Nga Blendi Gashi
Gjuajtja me armë zjarri javë më parë nga zv.kryeministri Dardan Gashi e Sami Lushtaku në oden e Fatmir Limajt, pasi ky i fundit u shpall i pafajshëm për afera korruptive në ish-Ministrinë e Transportit, ka ngjallur një debat cirk tejet pa serioz në interpelancën e thirrur nga LDK-ja që kryeministri Ramush Haradinaj të raportojë për rastin në fjalë.
Në fjalën e tij hapëse, kryeministri Haradinaj e arsyetoi veprimin e zëvendësit të tij duke iu referuar Kanunit. Shefi i qeverisë së Kosovës tha se janë disa tradita që lejojnë gjuajtjen me armë, dhe të cilat nuk janë zhdukur krejtësisht.
“Nuk është e hijshme në shekullin 21 askush me ju ekspozuar as publikut dhe as njerëzve me gjuajtje me armë. Janë disa tradita që ua lejon, dhe nuk është zhduk krejtësisht, jemi në atë periudhën ku ne të gjithë dakordohemi me ju dhanë përparësi ligjeve dhe kushtetuese”, tha Haradinaj.
Më pas, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ironizoi jo pak me Haradinajn dhe Gashin.
“Na e dim që Ramushi din më gjujtë shumë mirë për shkak të përvojes, karrieres dhe veprimtarsisë së lavdishme të UÇK-së. Por, Kryeministër nuk e di sa e njeh Dardan Gashin, me be me ja marr alltinë prej brezit e me dal me gjuajt pa centriste, a beson se duhet me evaku krejt qytetarët. Halli jem është ky, që personi nuk din me gjuajt”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se me armë ka shtënë Gashi dhe nuk është për t’u habitur se në rastet e tilla kur hahet mish e pihet raki.
“Dardan Gashin nuk e arsyetoj por e kuptoj. Në ato tubimet e yndyrshme dhe me plot mish dhe me raki ku shahirat prejnë dhe grijnë dhe trimnia shpaloset tu gjujt allti, bohet njeri trim edhe pa kanë hiq. Dardan Gashi nuk i ka kqyr reklamat e KFOR-it dhe është sjellje e keqe e një zyrtari të lartë të Kosovës”, tha ai.
Konjufca më pas shtroi pyetjen: si është e mundur që hudhja e gazit lotsjellës nga deputetë të opozitës të jetë shumë më e rrezikshme sesa shtënia me armë nga zyrtarët qeveritarë?
E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Haradinajt i cili i tha Konjufcës se gjithmonë gjuhet në atmosferë festive, pa marr parasysh motivin.
“Unë s’kam dilemë në ato që thua, por të mbajmë korrektësi, tradita e gjuajtjes me armë ekziston prej që e mbaj mend vetën. Madje, secilit këtu i ka ndodhur të shohim një situatë të tillë. Nuk është gjest i mirë, po të jeni më i saktë në mënyrën e argumentimit”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, në këtë rast privilegjohet nëse gjuan qytetari, e diskriminohet pushtetari.
“E dimë kur vijnë gurbetqarët, për Vitin e Ri sa gjuhet etj, e sa pak fishekzjarrë kineze përdorën për festa. Në veprat që janë dënu deputet për mu janë të papranueshme por nuk mund të them gjykatave e prokurorëve se e kanë gabim. Besoj se ky parlament do ti jap epitet kësaj çështje. Nëse po kalojmë në polici, ok po kalojmë dhe vazhdojmë”, deklaroi Haradinaj.
Në ndihmë kryeministrit i doli edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se ndonëse nuk e arsyeton atë që e ka bërë Dardan Gashi, një veprim i tillë nuk është diçka e jashtëzakonshme.
“Nuk mund të thoni se këto tradita nuk vlejnë më dhe është e pamundshme, por ne mundemi me mendu si ta kontrollojmë të ardhmen, një veprimtari të tillë, por të mos thotë dikush se kjo është diçka e jashtëzakonshme. A mundet dikush me thënë që Gashi ka bo diçka që s’ka bo najkush në Kosovë. Por po e demaskoj faktin që mos u bëni më katolik se Papa“, tha Krasniqi
Ndaj përmendjes së gostisë në odën e Limajt nga Konjufca, reagoi shefi i grupit parlamentar të NISMA-s për Kosovës, Bilall Sherifi i cili gjuajtjen me armë në odë, ku kishte “mish e raki” e krahasoi me problemet e brendshme në Vetëvendosje.
“Glauk Konjufca tha se yndyra, mishi dhe rakia i ka çuar peshë, dhe kanë gjuajtur me armë. Rakia të çon më pak peshë se bari – që kanë thënë se ju ka çuar në orgji seksuale…Mos e teproni, së paku atë që kemi dëgjuar këto dy javë ua kanë hequr të drejtë”, tha Sherifi.
Ai më tej tha se çështja e barit e orgjisë është thënë nga vet aktivistët e Vetëvendosjes.
“Këtë e kanë thënë aktivistët e juaj”, tha Sherifi.
Ndaj deklaratës së Sherifit, reagoi deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi i cili e quajti të pandershme të përmendet bari dhe abuzimet seksuale.
“Nuk e di pse po i drejtohen Vetëvendosjes, kur iniciativa ishte e tjetërkujt. Ne në Vetëvendosje kemi folur për tema tabu, qoftë edhe për ngacmime seksuale, por jo të keqpërdoren këtu në Parlament”, tha Kurteshi.
Përplasja Haradinaj vs Osmani
Ndaj referimit në Kanun nga Haradinaj, reagoi deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila tha se “duhet të pranojmë se kemi tradita të këqija dhe se këto tradita nuk duhet të respektohen”.
Ajo më tej përmendi shembujt e gjuajtjeve me armë gjatë ahengjeve të ndryshme nga të cilat janë vrarë qytetarë, ku përkujtoi rastin e vdekjes së Shpresa Kastratit në Pejë dhe të një fëmije gjashtëvjeçar në Prizren.
Osmani kërkoi shkarkimin e zëvendësministrit Dardan Gashi nga detyra për shkak të përdorimit të armëve në një aheng, ndërsa kërkoi për ndërgjegjësimin e gjuajtjeve me armë të shfaqet video e KFOR-it dhe MPB-së, “Festo me zemër e jo me armë”.
Haradinaj, ju kundërpërgj Osmanit duke thënë se nuk është mirë të përmednen familje që kanë pësuar dhe të tentohet të fitohet politikisht.
Kurse tha se kërkesa për shkarkim të zv.kryeministrit Gashi është e hershme, pasi rasti ende është në proces ligjor.
Një fjalë të shkurtër e mbajti edhe ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili debatin në Kuvend lidhur me gjuajtjen me armë të zv.kryeministri Gashi, e quajti përzierje në sistemin e drejtësisë.
“Policia e ka kryer detyrën dhe janë proceduar të gjitha veprimet e nevojshme të këtij rasti e tani lënda është në duart e prokurorisë. Kjo temë nuk duhet të trajtohen me terminologji folklorike se në raste të tilla ka pasur edhe viktima”, tha ai.
Ndaj përdorimit të termit “terminologji folklorike”, reagoi deputeti nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili e quajti këtë gjuhë të minsitrit Sefaj të papranueshme për çka tha se pot ë ishin deputetët serioz do ta shkarkonin menjëherë.
Limaj: Do Zoti që ky është problemi i vetëm…
Për rastin foli edhe zv.kryeminsitri, Fatmir Limaj, në oden e të cilit u shkrepën armët, ku tha se për çështjen e kanë fjalën organet e drejtësisë dhe përë këtë gjë nuk vendos Kuvendi.
Limaj shprehu dëshpërimin me kolegët deputetët për mos ngritjen e zërit të asnjë prej tyre siç tha për çështjen e mbajtjes në burg nga fabrikimi i mesazheve
“Para se me fol për atë çështje të tregoj sa hipokrizi ka këtu dhe nuk jemi në rregull tregon më se miri, si është e mundur që për tetë vjet në këtë Kuvend asnjë deputet nuk është quar të flas se si në këtë vend shkelet ligji dhe përsekutohen njerëzit. Si more në këtë Kuvend nuk u qu askush të thotë si janë fabrikuar mesazhet, të falsifikoj mesazhe dhe të mbajë njerëz tetë vjet nëpër burgje e perspekutime. Si është e mundur që nuk shkoni ata polic apo kushdo që i ka shti duar të merret të dal para drejtësisë. Si është e mundur që kolegut të juaj deputet tetë vjet e kanë stigmatizu, e kanë akuzua, me familje, dhe asnjëherë se kam dëgju asnjë zë nga ju të thoni ngadalë se po shkelet ligji”, pyeti Limaj.
Ai në fund kishte dhe një lutje.
“Ishallah do Zoti ky është problemi i vetëm (gjuatja me armë) e nuk ka asnjë tjetër më të madh”, tha Limaj, ndërsa kërkoi që të mos humbin kohë me tema të kota, por të flasin për tema të rëndësishme. /tesheshi.com/