Nga Bashkim Kastrati
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur keqqeverisje, ngecje dhe mangësi të shumta në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. Në vazhdim do t’i paraqesim vetëm disa nga ato.
Auditi ka gjetur se Komuna e Podujevës ka shënuar trend negativ në realizimin e të hyrave. Vetëm 1,198,727 euro, apo 64% të planit kishte arritur të realizojë, apo 19% më pak se vitin e kaluar. Gjatë auditimit është vërejtur se në lloje të ndryshme te të hyrave nuk ishin bërë planifikime adekuate dhe nuk ishin marrë masa të mjaftueshme për realizimin e të hyrave.
“Kjo vërehet tek ngecja në mbledhjen e të hyrave nga qiradhëniet, i cili plan ishte përmbushur vetëm 33%, si dhe realizimi i planit për ngarkesat e taksave komunale i cili ishte realizuar vetëm 57%”, thuhet ndër të tjera në raportin e auditit.
Auditi tërheq vërejtjen se planifikimi jo i mirë i të hyrave krahasuar me tendencat paraprake rrezikon ngecjen në realizimin e projekteve të planifikuara nga burimet vetjake dhe mos përmbushjen e objektivave të organizatës. Gjithashtu i rekomandohet kryetarit të komunës, Agim Veliu, se duhet të analizojë arsyet e mos realizimit të hyrave dhe trendin e të hyrave gjatë viteve të fundit dhe në bazë të kësaj të bëj një planifikim objektiv dhe të realizueshëm. Më tej, i njëjti plan duhet të pasohet me aktivitete dhe masa adekuate për zbatim dhe monitorim të planit.
Ngecjet tek të hyrat nga qiraja
Komuna e Podujevës ka ngarkuar me qira mujore personin edhe pse kontrata i ishte ndërprerë, megjithëse i njëjti vazhdon ta shfrytëzon pronën komunale pa kontratë. Sipas raportit të auditit, obligimet e tij ndaj komunës kishin arritur vlerën 12,538 euro.
“Ndërsa në një rast tjetër, edhe pse qiramarrësi ishte i obliguar të paguaj vlerën prej 330€ për qira mujore, ai nuk ka paguar asnjëherë duke u rritur borxhi i tij në 22,110 euro, si dhe të njëjtit nuk i është ndërprerë kontrata dhe vazhdon të shfrytëzojë të njëjtën pronë”, thekson raporti.
Auditi thekson rrezikun se menaxhimi i dobët i kontratave të qirave rezulton në rritjen e të arkëtueshmeve si dhe ka shkaktuar rritjen e papërgjegjshmërisë së qytetarëve të cilët shfrytëzojnë pronat publike në mënyrë të kundërligjshme.
Nga pronat e dhëna me qira, nga 225 qiramarrës, 183 prej tyre nuk kanë kryer asnjë pagesë gjatë vitit 2017, përkundër obligimeve kontraktuale.
“Kryetari, duhet të sigurojë se asnjë pronë publike nuk do të lejohet të shfrytëzohet dhe keqpërdoret pa pagesën e qirave të parapara me kontratë. Duhet të gjenden forma që të merren masa të menjëhershme që detyrojnë obliguesit të respektojnë detyrimet kontraktuale”, i rekomandohet kryetarit Veliu.
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të mandatit të kaluar nuk kanë kthyer fare laptopet
Gjatë auditimit është gjetur se këshilltarët e Kuvendit Komunal të Podujevës për legjislaturën 2014-2017 kishin pranuar laptop me qëllim të ushtrimit të funksionit të tyre. Sipas vendimit të Kuvendit, datë 15/01/2014, të njëjtët pas kalimit të mandatit të tyre duhet t’i dorëzohen komunës.
“Gjithsej 24 këshilltarë komunal nuk i kishin kthyer laptopët, edhe pse e kishin përfunduar mandatin dhe nuk ushtronin më këtë detyrë as në legjislaturën aktuale. Vlera e mbetur e këtyre laptopëve, pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444 euro. Për më tepër, moduli E-pasuria nuk përdoret fare nga sektori i shëndetësisë”, thuhet në raport.
Raporti në fjalë gjithashtu thekson se komuna nuk ka arritur të përditësojë regjistrin e tatimpaguesve. Komuna në sistemin e tatimit në pronë ka të regjistruara 28,573 prona derisa në bazë të raportit për shpërndarjen e faturave tek tatimpaguesit del se janë vetëm 18,723 sosh. Sipas komunës dhe nga testimi i mostrave tona kemi vërejtur se në sistem ka të dhëna të dyfishuara dhe jo të plota të cilat bëjnë që të duket numër më i madh i tatimpaguesve.
“Komuna nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme. Nga gjithsej 28,573 prona deri më tani komuna ka arrit të verifikojë vetëm rreth 2,598 sosh. Sipas zyrtarëve verifikimi i 1/3 së pronave është një gjë e pamundur për shkak të numrit të vogël të stafit”, është e gjetura e radhës e auditit.
Duke e marrë parasysh këtë situatë, auditi tërheq vërejtjen se mos përditësimi i të dhënave që lidhet edhe me verifikimin e 1/3 të pronave mund të rezultojë me mangësinë e informatave të plota të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që të hyrat e vlerësuara për tatimin në pronë të ulen.
Gjithashtu keqpërdorime janë gjetur tek ndarja e subvencioneve. Te ftesa publike për përkrahjen e fermerëve me sistemin e ujitjes pikë-pikë, komuna kishte vendosur kriter që fermerët të cilët ishin përfitues të mëhershëm të subvencionit të mos përfitojnë edhe subvencionin e dytë.
“Ndërkohë që në rastin e testuar i njëjti person paraprakisht kishte fituar një projekte për serë si dhe ishte përfitues edhe i projektit për sistemin e ujitjes”, thuhet në raportin e auditit.
Sa i përket punësimit me kontrata mbi vepër, auditi ka gjetur se komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 23 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.
“Në 10 rastet e rishikuara kemi vërejtur se zyrtarët ishin angazhuar në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj. Përveç tjerash dy prej tyre ishin duke kryer aktivitetet që nga viti 2010. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si konsulent, zyrtarë për bujqësi, përkthime, digjitalizim të rrugëve, roje, pastruese, etj”, theksohet në raport.
Auditi paralajmëron rrezikun se mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor.
Në lidhje me këtë çështje i rekomandohet kryetarit të komunës se duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike dhe angazhimet për këto shërbime nuk duhet të zgjasin më shumë se gashtë muaj. /tesheshi.com/