Për qeverinë amerikane bëhet fjalë për një komplet të plotë faktesh: sulmi terrorist në Kaliforni që vrau 14 persona, një iPhone që me gjasa përmban të dhëna kyçe, por që nuk hapen, dhe një urdhër për të kontrolluar telefonin.
Përmbajtja e telefonit nuk mund të mësohet për shkak se është e koduar dhe Apple, sipas departamentit të Drejtësisë ka refuzuar të ndihmojë FBI-në të gjejë një mënyrë për të zhbllokuar telefonin,. Qeveria pas kësaj ka marrë urdhër gjykate për ta detyruar Apple të bashkëpunojë.
Në një mesazh të postuar që tingëllonte shumë i rëndë, shefi i Apple, Tim Cook akuzoi qeverinë se po kërkon të ndërtojë “derë të pasme” drejt telefonave iPhone dhe se kërkon të dizenjojë programe që mund të shërbejnë për hakerimin e përdoruesve të kompanisë.
Apple argumenton se duke nisur nga orët e para pas sulmit të 2 Dhejtorit ka punuar me FBI-në për ta pajisur me të dhëna që ishin në dispozicion të kompanisë. Por, Apple nuk dëshiron që të bëjë ndonjë gjë që thuhet se mund të dobësojë sigurinë e telefonit, sit ë krijojë programe që efektivisht mund të lejojnë zyrtarët të thyejnë fjalëkalimin e telefonit.
Çdokush që ka vëzhguar nga afër debatin për çkodimin përgjatë një viti e gjysmë, e dinte se kjo ditë do të vinte. “Eshtë rasti ideal për qeverinë që të sfidojë industrinë me anë të këtij debate për çkodimin e të dhënave”, thonë ekspertët juridikë. Kjo, pasi faktet janë në krah të qeverisë dhe përfaqësojnë shembullin më të qartë të nevojës së qeverisë për të pasur akses në të dhëna të koduara në mënyrë që të mbrojnë publikun amerikan.
Telefoni një iPhone 5C ishte përdorur nga Syed Rizwan Farook, i cili së bashku me gruan e tij, Tashfeen Malik, hapën zjarr në san Bernandino.
Ajo që qeveria kërkon nga Apple është të dizenjojë një program për ta instaluar në telefon e që do ta bllokonte atë në fshirjen automatike të të dhënave pas 10 përpjekjeve të pasuksesshme për t’i gjetur fjalëkalimin. Kjo do të bënte që FBI të gjente “me forcë” fjalëkalimin duke u përpjekur me dhjetëra milionë herë me kombinime por pa rrezikuar fshirjen e të dhënave.
Qeveria kërkon gjithashtu leje për FBI-në të dërgojë fjalëkalime në telefon në mënyrë elektronike, e jo manuale që do të thotë se dikush duhet t’i shtypë në tastierë. Dhe programi duhet të ndalojë telefonin që të shkaktojë vonesa pas çdo përpjekjeje.
Ekspertët teknikë thonë se e gjitha kjo është e mundshme, por problem shtrohet nëse është e dëshirueshme?
Në shënimin “Mesazh klientëve tanë”, postuar në faqen e Apple, Cook thotë: “Mos bëni gabim: ndërtimi i një version që tejkalon sigurinë në këtë mënyrë, do të krijonte padyshim një derë të pasme”. Edhe pse zyrtarët thonë se programi do të përdoret vetëm për një telefon, ai thotë se “pasi të krijohet, teknika mund të përdoret sërish e sërish, në një numër të madh telefonash”.
Cook thotë se kjo përbën një precedent të rrezikshëm.
Polarizimi i debatit mund të shihet edhe në përdorimin e termit “derë e pasme” për të cilën Cook akuzon qeverinë. Termi në vetvete është i padetajuar dhe mund të kuptohet në të gjitha mënyrat për të thënë kur dikush kërkon një rrugë tjetër nga e drejta apo që kërkon të dobësojë sigurinë. Qeveria e mohon me forcë termin për të përshkruar kërkesën e saj.
Shtëpia e Bardhë hynë në debat duke nxitur Apple dhe e kritikuan atë për kornizimin e argumenteve. “Ky rast nuk kërkon që Apple të krijojë një derë të pasme të re”, tha sekretari i Shtypit, Josh Earnest.
“Eshtë një kërkesë shumë specifike që departamenti i Drejtësisë ka bërë dhe me të cilën bashkohet edhe një gjykatës”.
Por, tashmë që argumentet parimore janë thënë, mbeten vetëm procedurat ligjore për të kundërshtuar. Pas ultimatumit të dhënë nga urdhëri i gjykatës, Apple është zotuar të luftojë deri në fund. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/