Nga Vepror Hasani
Ashtu siç e kemi thënë shpesh, qyteti i sotëm i Korçës përbëhej nga dy pjesë: nga fshati Peskëpi, më të djathtë të lumit të Moravës ku jetonin ortodoksët dhe nga vetë qyteti, më të majtë të lumit ku jetonin myslimanët. Në ato kohë Korça ndryshe quhej “Kasaba”. Teatri lindi në lagjet e famshme të Kasabasë, të cilat mbahen mend për bukurinë dhe pastërtinë e tyre, por edhe për bibliotekën e parë, themeluar që na viti 1496, ku mbaheshin librat më të mirë të kohës. Aktorë u bënë njerëzit e shkolluar në universitetet e ndryshme të Perandorisë: mësues, avokatë, inxhinier, arkitektë, nëpunës të bankës, të kadastrës, oficerë, ushtarë etj. Në skenë ngjiteshin veprat më të mira; ato që flisnin për atdhetari, siç ishte, fjala vjen, drama “Besa” e Sami Frashërit. Sabri Qyteza përktheu dramën “Vatan”, edhe kjo e Sami Frashërit, që të luhej nga aktorët e Kasabasë. Si teatër shërbeu shpeshherë “Klubi i Osmanllinjve”, i njohur ndryshe “Kafene Panda”, pasi në këtë lokal mund të akomodoheshin deri në 600 veta.
Teatri dhe “Banda e Lirisë”, ishin dy kryeveprat shqiptare nga më të realizuarat, që lindën në lagjet e Kasabasë në vitin 1908, fal shoqërisë “Dituria” të Orhan Pojanit dhe ndjekësve të tij. Kjo shoqëri çeli bibliotekën e dytë të Kasabasë, e cila u pasurua edhe me vepra të artit dramatik. Gjithçka interpretohej në gjuhën shqipe. Për këtë arsye këto dy krijesa të mrekullueshme artistike morën mallkimin e dhespotit. Sipas tij, gjuha shqipe nuk duhej të ekzistonte mbi sipërfaqen e tokës, por vullneti i dhespotit nuk mund të gjente zbatim në lagjet e Kasabasë, sepse aty nuk pyeste njeri për të nëse ishte apo nuk ishte gjallë.
Pjesë teatrale të ndryshme shfaqeshin herë pas herë. Të ardhurat që siguroheshin nga shitja e biletave ose u jepeshin familjeve të varfëra myslimane dhe ortodokse ose ndihmoheshin shkollat e fëmijëve myslimanë, pasi në shkollat e myslimanëve kishte hyrë gjuha shqipe, ndërsa në shkollat greke të ortodoksve as që mund të mendohej një gjë e tillë.
Teatri i Kasabasë, nën kujdesin e shoqërisë “Dituria” synonte afrimin dhe vëllazërin mes dy komuniteteve fetare:
“Ca ditë më parë oficerët e Korçës lojtën një thjatro, ku u mblodhën 3.500 grosh. Këto të holla u ndanë nëpër të varfërit myslimanë e të krishterë. Oficerët nga kjo mirëbërje i urojmë”.
(Gazeta “Korça”, 31 mars 1909)
Ndërkaq, nën ndikimin e shoqërisë “Dituria” po krijoheshin shoqëri të tjera:
“Klubi i ushtarëve në Korçë, i cili prej kohe kish vendosur për të filluar, pardje u çel. Në mbledhjen e së çelurës qenë ftuar nga çdo klub dhe shoqëri të tjera që ndodhen në qytet nga pesë zotërinj. Ky klub i vogël ka për qëllim shumë vepra të nevojshme. Shkaktarët (nismëtarët) e këtij mejtimi të pëlqyer i urojmë edhe i lutemi Zotit t’u falë përparim në qëllimet”.
(Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e rë 1909)
Në përkrahje të teatrit kishte dalë edhe mytesarifi (prefekti) i Korçës:
“Këto ditë, nën kryesinë e mytesarifit të Korçës, për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të luhet një thjatro nga nëpunësit e nga gjithë mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Pa dyshim asnjeri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro, e cila do të bëhet (ndiqet) me vërejtje (vëmendje) të madhe. Urojmë gjithë ata zotërinj që mejtojnë të këtilla mirëbërje që janë të dobishme për atdhenë”.
(Gazeta “Korça”, 1 vjesht’ e II-të 1909)
Që nga krijimi i teatrit kishte kaluar gati një vit. Të gjitha shfaqet teatrale ishin luajtur vetëm nga banorët e lagjeve të Kasabasë. Ortodoksët, për shkak të mallkimit nga ana e dhespotit, nguronin t’i bashkoheshin teatrit. Megjithatë shoqëria “Dituria” mundi t’ia dilte mbanë. Edhe të rinj ortodoksë nisën të bëhen pjesë e teatrit. Me këtë rast, me qenë se ata merrnin pjesë për herë të parë, u vendos që drama “Besa” të luhej kryesisht nga djemtë ortodoksë. Për përgatitjen e shfaqes do të ndihmoheshin nga Skënder Pojani, i cili kishte marrë pjesë në shfaqjen e kësaj drame në Stamboll:
“Më 24 të këtij muaji në sallën e Klubit të Osmanllinjëve me shtytjen dhe nën mprojtjen (kujdesin) e mytesarifit zotit Nazmi, i cili është një zot i zotëruar sipas kohës dhe pas dëshirës t’atyre që dëshirojnë lirinë dhe mbrothësinë e mbretërisë, për fitim të shkollave të myslimanëve nga ana e oficerëve dhe të nëpunësve përpara 600 shpirteve u lojt një dramë fort e bukur sa të gjithë dëgjonjësit mbetën nën habitje dhe në kënaqje të madhe. Atë natë “Banda e Lirisë” lojti marshet e bukura, si mbylleshe nap (perdja) e thjatros, secili do i përgëzohej dhe i luftonte zemra dyke dëgjuar ato këngët e shijme që delnin prej atyre veglave që mbanin ata të lartrit djem shqiptarë. Kjo thjatro, thomi, se la më shumë se 60 lira turke, një fitim, të cilat do të prishen për mbrothësinë (përparimin) e shkollave që thamë më sipër. Urojmë gjithë nismëtarët e kësaj vepre të nevojshme q’është një çap për përparimin e vendit, dhe u lutemi që gjithnjë të mendojnë të këtilla shërbime që t’i qeshë syri dhe fytyra kombit…”.
(Gazeta “Korça” e enjte, 29 vjesht’ e II-të 1909) Drama “Besa” u prit me ngazëllim nga spektatori:
“Pas zëdhënies që botuam në Korçën (është fjala për gazetën “Korça”), edhe afisheve që u ngjitnë nëpër muret, të djelën që shkoj, më 13 të këtij, u lojt drama “Besa” prej amatorësh shqiptarë në sallën e “Klubit të Osmanllinjve”. Biletat, të cilat nisnë të përndahen që dy-tri ditë më parë u shitnë pothuaj që të gjitha; pa sikur të ishte salla më e madhe do të ishin shitur edhe më bileta, po komisioni i theatros kishte vendosur që të shesë vetëm aq bileta sa frona nxinte salla që të mos rrinte bota në këmbë. Nisjen e theatros e bëri “Banda e Lirisë”, dyke lojtur ca marshe shumë të bukura. Pastaj u ngrit napa (perdja) dhe nisi pamja e parë, e cila u mbarua me një trokitje duarsh të pareshtur. Gjithë kështu, në mest të një enthuziazmi të pa anët, u nisnë dhe mbaruan edhe pamjet e tjera gjer në e gjashta. Ne mes të këtyre pamjeve “Banda e Lirisë” lozte shumë gjëra të bukura, kështu që habiti të mbledhurit me mbrothësinë që kanë bërë në pak kohë e sipër…
Kronika e mësipërme jep edhe vlerësime për dramën dhe aktorët:
“Çdo amator, si amator e lojti rol e tij si jo më mirë. Z. Skënder Pojani, i cili e ka lojtur tri herë “Besën” në Stamboll, si edhe të tjerë zotërinj që panë “Besën” në Bukuresht dhe gjetkë të lohet, na siguruan se më bukur se ç’u lojt “Besa” në Korçë, asgjëkundi gjetkë s’u lojt…”
(Gazeta “Korça”, 18 dhjetor 1909)
Ndërkaq mbërriti edhe një lajm tjetër: Sabri Qyteza kishte përkthyer dramën “Vatan” të Sami Frashërit:
“Mëmdhetarin e flaktë z. Sabri Qyteza e përgëzojmë nga zemra për të përkthyerit të dramës turqisht “vatani” në gjuhën shqipe “Mëmëdheu”. Zoti e dhëntë të vështrojmë të tjera vepra nga dor’ e zotërisë së tij”.
(Gazeta “Lidhja ortodokse” , e shtunë, 17 Vjesht’ e II-të 1909)
U mendua që edhe drama “Vatan” të vihej në skenë. Gjithashtu ende nuk ishte harruar suksesi i dramës “Besa”. Shqiptarët e Manastirit i bënë kërkesë shoqërisë “Dituria” që të vinte në Manastir me grupin që luajti dramën e përmendur më sipër dhe Bandën e Lirisë
“Një tejshkrim nga klubi shqiptar i Manastirit për klubin e këtushëm “Dituria”, edhe Bandën e Lirisë thotë të venë prej këtej amatorët që lojtën “Besën”, edhe “Banda e Lirisë” për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqësia e Klubit u mblodhë dhe vendosën të venë”.
(Gazeta “Korça”, e enjte, 31 dhjetor 1909)
Mirëpo kësaj radhe, shfaqja ose jo e dramës “Besa” në qytetin e Manastirit varej nga dëshira e Dhespotit, pasi i vetmi ambient i përshtatshme ku mund të jepej shfaqja ishte salla e “Nipagonios”, për famulli që ishte në varësi të Mitropolisë së Korçës. Për këtë arsye u krijua një komision i përbërë nga zotërinjtë: Aleks Koçi, Thanas Floqi dhe Llambi Bimbli. Ata morën përsipër t’i merrrnin lejen dhespotit, por çfarë ndodhi në të vërtetë.
Komisioni i ngarkuar për këtë qëllim, i vuri në në dukje që në fillim dhespotit se të gjitha të ardhurat nga shfaqjet e kësaj drame atje në Manastir do t’u shpërndaheshin të varfërve të qytetit pa dallim feje!… Dhespoti pasi dëgjoi me vëmendje kërkesën e parashtruar nga komisioni dha përgjigjen e tij me ironi:
Dhespoti: Yve jeni të zgjuar që të bëni këtë kërkim, por duhet ta dini, neve jemi më të ditur!..
Zoti Aleksi: Ne këtu nuk kemi ardhur për të treguar se kush është më “i ditur” e kush është më “i zgjuar”!… Ne kemi ardhur t’ju kërkojmë të na jepni lejë që dramën “Besa” ta shfaqim në sallën e “Nipagonios” atje në Manastir për shqiptarët!
Dhespoti: As edhe një dramë shqipe… as edhe një herë nuk do të shfaqet në një shkollë greke!…
Zoti Thanasi: Ajo shkollë është e Korçës dhe jo e Greqisë Hirësi!…
Dhespoti: Është e Greqisë!
Zoti Aleksi: Përse thoni që është shkollë greke, Hirësi, apo mos muret, dyertë e dritaret janë sjellë prej Greqisë?!…
Zoti Thanasi: Jo që nuk janë sjellë, por prapë se prapë, fisnikëria e fesë që ju përfaqësoni këtu në Korçë… duhet që t’u bindë të na jepni lejë që kjo dramë të shfaqet edhe për shqiptarët e atjeshëm të Manastirit!…
Dhespoti: Dëgjoni!… Yve të tre jeni të krishterë dhe si të tillë më myslimanët nuk duhet që të ngatërroheni!
Zoti Llambi: Përse e thua këtë Hirësi?!…
Dhespoti: Sepse myslimanët nuk duan marrëveshje me Greqinë, sepse ata janë turq!…
Zoti Thanasi: Mësojeni Shenjt’, Dhespot! S’është aspak mirë që shqiptarët po i ndani në shqiptarë myslimanë turq dhe në shqiptarë të krishterë grekomanë!…
Dhespoti: Yve nga myslimanët ju ndan feja!…
Zoti Llambi: Jo Hirësi!… Shqiptarët kanë një fe dhe kjo feja e tyre është shqiptaria. Shqip e kanë edhe gjuhën e tyre
Dhespoti: Veç mos harroni se gjuha greke nëpër kishë këtu është vendosur nga gjyshërit tuaj!…
Zoti Aleksi: Pleqtë tanë o hirësi, kanë vendosur, thënë e besuar shumë gjëra, të cilat ne të rinjtë, stërnipërit e tyre i quajme marrëzira. Pleqtë tanë atëherë besonin se “Dielli vërtitet rreth dheut”!… Se e vetmja mënyrë e udhëtimit në tokë e në det ishte kali dhe govata (varka)!… se “përveç Evropës, vende të tjera nuk ka në botë”!… por të gjitha këto idhera i përgënjeshtroi shekulli
Hirësia e tij, i nervozuar, duke mos e përmbajtuar veten, u ngrit në këmbë e tha:
-Mbaruam!… Mund të shkoni!…”
(Gazeta “Korça” 12 janar 1910)
Kështu përfundoi takimi në fjalë mes komisionit dhe dhespotit. Drama nuk u lejua të shfaqej për shqiptarët e Manastirit. Megjithatë, në lagjet e famshme të Kasabasë, vijonin të shfaqeshin drama që flisnin për atdhetari. Luanin edhe me mallkimin e dhespotit. Gjithkush dëshironte të ishte pjesë e këtij arti të bukur. Teatri i Korçës kish hyrë në udhën e tij të famshme. /tesheshi.com/