studimore e ka këshilli mësimor-shkencor i fakultetit.
Në këtë kontekst, lind pyetja nëse universiteti a mund të ndërmarrë iniciativë për të rihapur ata programe studimore duke respektuar procedurat e parapara sipas ligjit gjeneral për Arsim të Lartë?
Këto gjashtë programe studimore, universiteti nuk i ka fituar as me ligjin për themelim të Universitetit Shtetëror të Tetovës (Gazeta Zyrtare e RM., nr.8 e dates 23.02.2004), e as me ligjin për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për themelim të Universitetit Shtetëror të Tetovës (Gazeta Zyrtare e RM. nr. 81/08 e dates 7.07.2008), por mbi bazën e ligjit gjeneral për Arsim të Lartë. Nuk ka të drejtë themeluesi që t’i mbyll këto programe studimore me ligj special. Pra, universiteti ata i ka fituar me ligjin gjeneral për Arsim të Lartë e jo me ligjin special. Me dispozitën e ligjit special, universiteti e ka humbur të drejtën përgjithmonë që të hapë programe të njëjta studimore.
Kjo nuk duket logjike dhe cënon absolutisht lirinë akademike, meqë në nenin 12 të Ligjit për Arsim të Lartë është paraparë një paragraf ku lirinë për zgjedhjen e programit studimor e ka definuar si liri akademike. Sipas kësaj, mund të thuhet që partitë opozitare, ose vet USHT-ja duhet të ndërrmarrin një iniciativë për të trokitur në dyert e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, për të vlerësuar ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë e kësaj dispozite.
Në vazhdim mund të lexoni qëndrimet e Lëvizjes Besa dhe profesorit universitarm Mersel Bilalli të dhëna për portalin tesheshi.com, lidhur me çështjen në fjalë.
Afrim Gashi: Më mirë ta ndihmojmë universitetin e bërë me gjak se të hapim një universitet parazgjedhor.
“Nëse është e vërtetë që pesë programe studimore të USHT-së do të mbyllen si kompensim për hapjen e pesë programeve në UNT, i bie se konfirmohet qëndrimi i Lëvizjes BESA se sikur BDI-ja të ishte e interesuar për universitet cilësor, ajo do të duhej ta ndihmonte USHT-në që të bëhet një universitet i mirë e jo të hapte edhe një tjetër, duke i bërë dy universitete të dobëta. Prandaj i bëjmë thirrje rektoratit të USHT-së të prononcohet nëse kjo është e vërtete dhe të shpjegojë si ka mundësi të lejohet ndërhyrja e pushtetit në autonominë e USHT-së! Me këtë rast e përsërisim edhe një herë qëndrimin tonë lidhur me hapjen e universiteteve – ne nuk jemi kundër hapjes së universiteteve të reja, por paraprakisht angazhohemi që t’i përmirësojmë ato që i kemi. Më mirë ta ndihmojmë universitetin e bërë me gjak se të hapim një universitet parazgjedhor. Lëvizja BESA e ka prioritet mbi prioritete ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ne do të investojmë gjithë fuqinë tonë politike që punët të ecin në atë drejtim, por në të njëjtën kohë do të jemi këtu që të paralajmërojmë gjithnjë edhe për manovrat dhe lojërat politike që bëhen me arsimin në përgjithësi dhe me arsimin sipëror shqip në veçanti”.
Mersel Bilalli: BDI nuk e ruan USHT-në, po hap universitet të ri sikur bëhet fjalë për shitore të pemëve dhe perimeve
“Vendimi për një universitet të ri gjithsesi se do të ishte i mirëpritur sikur të kishim realitet elementarisht normal në domenin e menaxhimit me interesat publike. Por, frikohem se edhe ky projekt do të jetë edhe një dështim i radhës pasi që në start ka filluar me “Abaz-logjikën”. Po të ishte qëllimi elementarisht i sinqertë, së pari duhej të bëhet çmos që universiteti ekzistues i Tetovës të rikëmbet, së pari duke ofruar një ekip neutral dhe maksimalisht profesional, psh. nga ndonjë universitet gjerman, që ata të fillojnë ta sanojnë sëmundjen kronike partiake shumvjecare që iu imponua këtij universiteti, e që ka bë të jetë i ranguar ndër të fundit në vend nga 19 universitet ekzistuese. E dyta (paralelisht me të parën) do të punohej në forcimin e pozitës financiare të USHT-së, pasi pa këtë komponentë s’ka arsim, e aq më pak shkencë. Shqiptarët kanë nevojë për institucione serioze shkencore ku hulumtimi i fuqishëm duhet të stimulohet, që të fillojmë së paku të ndjekim trendet moderne shkencore e teknologjike në botë. Përkundrazi, faktori politik shqiptar hap universitet tjetër me degët e universitetit ekzistues dhe me një sapun lanë dy vetë. Propagandë e pastër partiake. Në një anë toleron diskriminim të thellë arsimor financiar në raport me Universitetin e Shtipit, realitet ndesh me çfarëdo norme elementare njerëzore madje edhe në Afrikë, ndërsa nga ana tjetër hap universitet të ri sikur fjala është për një hapje të një shitoreje për pemë e perime. Ne kemi nevojë për institucione kualitative e jo produkues analfabetesh. Pra, kjo është ajo që duheshte të bëhej, e jo revolta se USHT filloj të mos përfill kohëve të fundit imponimet kadrovike partiake dhe me logjikën e dashnores së frustuar të cilën e ka lëshuar i dashuri, të përqafoj çdokënd tjetër. Shumë shpejt do të dalin në shesh katastrofat që ka bë kjo strukturë e çuditshme mentale”.
/tesheshi.com/