Kur një gurgdhendësi sirian dhe familjes së tij iu miratua azili në Greqi vitin e kaluar, ata menjëherë morën rrugën drejt ishullit të Kretës – duke përfunduar një udhëtim të nisur nga stër-stërgjyshërit e tyre 130 vjet më parë.
Ndërsa hynte në një dyqan të vogël në Chania, në bregun veri-perëndimor të Kretës, Ahmed nisi të prezantohej. Pronari e pa me gojë hapur. Ai kuptoi se çfarë po thoshte Ahmed, por disa nga fjalët që ai artikuloi ishin jo-familjare për të dhe të modës së vjetër, ndërsa të tjerat ai nuk i kuptoi fare. Ishte sikur Ahmed të mos kishte ardhur nga Siria, por nga ndonjë epokë tjetër.
“Ai nuk mund të besonte që dikush ende fliste sot gjuhën e vjetër”, thotë Ahmed.
42-vjeçari sirian po fliste në një version të dialektit të Kretës që kishte mësuar nga prindërit e tij, duke u rritur në një fshat në veri të Sirisë në vitet 1970 dhe 80. Prindërit e tij e kishin kaluar gjithë jetën në Siri – por disa anëtarë të brezave të mëparshëm kishin lindur në Kretë, dhe duke jetuar së bashku si azilantë, kishin mbajtur gjallë kulturën kretane.
“Ne mësuam arabisht në shkollë, por gjithnjë flisnin greqisht në shtëpi”, thotë Ahmed. Fëmijët mësonin kërcimet greke dhe recitonin poema të shkurtra kretane të njohura si Mantiades. Të afërmit pasuan recetat tradicionale kretane të tilla si kërmij të skuqur, dhe martesat me popullsinë siriane ishin të rralla. Gruaja e Ahmedit, Jasmina është po ashtu nga një familje kretane.
Prindërit e babait të Ahmed u detyruan të largohen nga Kreta në vitet 1890 pas dobësimit të perandorisë Osmane. Ishulli kishte qenë pjesë e perandorisë për dy shekuj dhe pothuajse një çereku i popullsisë, përfshirë paraardhësit e Ahmedit, u konvertuan në Islam. Por trazirat e fundshekullit të 19-të rezultuan me dëbimin e popullsisë muslimane.
Një pjesë e tyre shkuan në Turqi, Libi, Liban apo Palestinë, por familja e Ahmedit udhëtoi drejt al-Hamidiyah, një fshat në Siri ngritur për refugjatët nga sulltani osman, Abdul Hamid II.
Në vitet e mëpasme, 10 mijë banorët e fshatit do të mbanin kontakte me Kretën moderne, duke parë televizionin grek përmes satelitit dhe me raste, fshatarët do të udhëtonin pas në ishull për të punuar.
“Kishte gjithnjë një fragment nga Kreta në zemrat tona”, thotë Ahmed.
“Të gjithë e dinin me saktësi se nga cili fshat vinte çdo familje. Gjyshërit tanë na thoshin sesa e bukur ishte Kreta dhe sesi ata kishin atje çdo gjë që u nevojitej”.
“Ne gjithnjë kemi dashur ta vizitojmë, por nuk na u dha kurrë rasti”.
Pastaj, erdhi lufta civile në Siri dhe i la ata pa ndonjë zgjedhje të madhe.
Motrat e Ahmedit, Amina, Faten dhe Latifa, bashkë me familjet e tyre, ishin të parat që u larguan. Vetë Ahmed pati vështirësi të gjente pune pasi vuante nga një hernie diskale dhe kishte problem në mbledhjen e parave për të paguar një trafikant njerëzish. Por, më në fund ai, Jasmina dhe katër fëmijët e tyre u nisën për në Greqi në pranverë të vitit 2017.
Udhëtimi zgjati tre muaj dhe përfshiu edhe një udhëtim të rrezikshëm me varkë nga Turqia për në ishullin grek, Lesbos, aq të stërmbushur sa pothuajse u mbyt. Kur familja pati intervistën e parë të aplikimit për azil, Ahmed e vuri me qëllim gishtin e tij pranë mbiemrit të tij të dallueshëm kretan -Tarzalakis – kur iu kërkua të tregonte pasaportën.
“Ai nisi t’u thoshte më zë të lartë kolegëve të vet: “Shiko, shiko, paska një kretan këtu. Ejani e shihni”, thotë Ahmed. “Të gjithë nisën të mblidhen përreth nga kurioziteti”.
Edhe pse shumë grekë ishin në dijeni se shumë enklava kretane ekzistonin nëpër botë, ata u intriguan shumë nga dialekti i familjes
Tarzalakis. Theksi i tyre është tipik kretan, por shumë prej fjalorit që ata kanë mësuar në Siri nuk përdoret më as në Kretë e as në Greqinë kontinentale.
“Por, me pak durim, ne mund ta kuptonim njëri-tjetrin”, thotë Ahmed.
Dhe edhe pse ata flisnin një gjuhë që nuk kishin mësuar kurrë ta lexonin apo shkruanin, ata kishin nevojë për ndihmë në mbushjen e formularëve.
Kur mbërritën, Ahmed u shtrua menjëherë në spital, për shkak të problemeve që vinin nga një epilepsi kronike. Stafi mjekësor, i habitur tek dëgjonte dialektin e folur prej tij, thirri një gazetar nga shtypi lokal.
“Kur lashë spitalin, të gjithë në qytet më njihnin”, thotë Ahmed, familja e të cilit ishte vendosur në një apartament pranë portit historik venecian të Chania-s.
“Njerëzit më ndalonin në rrugë për të më pyetur për Sirinë dhe luftën. Ata na shihnin ne si kretanë që ishin rikthyer”.
Ahmed bëri një pelegrinazh të fshatin ku kishin lindur strëgjyshërit e tij, në Skalani, sapo del nga qendra e Kretës, Heraklion.
Duke ecur rrugëve të tij, duke vështruar tavernat plot hije dhe shtëpitë e vogla prej guri, ai ndjeu mornica në gjithë trupin. Edhe pse ishte hera e parë që vizitonte fshatin, ai kishte dëgjuar për të gjatë gjithë jetës së tij.
“Nuk mund të gjeja shtëpinë e saktë, por banorët vendas më treguan fushat ku dikur punonte komuniteti musliman”, thotë ai.
Ahmed dhe motrat e tij duhet të kenë kujdes kur kthehen pas në historinë familjare. “Nuk dua që njerëzit që jetojnë atje të mendojnë se po përpiqem të pretendoj tokën”, thonë ata.
Familja po mëson të lexojë dhe të shkruajë greqishten moderne dhe fëmijët janë regjistruar në shkollë. “Ne po mësojmë fraza të reja, por ende e mbajmë të shtrenjtë gjuhën tonë, për shkak se është pjesë e asaj që ne jemi”, thotë Ahmed.
Edhe pse Chania nuk ka pasur komunitet musliman për më shumë se një shekull, gjërat po ndryshojnë tani. Përveç 25 anëtarëve të familjes së Ahmedit, edhe disa qindra refugjatë nga Lindja e Mesme janë vendosur në qytet në pak vitet e fundit. Xhamia Osmane e mbyllur prej kohësh përballë detit tashmë përdoret si një galeri arti, kështu që muslimanët falen në dhoma të marra me qira.
Një supermarket arab i hapur së fundmi, shet mallra të importuar dhe Ahmed dhe familja e tij konsumojnë një përzierje të ushqimit lokal me atë sirian, si sallatë greke, bukë pita dhe hummus.
Deri tani, Kreata nuk është toka e qumështit dhe mjaltit që përshkruhej nga strëgjyshërit e Ahmedit. Ai është mirënjohës për ndihmën financiare nga program Estia i BE-së, por thotë se nuk është mjaftueshëm për të rritur katër fëmijë. Burrat në familje dëshirojnë të ngrenë një biznes të gdhendjes së gurit, dhe gratë kërkojnë të bëjnë parukeri për nuset, por këto mbeten qëllime për të ardhmen.
Dhe, edhe pse Ahmed e vlerëson mundësinë e jetesës në atdheun e të parëve të vet, rrethanat që e sollën këtu e bëjnë këtë kthim paksa të hidhur.
“Kur detyrohesh të largohesh nga vendi ku ke lindur, humb një pjesë të vetes”, thotë ai.
“Nëse Assad nuk do ishte në pushtet dhe ne do ishim të sigurtë të ktheheshim në al-Hamidiyah, do të ktheheshim. Por, unë kam dëshirë të mbaj lidhje me Kretën dhe ta vizitoj rregullisht”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/