Zgjedhjet e pritshme në Shqipëri, pritet të jenë historike për një fakt: rënien e mitit “LSI gjithnjë në pushtet”. Partia emblematike e Ilir Metës, që gjithsesi do e gëzojë Presidencën, sipas të gjitha gjasave do bjerë nga kali i pushtetit…
Ilir Meta është sot president i zgjedhur, por vijon të bëjë fushatë elektorale për partinë e tij, LSI, dhe pse në kundërshtim të hapur me atributet që Kushtetuta i mvesh kreut të shtetit, si figurë që përçon unitetin e kombit dhe larg politikës.
Që nga viti 2009 e në vazhdim, Meta është futur në zgjedhje me sigurinë e “fituesit”. Pavarësisht se cila nga partitë e mëdha fitonte shumicën në Kuvend ai kishte me votat e tij garancinë se pa të nuk qeverisej.
Provën e parë e dha në vitin 2009 kur i shpëtoi mandatin e dytë Sali Berishës. PD-ja në atë kohë me 70 deputetë bashkë me aleatët e saj nuk arrinte dot të bënte qeverinë. Mandatet e LSI-së e nxorrën mbi ujë për të vijuar mandatin e dytë që rezultoi dhe katastrofik për nga skandalet që ndodhën, më i madhi prej tyre i atribohet ministrave të LSI-së (videoja e korrupsionit Meta-Prifti).
Pak para zgjedhjeve të 2013-ës, Meta vendosi fituesin e ardhshëm duke ikur nga prehri i Berishës në prehrin e Ramës, i etur për të ardhur në pushtet pas 8 vitesh në opozitë.
Mandati i parë i Ramës me Metën ishte si jeta e Tomit e Xherit, një fasadë bashkëqeverisje me grushte nën brinjë.
Skenari i përjashtuar
Në zgjedhjet 25 qershorit LSI tenton të jetë sërish përcaktues i qeverisjes së ardhshme, por gjasat që PS e PD t’a rikthejnë “djalin plagprishës” sërish në pushtet duken të pakta.
“Mbani mend se ata që u shanë dhe na nxorrën bojën, në 26 qershor në mëngjes nuk do të keni mundësi t’i telefononi Petrit Vasilit për t’i uruar fitoren sepse nuk do t’ju lënë ata.
Ata nuk do t’ju lënë radhë juve sepse do futen në sherr kush të arrijë Vasilin i pari në telefon. Dhe do t’i thonë ‘Petrit vëlla urime, t’i lëmë ato, tani ti e kupton se si është situata e kështu me radhë”,- tha Meta nga Kamza duke tentuar të bindë elektoratin e tij pragmatist që LSI do të jetë sërish në pushtet dhe do të ketë sërish mundësinë e skemës “një votë, një vend pune”.
Por ajo telefonatë me gjasë nuk do të bëhet. Të dyja partitë e mëdha po luftojnë kundër LSI-së në këto zgjedhje.
Rama po kërkon votat për një qeverisje të re me një timon, ku të jetë vetëm ai timonieri; ndërsa Basha po kërkon të rikthejë në PD ato 100 mijë votat që LSI-ja ia mori në zgjedhjet e fundit.
Divorci i Bashës me Metën (që duhet thënë se e tradhëtoi kauzën e çadrës të cilën e frymëzoi dhe e mbështeti që në nisje) duket se është përfundimtar.
Basha e ka pagëzuar LSI-në si një SHPK, e cila sipas tij do falimentojë në zgjedhjet e pritshme.
Po si do të jetë qeverisja e nesërme?
Skenari 1: PS-PD në aleancë bashkëqeverisje
Pas marrëveshjes së madhe të mëngjesit të hershëm të 18 majit ku Edi Rama vendosi të jepte pushtet në tavolinë duke dalë nga takimi me kundërshtarin politik si “miq të orëve të fundit”, një bashkëqeverisje mes tyre pas zgjedhjeve nuk shkakton më habi.
Madje të gjitha shenjat flasin për këtë.
Edhe simbolet elektorale të dy partive duken se kanë pësuar një shkrirje: është hequr dorë nga ngjyrat e partive për ngjyrat e flamurit.
PD përdor flamurin kuq e zi dhe “Republikën e re”, ndërsa PS e sheh veten aq afër të djathtës saqë po përdor simbolin e dy gishtave lart, po ashtu me sfondin kuq e zi të flamurit.
Duke iu qasur elektoratit me ngjyrat e flamurit, ata kërkojnë t’a paraqesin marrëveshjen e tyre si një gjest patriot që i shërben të mirës së përbashkët, Shqipërisë.
Edhe vetë marrëveshja Rama-Basha parashikon një shtrirje pas kësaj date me premtimin për të ndërmarrë bashkë reforma të mëdha që kanë të bëjnë me integrimin europian.
Të gjitha gjasat janë që një bashkëqeverisje e tillë të jetë kërkuar edhe nga ndërkombëtarët.
Të dyja palët nuk e pranojnë publikisht për efekt të fushatës elektorale; por nga ana tjetër po e pohojnë në heshtje si një lloj sigurie që i jepet elektoratit të dy palëve se, si do që të vejë puna, do të jemi të gjithë në pushtet.
Kjo mënyrë fushate tenton t’i pakësojë votat e LSI-së, e cila e ka ngritur kultin e saj politik jo mbi një ideologji politike, por mbi sigurinë e pushtetit, të vendeve të punës për votuesit e saj.
Skenari 2: PS ose PD qeverisin vetëm
Ky është skenari më optimist, por që rrëzohet nga analiza e ftohtë e shifrave. Në ditën e saj më të mirë në vitin 2013, PS mori 66 deputetë, ndërsa sot kërkon të arrijë numrin magjik 71 që të bëjë qeverinë.
Rama po kërkon votat edhe nga LSI duke premtuar qeverisjen me një timon, e në këtë mënyrë po ia vesh dështimet apo mosrealizimin e premtimeve në këtë 4-vjeçar dualizmit në qeverisje.
“Na ka penguar LSI”, duket sikur thonë të gjithë ministrat socialistë në fushatë duke ngritur dhe akuza konkrete për dështimet e ministrisë së rrugëve që drejtohet nga kjo parti, etj..
“Pra, na votoni ne që premtimet të mbahen sepse me dy zotër nuk drejtohet shtëpia”, është ajo që përcillet nga socialistët në fushatë.
Nga ana tjetër, është legjitime që opozita e bashkuar nën siglën e PD-së të kërkojë qeverisje e vetme, por sërish skenari duket më shumë se optimist, pas humbjes së madhe që pësoi 4 vjet më parë dhe dështimeve lokale në zgjedhjet e pjesshme që janë mbajtur që prej 2013-ës.
Skenari 3: PS në qeverisje, reformat i bën me PD-në
Në lojë është dhe një skenar i tretë që e çon sërish ujin tek marrëveshja Rama-Basha, por penalizon LSI-në: nëse PS arrin të fitojë 71 mandate për të qeverisur, ose në rastin tjetër kur nuk i bën dot 71-in por merr deputetët aleatë të PD-së. (Të mos harrojmë që Agron Duka i PAA-së që ka 3 deputetë të sigurtë në lista, është treguar shumë luajal me PS-në; dhe me programin politik të partisë së tij kalimi në qeverisje do të ishte i kuptueshëm).
Në këtë rast sërish dy liderët do t’i qëndronin marrëveshjes për reformat e mëdha: në drejtësi, atë kushtetuese, etj.. dhe të vijonin bashkëpunimin me kërkesën dhe bekimin e Brukselit dhe Uashingtonit për hir të integrimit europian.
Si do që të vejnë punët dhe votat, humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve duket se do të jetë LSI, e cila penalizohet që në hyrje duke qenë vetëm pa koalicion, pasi kodi zgjedhor i minimizon shanset për të nxjerrë shumë deputetë.
Më pas, nëse do të kemi një sistem dy-partiak si ai në SHBA apo do të kemi një koalicion të madh si ai në Gjermani, kjo mbetet për t’u parë. /tesheshi.com/