Qeveria italiane ka pranuar kritika të mëdha pas miratimit të një “dekreti të sigurisë” që synon të frenojë migrimin duke ndëshkuar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në Mesdhe.
Ky ligj u miratua pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura – përfshirë edhe nga Kombet e Bashkuara – se rregullat e reja shkelin të drejtat e refugjatëve dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Dekreti, i cili u mbrojt nga Ministri i Brendshëm djathtist Matteo Salvini, gjithashtu i jep fuqi shtesë Ministrisë së Brendshme për çështjet e emigracionit dhe urdhëron që anijet që “injorojnë ndalimet dhe kufizimet” në ujërat italiane do të konfiskohen.
Kapiteni dhe ekuipazhi mund të goditen me gjoba deri në 50,000 euro për secilin kalim me anije plot me emigrantë.
Reagim ndaj masës kanë shprehur edhe “Mjekët pa Kufij”, një organizatë ndërkombëtare mjekësore që ndihmon në pikat e krizës.
“Ka një detyrim ligjor që shtetet anëtare të BE-së të kenë prioritet jetën e njerëzve, por Italia po tregon pak ndjeshmëri ndaj detyrimeve ndërkombëtare”, u tha në një deklaratë të organizatës.
Masa e prezantuar nga Italia pretendon se nuk ka lidhje me migracionin, por përqendrohet në “rendin dhe sigurinë publike”, duke i dhënë fokus ligjit ku parashihen gjoba deri në 6,000 euro për njerëzit që fshehin fytyrat gjatë demonstratave politike. /tesheshi.com/