Eshtë kthyer sërish tensioni post-30 Qershor, ku në Bashkinë e Devollit, aty ku kandidati i mazhorancës i dalë nga zgjedhjet e fundit lokale, ato pa opozitën PD-LSI, zgjodhi të futej në zyrë në orët e pasdites të pak ditëve më parë, me “thyerje brave”.
Mëngjesin e kësaj te enjteje, kryetari i deridjeshëm Bledion Nallbatin, po proteston duke e konsideruar si uzurpim aktin e pasardhësit të tij në detytrë, Eduard Duro të PS-së.
“Bashkia është uzurpuar, është antiligjore. Unë do të vazhdoj të shërbej dhe të punoj edhe pse më kanë zënë zyrën. Këta le të mbajnë zyrat, unë do të punoj jashtë në terren me banorët”, është shprehur Nallbati, duke patur përpara, së bashku me shumë militantë demokratë në krah, kordone policore.
Ndërsa kryebashkiaku i ri “bravëthyer” Duro, thotë se është në pritje që të gjithë punonjësit të hyjnë dhe vijojnë normalisht punën.
“Një pjesë e punonjësve kanë hyrë në zyrë. Policinë e kam thirrur unë pasi kisha informacion se do bëhej ky tubim. Po pres që të gjithë punonjësit e tjerë të hyjnë në zyrë. Ish-kryetari nuk pranoi të largohej ndaj u detyruam të veprojmë kështu. Unë kam patur takime edhe me punonjësit ditën e shtunë, ata do të vijnë në punë”, shprehet Duro.
Devolli përbën provën e parë “të zjarrit”, mbi zëvëndësimin e krtebashkiakëve aktualë, atyre të opozitës PD-LSI, me ata të dalë nga 30 Qershori. Opozita udhëhiqet nga përbetimi se nuk do i lirojë ato, me pretendimin se 30 Qershori është anulluar me dekret presidencial. /tesheshi.com/