Nga Ylli Pata
Lëvizja e re që lançoi Astrit Patozi e Besnik Mustafaj, edhe pse në dukje ka një gjasë që të korrë më shumë mbështetës si pasojë e një “shkelje syri” nga lideri historik Sali Berisha, gjithsesi është një lëvizje paralele që historia nuk i jep shumë shanse për sukses.
Kjo ngaqë të lëvizësh jashtë selisë blu, ka pasur gjithmonë në historikun 25-vjeçar të saj, “mallkimin” e masës së militantëve që udhëhiqen përgjithësisht nga urdhërat që vijnë nga lart.
I pari që u largua nga Partia Demokratike ishte Neritan Ceka. Ishte viti 1991 kur profesori i Arkeologjisë, atëherë nënkryetar i PD-së, e braktisi pasi Sali Berisha prishi Qeverinë e Stabilitetit.
Profesor Ceka priti gjashtë muaj për të krijuar formacionin e parë politik që ka dalë nga partia e parë opozitare.
Në verën e vitit 1992 së bashku me “mocionistët” Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Imami, Perikli Teta, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia, por edhe me një pjesë të konsiderueshme anëtarësh të PD-së, formuan Aleancën Demokratike.
Një parti që doli si e qendrës dhe e nisi aktivitetin politik si opozitë ndaj partisë mëmë.
Deri në vitin 2005 PAD ishte një aleate e së majtës, por më pas u përça dhe tek e tek, Imami, Ceka, Demeti e disa të tjerë u kthyen si “djemtë plangprishës tek Sali Berisha që u dha poste kritizerëve më të ashpër të tij.
Sot PAD është një parti më shumë se margjinale.
Fraksioni i dytë i dalë nga Partia Demokratike është një grupim i djathtë-nacionalist dhe me një frymë të fortë antikomuniste.
Ai u udhëhoq nga Petrit Kalakula dhe Abdi Baleta, të cilët në vitin 1994 u larguan nga PD-ja me akuzën se ajo po mbante në radhët e saj njerëz të regjimit komunist dhe nuk po e zgjidhte problemin e pronës.
Fraksioni i tretë ishte ai i të ashtuquajturve “klani i ministrave”, ose ndryshe “karrigethyesit”.
Në vitin 1997, Genc Ruli, Dashamir Shehi, Artan Hoxha, Alfred Serreqi, Bashkim Kopliku etj., formuan “Lëvizjen për Demokraci”, me shpresën se do të mbledhin rreth vetes njerëz të qendrës dhe intelektualë të PD-së.
Por kjo forcë politike e pati fatin shumë të shkurtër, Ruli e Hoxha u afrua me qeverinë duke marrë fonde qeveritare dhe poste. Arben Ahmetaj, që ishte që në kohën e Rulit si drejtor Tatimesh, qëndroi edhe në kohën e Nanos. Po ashtu Neritan Sejamini, një zyrtar i institutit të drejtuar nga Ruli emërohet nga Nano si shef protokolli.
Dashamir Shehi formon më pas Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, për të mbledhur rreth vetes votat e lobit “Tirons” krenda së djathtës, që e përdori për të luajtur politikisht, kryesisht në orbitën e aleancës me PD-në, duke qenë kritik ndaj Sali Berishës. Në vitin 2009, Shehi së bashku me Nard Ndokën dolën në zgjedhje si grupimi i katërt politik në vend, or nuk arritën të futen në Parlament.
Partia më e suksesshme e dalë nga PD-ja ka qenë natyrisht PDr-ja e Genc Pollos.
Këshilltari më i afërt i Sali Berishës, e braktisi shefin e tij në ditën më të keqe për doktorin, kur PD-ja ishte e izoluar totalisht prej pasojave të ngjarjeve të 14 shtatorit 1998.
Në vitin 2000, Genc Pollo me Nard Ndokën, Tritan Shehun, Enno Bozdon dhe disa zyrtarë të tjerë, hyn në zgjedhjet e vitit 2001 me një sigël të ngjashme me partinë mëmë, PD-r, duke fituar vota nga ngjashmëria vizuale në emër por edhe në logo të partisë së madhe.
Partia e Pollos mori 5 deputetë në Kuvend, duke siguruar një marrëveshje me Fatos Nanon, ku shërbeu si valvul sigurese nga përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste. Që do të thotë: votonte për ligjet e qeverisë, kur klani i Ilir Metës e kundërshtonte.
Si shpërblim Nano i dha Pollos poste të “fshehta” në administratë dhe punësime si dhe seli në të gjithë vendin.
Në vitin 2005, Sali Berisha, ishte i detyruar që të vinte në pushtet duke mbledhur të gjitha copat e vjetra të Partisë Demokratike.
Me një marrëveshje të fshehtë ranë dakord që PDr-ja e Pollos do të shkrihej por do të kishte në qeveri dhe administratë një pjesë të përcaktuar të tortës.
Kjo marrëveshje vazhdoi edhe me Lulzim Bashën në vitin 2011 për garën e bashkisë, kur mori Enno Bozdon, njeriun e Pollos si nënkryetar, si edhe në 2013-n kur mori drejtimin e Partisë Demokratike.
Por edhe në 25 qershor, Basha ofroi shumë klanin e Pollos duke rinxjerrë nga pluhuri i vjetër ish-kryetarin formal të PD-së, Tritan Shehun, që e dërgoi si shef liste në qarkun Gjirokastër në vend të “ujkut të jetër” Genc Ruli.
Fraksioni i fundit që doli nga Partia Demokratike ishte Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, e cila u krijua si parti presidenciale sapo themeluesi i saj u largua nga posti i kreut të shtetit.
Në fillim pati mjaft shpresë për këtë parti, së cilës iu bashkëngjitën Aleksandër Biberaj, Afrim Krasniqi etj., por qu larguan shpejt, kur e panë se shtëpia e re është mjaft e ngushtë.
Topi bëri koalicion me Edi Ramën në zgjedhjet lokale të vitit 2015, por megjithëse mori disa vende në pushtetin lokal më 15 qershor nuk arriti sërish të futet në Kuvend.
Lëvizja e re e drejtuar nga Astrit Patozi, ku pritet t’i bashkohen shumë nga ministrat e vjetër të PD-së si Mustafaj, Imami, Ruli, Bode etj., përvijohet si lëvizje brenda partisë dhe bashkë kanë edhe pjesë të rëndësishme nga familja Berisha, si Jamarbër Malltezin, si edhe njerëz të grupit të Shkëlzen Berishës.
Por është e paqartë sesi do të funksionojë një fraksion kur Basha ka shpallur se nuk do ta pranojë zyrtarisht.
A do të kthehet në parti politike në fund? Gjasat janë që kyçi i kësaj lëvizje është Sali Berisha, i cili po mat dhe llogarit lëvizjen e Lulzim Bashës, i cili ka marrë përsipër që bashkë me Edi Ramën të ndryshojnë sistemin politik nëpërmjet reformës kushtetuese dhe zgjedhore. /tesheshi.com/