Vizita historike e Barack Obama-s në Kubë ka paraparë në axhendë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun kubanez, Raul Castro-n. Konferencë e cila ka patur dhe tension, posaçërisht në temën e të drejtave të njeriut.
“Amerika beson në demokracinë. Ne besojmë se liria e fjalës, liria e mbledhjes dhe liria e fesë nuk janë vetëm vlera amerikane, por janë vlera universale,” ka thënë mes të tjerash Obama në fjalën e tij.
“Ne i mbrojmë të drejtat njerëzore. Në vështrimin tonë, të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore janë të pandashme, të ndërvarura dhe universale,” është përgjigjur Castro.
Presidenti kuban është ndjerë më i bezdisur kur është pyetur mbi të burgosurit politikë, “Më jepni një listë të të burgosurve politikë, dhe unë do t‘i liroj menjëherë. Vetëm thoni listën. Çfarë të burgosurish politikë?”
Obama ka nënvizuar po ashtu: “Fati i Kubës nuk do të vendoset nga SHBA-të apo nga ndonjë vend tjetër. E ardhmja e Kubës do të vendoset nga kubanët, nga askush tjetër.”
Raul Castro i ka cilësuar pozitive hapat e presidentit amerikan në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve, por ka kërkuar heqjen e embargos tregtare amerikane. “Kjo është thelbësore, sepse bllokada është aty, dhe përmban elementë shkurajues.”
Presidenti amerikan iu përgjigj kërkesës duke e bërë të qartë se mbargoja do të hiqet, por pa dhënë një datë të caktuar. /tesheshi.com/