Kushdo që zgjidhet si udhëheqësi i ri suprem i 1.4 miliardë katolikëve në botë, do të duhet të përballet me një sërë problemesh.
Midis tyre janë problemet në rritje me financat e Vatikanit, rënia e numrit të besimtarëve në kisha në shumë vende perëndimore dhe debatet doktrinare mbi çështje të tilla si shugurimi i grave dhe përfshirja e katolikëve LGBTQ që aludojnë në përçarje të reja.
Kriza financiare e Vatikanit ishte ndër të fundit që i shkaktoi Papa Françeskut një dhimbje koke. Tre ditë para shtrimit të tij të fundit në spital në shkurt, ai urdhëroi krijimin e një komisioni të ri të nivelit të lartë për të inkurajuar donacionet për Vatikanin, i cili po përballet me një deficit buxhetor dhe një mungesë në rritje në fondin e pensioneve.
Edhe pse Vatikani nuk ka publikuar një raport të plotë të buxhetit që nga viti 2022, raporti i fundit nga mesi i vitit 2024 përfshinte një mungesë prej 83 milionë eurosh, thanë dy burime të informuara për Reuters. Vatikani vlerësoi deficitin në fondin e pensioneve në vitin 2022 në gati 631 milionë euro. Që atëherë nuk është publikuar asnjë informacion i ri zyrtar, por disa burime të informuara i thanë Reuters se besojnë se mungesa është shumë më e madhe.
Prifti jezuit Thomas Reese, një komentator që ka shkruar për financat e Vatikanit, tha se problemet me buxhetin mund të kenë një “ndikim të madh” në atë se kush zgjidhet si papa i ri në Konklavën që fillon më 7 maj. “Ata do të duhet të zgjedhin dikë që sjell para, jo një bari”, tha Reese.
Nëse kardinalët po kërkojnë dikë që di se ku t’i ulë kostot në strukturën komplekse burokratike të Vatikanit, ata mund t’i drejtohen kardinalit italian Pietro Parolin. Një kandidat kryesor për papën e ri, ai është njeriu i dytë i Vatikanit për pothuajse të gjithë pontifikatin e Françeskut.
Por Parolin ishte në krye të Sekretariatit të Shtetit të Selisë së Shenjtë kur ky i fundit u përfshi në një skandal mbi një investim të dyshimtë prej më shumë se 200 milionë dollarësh amerikanë në blerjen e një ndërtese në Londër.
Kardinali Angelo Becciu, dikur një nga ndihmësit kryesorë të Parolin, u dënua më vonë për përvetësim dhe mashtrim në një gjykatë të Vatikanit, për të cilat mori pesë vjet e gjysmë burg. Becciu i mohon të gjitha akuzat dhe është i lirë në pritje të rezultatit të apelit të tij.
Kisha Katolike e ka rritur shumë pak numrin e besimtarëve në botë vitet e fundit. Sipas statistikave të fundit zyrtare, në fund të vitit 2023 në botë kishte 1.405 miliardë katolikë, që është 1.15 për qind më shumë se në fund të vitit 2022, kur kishte 1.389 miliardë. Numri më i madh i katolikëve është në Amerikë – 64.2 përqind e popullsisë në Amerikën e Veriut dhe të Jugut janë katolikë. Pas saj vjen Evropa me 39.6 përqind dhe Oqeania me 25.9 përqind.
Por në përgjithësi, shkalla e pagëzimit të foshnjave, një tregues kyç i përhapjes së besimit, është më e larta në vendet në zhvillim. Sipas statistikave të Vatikanit, Samoa Amerikane (71.2), disa ishuj në Oqeani (37.7 deri në 21.8), Burundi (23.6), Kamboxhia (22.3), Timori Lindor (20.3) dhe Mianmari (20.1) kanë numrin më të lartë të foshnjave të pagëzuara për 1,000 katolikë.
Në të njëjtën kohë, numri i besimtarëve në shumë vende evropiane është në rënie. Konferenca e peshkopëve gjermanë njoftoi më parë këtë vit se vetëm 29 priftërinj të rinj u shuguruan në vend në vitin 2024, një numër historikisht i ulët. Sipas të dhënave të tyre, rreth 321,000 katolikë gjermanë u larguan nga Kisha atë vit.
Numri i përgjithshëm i katolikëve në Gjermani, e cila ka një popullsi prej 83 milionë banorësh, tani është më pak se 20 milionë, dhe dikur katolikët përbënin gjysmën e popullsisë. Duke parë modelet e rritjes, disa kardinalë që kërkojnë një papë të ri mund të drejtohen nga Azia ose Afrika. Në këtë rast, një kandidat i mundshëm është kardinali filipinas Luis Antonio Tagle.
Ish-kryepeshkopi i Manilës, të cilit iu kërkua nga Françesku në vitin 2019 të drejtonte zyrën e Vatikanit për ungjillëzim, Tagle njihet për sharmin dhe realizmin e tij dhe do të ishte papa i parë në lindje të Turqisë moderne. Filipinet, një vend me pothuajse 115 milionë banorë, janë pothuajse 80 përqind katolikë. Kur Françesku vizitoi Filipinet në vitin 2014, ai tërhoqi turmën më të madhe në historinë papnore. Gati shtatë milionë njerëz morën pjesë në meshën në ajër të hapur në Manila.
Por dhe Tagle ishte gjithashtu i përfshirë në skandal. Në vitin 2022, Papa Françesku e shkarkoi atë nga pozicioni i tij si kreu i konfederatës së Vatikanit prej 162 organizatash katolike për ndihmë humanitare, zhvillim dhe çështje sociale që veprojnë në më shumë se 200 vende. Francesku shkarkoi të gjithë udhëheqjen e Caritas Internationalis pas raportimeve se menaxhmenti i keqtrajtoi punonjësit. Roli i Tagle-s në atë organizatë ishte pothuajse ceremonial.
Kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjet doktrinare, Françesku u përpoq kryesisht ta hapte Kishën ndaj debateve të reja. Tema të tilla si shugurimi i grave, qenë tabu për dekada, mund të diskutoheshin. Papa ka krijuar dy komisione për të shqyrtuar shugurimin e grave si dhjakë. Një nga ato komisione nuk e ka përfunduar ende punën e tij. Françesku gjithashtu lejoi priftërinjtë të bekonin çiftet e të njëjtit seks, gjë që vendoset rast pas rasti.
Vendimet e tij kanë tërhequr kritika nga katolikët konservatorë, përfshirë disa kardinalë, të cilët kanë frikë nga një dobësim i besimit. Disa kardinalë tani po bëjnë thirrje për një ndryshim kursi.
Kardinali Gerhard Mueller, një konservator, tha se papa i ri nuk duhet të jetë pasardhësi i papa Françeskut, por pasardhësi i Shën Pjetrit, papës së parë. Françesku, i tha Mueller gazetës La Repubblica, ishte “pak i paqartë” në lidhje me doktrinën. Kur bëhet fjalë për bekimin e çifteve të të njëjtit seks, “nuk duhet ta vini në dyshim doktrinën katolike të martesës“, tha ai. /tesheshi.com/