Nga Bashkim Kastrati
Papunësia vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha socio-ekomomike për qytetarët e Kosovës. Niveli i papunësisë determinon edhe nivelin e varfërisë në vend. Por ky nuk është problemi i vetëm në këtë aspekt, pasi që shumë shqetësuese është përgatitja arsimore-profesionale e të papunëve. Në tregun e Kosovës ka të papunë që e kanë kryer vetëm shkollimin e mesëm, e që nuk janë të gatshëm për tregun profesional të punës, në anën tjetër ka edhe të graduar me nivelin e studimeve bachelor dhe master, por që nuk kanë arritur që të përgatiten në aspektin praktik të profesionit të tyre. Pra në drejtimet profesionale, studentët kanë mbetur vetëm në nivelin e mësimeve teorike.
“Teori bëjmë të gjithë i dashur Tak, por praktika, praktika…”, thoshte mjeshtri i shahut Ilo Pinci në filmin “ Dy herë mat”.
E pikërisht praktika mungon në sistemin arsimor në Kosovë për shumë profesione. Duke e marrë parasysh këtë situatë, kompanitë që operojnë në Kosovë e kanë të vështirë që të gjejnë kuadro të gatshme profesionale për punë të caktuara.
Për këtë çështje Instituti GAP ka bërë një hulumtim për të parë nivelin e përgatitjes profesionale të studentëve, gatishmërinë e tyre profesionale dhe praktike për tregun e punës si dhe vështirësitë që kanë kompanitë për të gjetur kuadro të përgatitura.
Sipas këtij hulumtimi, kompanitë në industritë e shërbimeve hasin në vështirësi për të gjetur punëtorë me aftësi të buta, me njohje të gjuhëve të huaja, me kreativitet, me aftësi analitike e vet-iniciuese. Për aftësitë e duhura për kryerjen e detyrave për një pozitë, më së shumti konsiderohet të jenë mësuar si kombinim i shkollimit dhe punës apo të jenë përforcuar gjatë punës, por vetëm 16.7% të rasteve apo vetëm për disa detyra të pozitave nga total 24 konsiderohet se aftësitë për kryerjen e detyrave për pozitat e përzgjedhura janë mësuar në shkollë.
Në të njëjtën kohë, 81.5% prej tyre ofrojnë trajnime për të rritur kompetencat dhe produktivitetin e punëtorëve si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve. Megjithatë në të gjitha rastet trajnimet kanë qenë të brendshme apo të jashtme duke kontraktuar biznese apo ekspertë privatë.
“Rezultatet e anketës tonë tregojnë se 92.6% e bizneseve të anketuara kanë punësuar punëtorë të rinj në periudhën e fundit tre vjeçare, prej të cilave 82.1% kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar. Prej tyre, 53% kanë pohuar se kjo i ka detyruar të punësojnë punëtorë më pak të kualifikuar për të plotësuar pozitat e punës dhe po ashtu 57.1% kanë pohuar se kjo ka penguar zhvillimin e shërbimeve të reja të kompanisë dhe dhe 42.1% kanë pohuar uljen e produktivitetit ndër të tjera”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas këtij hulumtimi, aftësitë e buta dhe të transferueshme janë ato aftësi që i gjejmë në pothuajse secilin konkurs të punës. Këto aftësi janë të domosdoshme për një treg të punës dinamik i cili kërkon që tërë punëtorët të jenë në hap me kohën dhe të jenë të gatshëm për ndryshime dhe zhvillim të kompetencave.
“Sa i përket shkallës së vështirësisë së gjetjes së punëtorëve me aftësi të buta dhe të transferueshme, 63% kanë hasur shumë në vështirësi të gjejnë punëtorë me kreativitet, 60.7% me aftësi për zgjidhjen e problemeve, 33.3% me aftësi komunikimi, 10.76% me aftësi kompjuterike, 21.4% me aftësi për t’u përshtatur në punë ekipore, dhe 7.1% kanë hasur shumë në vështirësi të gjejnë punëtorë me njohje të gjuhës angleze. Edhe pse disa nga këto përqindje tregojnë që situata nuk është edhe aq keq për gjetjen e punëtorëve me aftësi kompjuterike apo njohje të gjuhës angleze, një përqindje e lartë e të anketuarve kanë pohuar të kenë pasur pak vështirësi në gjetjen e punëtorëve me këto aftësi të cilat janë kusht për të kryer shumicën e punëve në sektorin e shërbimeve”, thuhet në raportin e GAP.
Kompanitë detyrohen t’i trajnojnë të rekrutuarit në punë
Sa i përket vështirësisë së gjetjes së punëtorëve me diploma, 26% e punëdhënësve e kanë shumë të vështirë të gjejnë punëtorë me diploma profesionale apo certifikata nga trajnimet. Në këtë lloj kualifikimi janë grupuar të gjitha format e diplomave profesionale të cilat kanë lënë të nënkuptohen edhe specializimet profesionale posdiplomike edhe shkollat e mesme profesionale.
Kjo reflektohet tek përgjigja e radhës kur flasim për pozitat që kërkojnë diplomat e shkollës së mesme ku vërehet se vetëm 4% e kanë shumë të vështirë të gjejnë punëtorë me këtë kualifikim. Sa i përket nivelit bachelor 4% e punëdhënësve e kanë shumë vështirë të gjejnë punëtorë të kualifikuar me bachelor, gjegjësisht 12% me master. Ndërkaq, 48% e punëdhënësve e kanë shumë të vështirë të gjejnë dikë të përshtatshëm me diplomë doktorature.
“Janë 81.5% e kompanive të cilët kanë pohuar se ofrojnë trajnime për punëtorët e tyre duke radhitur si arsyet kryesore për ofrimin e trajnimeve rritjen e cilësisë së produkteve apo shërbimeve (73.1%), rritjen e produktivitetit të punëtorëve (50%), rritjen e konkurrencës në treg si dhe zhvillimin personal dhe profesional të punëtorëve (46.2%)”, thekson raporti.
Duke marrë parasysh të gjeturat nga ky anketim, Instituti GAP rekomandon që të bëhen hulumtime të gjera në nivel qendror për të kuptuar se në cilët sektorë ka më së shumti mungesa dhe të krijohen programet të cilat do të prodhonin kuadrot e nevojshme duke inkuadruar sektorin privat në hartimin e politikave të edukimit.
Të rriten kapacitetet e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur për transferimin e të dhënave dhe praktikave të mira në 65 shkollat e tjera profesionale përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm në mënyrë që tjetërsimi dhe modernizimi i shkollave të bëhet shpejtë dhe saktë. Po ashtu, meqenëse rezultatet e të diplomuarve nga qendrat e kompetencës tregojnë se shumica e të punësuarve punojnë jashtë profesionit, të ritrajnohen mësimdhënësit dhe të ndryshohen apo përshtaten kurrikulumet e profileve arsimore nga këto qendra
Të shfrytëzohen të dhënat e portaleve të punës në Kosovë për të kuptuar kërkesat për aftësitë gjatë rekrutimit për çdo vit në mënyrë që edhe politikbërësit t’i kenë parasysh për investim më të madh në ato programe si dhe edhe të interesuarit për punë të mund të trajnohen për përfitimin e atyre aftësive.
Sipas shënimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit, numri i institucioneve arsimore publike në Kosovë është gjithsej 1,114, përfshirë këtu 43 institucione të nivelit parashkollor, 946 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, 119 shkolla të mesme të larta dhe 6 shkolla speciale.
Ndryshe, ky hulumtim i Institutit GAP ka përfshirë një pasqyrë të shkurtër të arsimit në Kosovë me fokus të veçantë në arsimin profesional në nivel të shkollave të mesme të larta dhe trajnimeve profesionale. Hulumtimi përfshin një anketë të realizuar me 28 biznese në industrinë e shërbimeve. /tesheshi.com/