Një person i armatosur vrau të paktën dhjetë persona në një shkollë të mesme në qytetin jugor austriak të Gracit, në të shtënat më të këqija në historinë moderne të vendit, raporton Reuters, dhe më poshtë është një përmbledhje e disa prej të shtënave më të këqija në Evropë gjatë katër dekadave të fundit.
Belgjikë, maj 1987 – Michael Van Wijnendaele vret shtatë persona, pastaj qëllon veten ndërsa policia përpiqet ta bëjë të dorëzohet.
Britania e Madhe, gusht 1987 – Michael Ryan, një fanatik 27-vjeçar i armëve, vrau 16 persona dhe plagosi 11 të tjerë në qytetin anglez të Hungerford para se të kryente vetëvrasje.
Francë, korrik 1989 – Një fermer francez qëllon dhe vret 14 persona, përfshirë familjen e tij, në fshatin Luxiol pranë kufirit zviceran. Ai plagoset nga policia dhe më pas arrestohet.
Francë, shtator 1995 – Një djalë 16-vjeçar në qytetin Cuers qëllon 15 persona dhe më pas veten pas një grindjeje me prindërit e tij.
Britania e Madhe, mars 1996 – Thomas Hamilton hyn me forcë në një shkollë fillore në qytetin skocez Dunblane dhe vret 16 fëmijë dhe një mësues përpara se të vrasë veten.
Gjermani, prill 2002 – Robert Steinhauser, 19 vjeç, hap zjarr në Erfurt pasi tha se nuk do të jepte një provim matematike. Ai vret 12 mësues, një sekretare, dy nxënës dhe një oficer policie në gjimnazin Gutenberg përpara se të kryente vetëvrasje.
Rusi, shtator 2004 – Më shumë se 300 pengje, gjysma e të cilëve fëmijë, vriten në Shkollën Nr. 1 në qytetin e Beslanit (Osetia e Veriut) pasi ajo u mor nga rebelët që kërkonin pavarësinë çeçene dhe një fund të menjëhershëm të luftës. Shumë prej tyre u vranë kur shkolla u sulmua.
Finlandë, nëntor 2007 – Pekka-Eric Auvinen vret gjashtë nxënës të tjerë, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një armë në Shkollën e Mesme Jokela pranë kryeqytetit Helsinki.
Finlandë, shtator 2008 – Studenti Matti Saari hap zjarr në një shkollë profesionale në Kauhajoki në Finlandën veriperëndimore, duke vrarë nëntë nxënës të tjerë dhe një anëtar të stafit mashkull përpara se të vriste veten.
Gjermani, mars 2009 – Një person i armatosur 17-vjeçar vret nëntë nxënës dhe tre mësues në një shkollë pranë Stuttgartit dhe një person tjetër në një klinikë aty pranë. Ai vritet më vonë në një shkëmbim zjarri me policinë. Dy kalimtarë të rastësishëm vriten gjithashtu, duke e çuar numrin e të vdekurve në 16, përfshirë personin e armatosur.
Britani e madhe, qershor 2010 – Derrick Bird hap zjarr ndaj njerëzve në qytetet përgjatë Cumbria-s rurale. Dymbëdhjetë persona vriten dhe 11 plagosen. Bird kryen edhe vetëvrasje.
Sllovaki, gusht 2010 – Një person i armatosur vret gjashtë anëtarë të një familjeje rome dhe një grua tjetër në kryeqytetin sllovak Bratislavë përpara se të vriste veten. 14 persona të tjerë plagosen.
Holandë, prill 2011 – Tristan van der Vlis hapi zjarr në qendrën tregtare Ridderhof në Alphen aan den Rijn, në jug të Amsterdamit, duke vrarë gjashtë persona përpara se të drejtonte armën ndaj vetes.
Norvegji, korrik 2011 – Anders Behring Breivik vrau gjithsej 77 persona kur shpërtheu një makinë-bombë që vrau tetë persona në ndërtesën qeveritare në Oslo dhe më pas vrau 69 të tjerë, kryesisht adoleshentë, në një kamp veror rinor për Partinë Laburiste në pushtet në një ishull.
Francë, nëntor 2015 – Sulmues në Paris, të armatosur me armë zjarri dhe bomba, sulmuan sallën e koncerteve Bataclan, gjashtë bare dhe restorante, dhe zonën përreth stadiumit Stade de France pak jashtë kryeqytetit francez, duke vrarë 130 persona – përfshirë 90 pjesëmarrës në koncert në Bataclan – dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Gjermani, korrik 2016 – Një 18-vjeçar me prejardhje gjermano-iraniane, i fiksuar pas vrasjeve masive, vret të paktën nëntë persona në Mynih.
Gjermani, mars 2023 – Një person i armatosur në Hamburg vrau gjashtë persona para se të kryente vetëvrasje në një sallë adhurimi të Dëshmitarëve të Jehovait. Tetë persona të tjerë u plagosën, përfshirë një grua shtatëmuajshe shtatzënë që humbi vajzën e saj të palindur.
Serbi, maj 2023 – Një djalë 13 vjeç vrau tetë shokë shkolle dhe një roje sigurie në një shkollë në Beograd. Dy ditë më vonë, një person i armatosur vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në një fshat pranë kryeqytetit serb. Të dy të dyshuarit u arrestuan.
Republika Çeke, dhjetor 2023 – Një student çek vrau babanë e tij dhe më pas 14 persona të tjerë në universitetin që ndiqte në Pragë. Personi i armatosur, i cili besohet kryeu vetëvrasje në vendngjarje, dyshohet gjithashtu për vrasjen e një burri dhe vajzës së tij dy-muajshe, të cilat u gjetën të vdekura në një pyll në një fshat jashtë Pragës një javë më parë.
Rusi, mars 2024 – Persona të armatosur sulmuan sallën e koncerteve Crocus City Hall pranë Moskës, duke vrarë të paktën 139 persona dhe duke plagosur 182 të tjerë.
Kroaci, korrik 2024 – Një person i armatosur hyri në një azil pleqsh në Kroacinë veriperëndimore, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë nënën e tij, dhe duke plagosur pesë të tjerë.
Suedi, Shkurt 2025 – Një person i armatosur vrau 11 persona, përfshirë veten, në një qendër arsimore për të rritur në Suedinë qendrore në të shtënat masive më vdekjeprurëse në vend.