Operacioni i shumëpërforlur “Dega e Ullirit”, i nisur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (FSA) më 20 Janar të këtij viti, tashmë ka përfundur.
Ofensiva turke e emëruar “Dega e Ullirit”, e quajtur kështu për shkak se dega e ullirit konsiderohet simbol i paqes dhe vullnetit të mirë, kishte si qëllim sigurinë dhe stabilitetin e kufirit turk me Sirinë, mbrojtjen e civilëve sirianë nga terroristët dhe kthimin e tyre të sigurtë në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, operacioni kishte një rëndësi strategjike jo vetëm për sigurinë kombëtare turke por dhe për sigurinë rajonale më gjerë.
Përpjekja e organizatës terroriste PKK për të krijuar një protoshtet në Siri do të vinte në rrezik sovraninetin e Turqisë, Irakut, e me shumë gjasa dhe të Iranit.
Qëllimi për të vendosur sigurinë përgjatë kufirit turko-sirian, dhe neutralizimi i terroristëve në Afrin u arrit me sukses dhe ndërkohë po vazhdojnë aktivitetet për t’u mundësuar banorëve kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre. Ushtria turke po kujdeset për pastrimin e rajonit nga mjetet shpërthyese të lëna nga terroristët gjatë ikjes nga Afrini. Gjithashtu, po merret me riparimin e shkollave, spitaleve dhe shumë institucioneve në rajon për të siguruar sa më parë një mjedis të sigurtë. Ndërkohë, presidenti Erdogan përmendi se që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” e deri tani janë neutralizuar 3.698 terroristë, ndërsa në veri të Irakut janë neutralizuar gjithashtu edhe 38 anëtarë të tjerë të PKK-së.
Ky operacion u ndërmor në përputhje më të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht me ato që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit, 1624 (e vitit 2005.), 2170 si dhe 2178 (e vitit 2014.)
Nuk kanë munguar as ‘fake news’ në lidhje me operacionin në Afrin, apo akuzat për spastrim etnik.
Në disa media janë shfaqur imazhe ku tregohen vrasje civilësh apo shkatërrime të tokës. Një rast konkret janë fotografitë që kanë qarkulluar më së fundmi në rrjetet sociale me pretendimin se në Azezi po shiteshin sendet e “plaçkitura” në Afrin. Por më pas rezultoi se bëhej fjalë për fotografi të shkrepura në vitin 2015 nga një treg ku grupi terrorist ISIS shiste materiale të plaçkitura nga shtëpitë e jezidëve në Rakka.
Pavarësisht pretendimeve të tilla, imazhet e shumta të publikuara nga agjencitë turke të lajmeve tregojnë se gjatë zhvillimit të operacionit në Afrin nuk ka pasur dëmtime të mëdha dhe bombardime si në Gutën Lindore, Raka apo Mosul.
Ndërkohë, pretendimet se ka pasur përpjekje për spastrim etnik, i hodhi poshtë vetë zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën në një intervistë për rrjetin amerikan CNN, ku u shpreh se gjatë operacionit “Dega e Ullirit”, Turqia ka pasur një “regjistër të pastër”, pasi është treguar shumë e kujdesshme kur bëhej fjalë për mbrojtjen e civilëve. Kallën, iu kundërpërgjigj dezinformimeve të cilat qarkullojnë kryesisht në mediat perëndimore e që qëllimisht ngatërrojnë terroristët e PYD/PKK me popullatën kurde: “Kjo është njësoj sikur të thuash se të gjithë muslimanët janë ISIS. Populli i Afrinit ka braktisur tokat e tyre për shkak të mizorive të PYD/PKK-së, ndërsa ne po përpiqemi t’i rikthejmë civilët në shtëpitë e tyre”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të metejshme të korrespondentit të CNN-it në lidhje me pretendimet se ka pasur akuza për “spastrim etnik” të kurdëve, Kallën u shpreh në këtë mënyrë: “Spastrim etnik? Ky është një pretendim qesharak. Në Ushtrinë e Lirë Siriane luftojnë plot kurdë. Ndër luftëtarët që hynë në qytetin e Afrinit ka shumë kurdë. Për fat të keq, problemi është se disa komentues në mediat perëndimore nuk i konsiderojnë si kurdë ata që nuk janë pjesë e PKK-së. Ata shprehen për PYD/PYG-në sikur ata të ishin përfaqësuesit e vetëm të kurdëve. Kjo nuk është e drejtë. Ka qindra, madje mijëra kurdë që nuk përvetësojnë ideologjinë marksiste të PKK-së. Ne këtu jemi përballë një ironie të historisë moderne.”
Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Bekir Bozdag, duke iu përgjigjur akuzave të zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, deklaroi se Turqia ka kryer me sukses operacionin ushtarak dhe ka çlirua rajonin kufitar në Afrin nga terroristët, pa dëmtuar civilët dhe pa dëmtuar vendbanimet.
“Operacioni anti-terror i Turqisë në Afrin nuk ishte kundër civilëve, as kundër kurdëve, por vetëm kundër organizatave terroriste në atë rajon. Civilët nuk kanë pësuar nga operacioni. Gjatë operacionit nuk u është bllokuar furnizimi me ujë, barna, ushqim dhe nevoja të tjera”, u shpreh Bozdağ.
Ai gjithashtu tregoi se ushtarët turq janë kujdesur që asnjë civil të mos dëmtohet dhe se civilët në Afrin janë të lumtur nga prania e ushtarëve turq. Këtë e vërtetojnë edhe shumë dokumentarë dhe reportazhe nga media serioze turke të cilët kanë pyetur vetë civilët.
Ndër të tjera, qeveria turke është kujdesur që përmes Agjencisë Turke për Gjendje Emergjente (AFAD) të dërgojë ndihma humanitare duke shpërndarë vakte të ngrohta civilëve në rajonin sirian Afrin.
Përgatiti: Nada Dosti – /tesheshi.com/