Nga Mensur Krasniqi
Mbrëmjen e së premtes, dy të rinj shqiptarë, mu në sheshin e Kumanovës ulën flamurin maqedonas duke e zëvendësuar me një shqiptar. Autoritetet thanë se bëhet fjalë për L.S. (16) dhe L.K. (21), që të dy nga fshati Sllupçan, ndërsa edhe dy persona tjerë janë në arrati.
“Më 31.03.2017 nga ana e zyrtarëve policorë nga SPB-Kumanovë, janë vërejtur persona se si e ulin flamurin shtetëror të R.Maqedonisë në rrugën “Goce Dellçev” dhe vendosin flamurin e R.Shqipërisë. Gjatë tentimit të zyrtarëve policorë për t’i legjitimuar personat, të njejtit janë sulmuar dhe penguar në ushtrimin e detyrës zyrtare me çka u janë shkaktuar plagë trupore. Dy persona pjesmarrës në incident janë në arrati, ndërsa LL.S.(16) dhe L.K.(21), që të dy nga fshati Sllupçan, janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në SPB-Kumanovë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ky gjest i të rinjve shqiptarë nuk është mirëpritur aspak nga bashkëqytetarët maqedonas, ngase sipas tyre kjo paraqet një provokim i rëndë, dhe tentativë për shqiptarizimin e Maqedonisë.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në Maqedoni, kanë shprehur lëvdatat e tyre për gjestin e dy të rinjve, duke i quajtur hero të kombit, e disa tjerë ndanin mendimin se kjo gjë ishte e panevojshme, pasi që zyrtarizimin e gjuhës dhe flamurit shqiptar duhet ta sjellin partitë dhe jo qytetarët.
Ndër ata të cilët dyshojnë në një skenar të kurdisur politik mbi uljen e flamurit maqedonas dhe ngritjen e flamurit shqiptarë nga dy të rinjtë, është edhe botuesi i gazetës “Lajm”, me prejardhje nga Kumanova, Fejzi Hajdari. Ai në rrjetin social facebook ka shkruar se një incident i përmasave ndëretnike i cili mund të vjen si pasojë e këtij akti “trimëror” të të rinjve shqiptarë, mund ti shërbejë vetëm partive politike në pushtet, dhe assesi qytetarëve të rëndomtë.
“Pse në Kumanovë, dhe jo në Zajaz apo Tetovë – A dështoi “Lagjja e Trimave nr.2” ?!!
Më shumë se skenarë spontan, ngritja e Flamurit Kombëtarë Shqiptar në sheshin qendror të Kumanovës, më duket sikur skenar jo i rastësishëm! Them, “jo i rastësishëm”, sepse për ta kuptuar mirë deri diku këtë incident, duhet ta parashtrojmë pyetjen: Kujt i shërben më së shumti ky skenarë ose incidenti eventual ndëretnik në Kumanovë? Ta dini se incidenti ndodhi pikërisht tek vendi i cili kushtimisht thënë në mënyrë simbolike, shërben, si një ndarje mes: “Kumanovës shqiptare” dhe “Kumanovës maqedonase”?!
Një incident i përmasave ndëretnike, mund t’i shërbejë vetëm dy partive politike në pushtet, dhe assesi qytetarëve të cilët janë lodhur e raskapitur nga skenarë të këtij lloji, pikërisht në Kumanovë. Për rifreskuar kujtesën, pas konfliktit të 2001, në Kumanovë ndodhën: Sopoti, rasti i bombave në qendër të qytetit, vrasja e Komandant SHqiponjës, Lagjja e Trimave dhe së fundmi: “Ngritja e Flamurit kombëtar shqiptarë” në Sheshin qendror të Kumanovës.
Në të gjitha këto raste, kanë pësuar vetëm shqiptarët, të cilët janë burgosur me dhjetrë vitesh, janë vrarë e rrahur, janë
traumatizuar, iu janë rrënuar në mënyrë të pafajshme shtëpitë e pasuria tjetër. Thjeshtë, pas 2001-shit kumanovarët (dhe likovasit) si bartës kryesorë të aktiviteteve luftarake të 2001-shit, kanë qenë në shënjestër të qeverisë BDI-VMRO. Të krijohet me tamam dyshimi dhe përshtypja, sikur dikush në mënyrë të vazhdueshme ka dashur t’ju hakmarret kumanovarëve dhe likovasve për luftën. Në fakt një gjë e tillë edhe ka ndodhur, nëse i referoheni të dhënavë nga rastet e sipërpërmendura. Shikoni sot të rinjtë shqiptarë se si ikin në mënyrë masive jashtë, të papunë, pashpresë për një perspektivë më të mirë etj.
T’i kthehemi rasti të “Ngritjes së Flamurit në Kumanovë”…, duke i patur parasish të gjitha këto dhe sidomos skenarët e rasteve të mëhesrshme në Kumanovë, kam frikë se mos vallë edhe ky incident është i instrumentalizuar për qëllime të politikës qeverisës, e cila po përballet me presione të fuqishme nga jashtë për shkak të krizës së thellë politiko-ekonomike.
Larg përpjekjeve për t’i vënë faj ose akuzuar dy të rinjtë, për të cilët jam i bindur thellë se as që e kanë idenë se cfarë kanë bërë me këtë akt. Jam i prirur frikën ta shohë diku tjetër – tek ndonjë tendencë eventuale ose nga ndonjë “buton”, i cili mund të qëndrojë në distancë (nga largësia) me teledirigjues në dorë.Tradicionalisht, të rinjtë shqiptarë nga rajoni i Likovës, kanë qenë shembull dhe shumë të mirësjellshëm, kur kanë ardhur në Kumanovë.
Ata kanë qenë shumë më të disiplinuar dhe qetë, nga të rinjtë kumanovarë. Dhe prandaj më habiti skajshëm fakti se dy personat që paskan ngritur Flamurin Kombëtarë, na paskan qenë pikërisht nga rajoni i Likovës.
Paramendoni këtë: vendi ku është ngritur Flamuri gjendet vetëm 100 metra ose 5 minuta në këmbë nga Sektori i Policisë në Kumanovë. Si nuk u pengua nga organet e policisë, një gjë e
tillë? A thua vërtetë në pikë të ditës policia e Kumanovës ia kishte futur gjumit apo ata çunat paskan qenë si zogjë mali !!!
Pastaj edhe nëse kanë bërë ndonjëherë shqiptarët e Kumanovës e Likovës dicka, të gjitha “azganllëqet” i bënin në “pjesën shqiptare” të Kumanovës, dhe asnjëherë në shehsin qendror të Kumanovës. Pikërisht ky fakt ma shtoi dyshimin!. Edhe e fundit: Për ta mësuar më mirë se “dicka e dyshimtë” ka ndodhur në gjithë këtë incident, shikoni se cilat portale vetëtimthi (sapo kishte ndodhur rasti), e nxorren të parët lajmin dhe ku e gjetën videon, ku shfaqen të rinjtë duke u prangosur. Edhe ky moment është shumë interesnatë: Portalet e në fjalë, nuk janë as nga Kumanova, e as nga Shkupi!
Dmth këto pak a shumë janë dyshimet e mija. Dhashtë Zoti të jemi i gabuar në këto dyshime dhe “vlerësime”! Koha do të jetë dëshmitari më i mirë!”, ka shkruar Fejzi Hajdari në rrjetin social facebook.
Kujtojmë se Kumanova si qytet, gjithnjë është qendër e vëmendjes në momente kur situata politike në Maqedoni nuk shkon ashtu siç duhet.
Përveç luftës së vitit 2001, e cila përgjithësisht është zhvilluar më së shumti në regjionin e Karadakut, jo më larg se para një viti, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë kishim përplasjen ndërmjet grupit të armatosur të UÇK-së me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Nga ana tjetër humbën jetën edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
E gjithë kjo sipas rrëfimit të të akuzuarve në seancën gjyqësore “Lagjja e Trimave” është një skenar i montuar politik.
Andaj jorastësisht, portali qeveritar rus “Sputnik” në një shkrim të saj, duke marrë parasysh gjendjen e tensionuar politike në Maqedoni, nuk përjashton skenar tjetër, edhe atë pikërisht në Kumanovë, apo siç shkruajnë ata një “Lagje Trimash” nr.2. /tesheshi.com/