Udhëtimet dhe pushimet janë gjithnjë e më të shtrenjta këto ditë, por kjo nuk i ndalon shumë turistë të habiten përsëri e përsëri kur marrin një faturë tronditëse në destinacionet e njohura. Një shembull i tillë vjen nga ishulli grek i Mykonos, ku paralajmërimet janë lëshuar prej vitesh për “kurthin turistik” restorantin DK Oyster, i vendosur në plazhin Platis Gialos.
Rrjetet sociale dhe TripAdvisor janë të mbushura me dëshmi të klientëve të mashtruar që mbetën pa qindra, madje mijëra euro për disa pjata dhe pije.
Një mysafire, Jessica L, la një paralajmërim në TripAdvisor për këdo që planifikonte të vizitonte Mykonos-in, duke deklaruar se ata “paguan 350 euro për një peshk të tërë, dhe për një total prej tre pjatash – një shumë e pabesueshme prej 1000 eurosh”. Siç shtoi ajo, edhe në një restorant të njohur, një nga më të shtrenjtët në ishull, ajo nuk pagoi çmime të tilla për një darkë për pesë persona me një meze, pjatë kryesore dhe ëmbëlsirë.
Një tjetër mysafire, Sue, e quajti restorantin një “mashtrim tronditës“, duke pretenduar se asaj iu ngarkua edhe për pijet që nuk i porositi. “Kamerieri solli një pije shtesë si ‘dhuratë’, e cila përfundoi në faturë. Ne paguam 400 euro për disa pije alkoolike dhe joalkoolike, përfshirë 35 euro për Coca-Cola,” shkroi ajo.
Në shumë vlerësime të tjera, përdoruesit ankohen se kanë paguar deri në 5 euro për keçap, ndërsa birra mund të kushtojë deri në 35 euro. Një çift vitin e kaluar madje mendoi të telefononte policinë pasi pagoi afër 600 euro për dy porcione makarona dhe pije frutash, nga të cilat më shumë se 100 euro ishin bakshish.
Taktikat e restorantit, pretendojnë përdoruesit, përfshijnë “shezlongje falas” me kusht që të porosisni një pije, e cila më pas ngarkohet me një shumë astronomike.
Pavarësisht paralajmërimeve të shumta dhe më shumë se 1,000 vlerësimeve negative, restoranti DK Oyster është ende në biznes, dhe turistët e painformuar vazhdojnë të bien në kurthin e “kënaqësisë falas pranë detit”, shkruan LADBible.