Mbrëmë ishte radha e deputetit socialist, Taluant Balla që të shprehet në ‘Shih Programin’, para gazetarit Enkel Demi. Ai ceku disa çështje të mprehta të aktualitetit politik, mes tyre dhe librin e radhës së kolegut Blushi.
Kur bën politikanin, mos bëj historianin
Ata që shajnë draftin e reformës në drejtësi ia fusin kot
Nuk është dramë rënia e të ardhurave
Kriza e refugjatëve duhet menaxhuar në Turqi
PD është bërë si Komisioni i Prokurimeve Publike
Ligji elektoral vetëm në bashkëpunim me LSI dhe PDIU
Kanë ardhur në Tiranë ekpertët e Komisonit të Venecias. Jemi afër mbylljes së reformës në drejtësi?
Besoj që grupi i ekspertëve që asisitoi komisionin e posaçëm parlamentar të drejtuar nga Xhafaj ka bërë një punë të shkëlqyer, e cila pritet të marrë vlerësimin e Komisonit të Venecias dhe më pas të fillojmë me punën parlamentare që nënkupton kalimin procedural të ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugën të gjitha ndryshimeve të tjera ligjore. Reforma në drejtësi nuk është thjesht dhe vetëm një reformë kushtetuese, por është një refomë shumëplanëshe që lidhet me shumë ligje strukturore, më pas të të gjitha pushteteve brenda pushtetit të madh gjyqësor. Po të kemi parasysh bëhet fjalë për dy detaje shumë të rëndësishme: ndryshimi i rolit të Presidentit në kuadër të KLD-së dhe ndryshimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Por, këto janë hapa të mëpasëm. E rëndësishme është që duhet një vullnet politik dhe nga ana e opozitës, edhe për atë që lidhen me ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojne 2/3 e votave të Kuvendit, të cilat shumica nuk i ka. Unë shpresoj dhe besoj ende se ka një pjesë të opozitës në PD dhe jo vetëm që duhet ta mbështesin reformën në drejtësi përmes ndryshimeve kushtetuese. Drafti i përgatitur nuk është një draft që e ka përgatitur PS-ja, por është një draft që e kanë përgatitur ekspertët më të mirë të ofruar nga BE dhe SHBA. Ata opozitarë që mundohen të hedhin baltë mbi punën e bërë apo për etikitimin e kësaj reforme si një reformë e bërë nga mazhoranca aktuale, ia fut kot.
Kush e shan këtë draft do të thotë se nuk e ka lexuar, sepse po ta lexosh e kupton që është ilaçi dhe kura më e mirë e këtij sitemi që sot është tërësisht i kapur nga hajdutë, të korruptuar, nga ata që nxjerrin jashtë hekurave kriminelët. E përveç kësaj nëse duam që Shqipëria të eci përpara në procesin e integrimit duhet domosdoshmërisht të mbyllim reformën në drejtësi, e cila e dimë se nuk mund të mbyllet në një kohë të shkurtër, por të paktën e dimë se kemi gjetur çelësat për një proces kushtetues shumë të rëndësishme të kësaj reforme.
Në një intervistë të javës që shkoi Basha thotë se me këtë reformë politika po i fut duart drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë. E thënë kjo nga Basha i bie që konsensuesi të jetë i vështirë apo jo?
Lulzim Basha e njeh mirë drejtësinë e këtij vendit.
Si e njeh nuk ka qenë as prokuror, as gjykatës?
Jo, por ai është një njeri që ka patur shumë punë me drejtësinë dhe ka akoma shumë punë me drejtësinë. Është njeri që i ka shpëtuar drejtësisë vetëm me procedura dhe me raporte mjeksore, një njëri që kur e thërriste prokuroria thoshte o jam jashtë shtetit, o jam sëmurë dhe ai e di fare mirë, se për shkak të këtyre defiçiteve që ka drejtësia është i pa dënuar. I padënuar ende, sepse nëse këtu do të kishte drejtësi, ai nuk do të kishte arritur dot të mbyllte një dosje si ajo e Durrës-Kukës apo vrasjeve të 21 janarit, ose për lejet e ndërtimit. Unë e di se Lulëzim Basha si i biri politik i Sali Berishës nuk mund të dalë hapur të mbështesë reformën në drejtësi, sepse Berisha, kryetari de facto i PD-së nuk ka interes që të bëhet reforma në drejtësi.
Nëse kjo reformë do të ngelet tek vendimarrja e Sali Berishës unë ju them se nuk do të ketë reformë në drejtësi. Kjo, sepse po të shohim sesi ka ecur strukturimi i pushtetit gjyqësor gjatë pushtetit të Sali Berishës e dimë të gjithë mirë që ai u mundua që gjatë gjithë tetë vjeçarit të qeverisjes të blindonte në pushtetin gjyqësor njerëzit e tij të besuar. Edhe kur zgjodhi Presidentin e Republikës gjeti një njeri që i rrinte lepe-peqe. Doli i dështuar me Bamir Topin, ndaj i duhej një President i besuar që kur ta merrte në telefon të thotë: “Si urdhëron doktor..”. Ju i mbani mend emrat që shkonin për antarë të KLD-së, ishin o të besuarit e Berishës, o të besuarit e Topallit. Tani këta që e kanë kapur sistemin, këta nuk duan që ky sistem të ndryshojë.
Më the në krye të bisedës që duhen edhe votat e opozitës për ta miratuar reformën në drejtësi. Mendon që PD-ja është kaq demokratike sa nëse Basha e Berisha nuk e duan, të tjerët të votojnë pro?
Tani, unë nuk kam ardhur këtu që të them se kush janë njerëzit që mund ta mbështesin këtë reformë brenda PD-së, por po përdor ekranin publik për të bërë thirrje se kjo reformë nuk po bëhet se e do PS apo shumica, por bëhet se e do ky vend, sepse është shenja që partnerët ndërkombëtarë presin për të na kaluar në fazën tjetër të integrimit, siç është hapja e negociatave. Pa reformë në drejtësi nuk ka hapje negociatash. Këtë e di edhe Berisha edhe biri i tij në PD. Problemi është këta të dy nuk kanë mend për këtë punë. Tani, që PD duhet të dalë përtej Saliut dhe Lulit dhe të gjejë arsyetimin korrekt europeist kjo dihet.
Pra, jeni në negociata?
Jo, por dihet që kur ndryshimet kushtetuese të paraqiten në Kuvendin e Shqipërisë duhen 94 vota. Partnerët tanë ndërkombëtar i kërkojnë përditë dhe PD-së që të mbështesë reformën. Por, unë ripërsëris që personalisht nuk pres që Berisha ta mbështesë këtë reformë.
Ju jeni prej më shumë se një dekadë ligjvënës dhe dini si sillen deputetët, ata nuk funksionojnë me apele, por me negociata? Jeni në negociata me ta?
Jo, jo absolutisht. Keni parasysh që procesi është në fazën e këshillimit të procesit nga ana e Komisonit të Venecias, për të cilin të paktën këtu mos ta dredhin ata, kemi rënë dakord të dyja palët. Në konferencën e kryetarëve kemi rënë dakord të dyja palët që të presim vlerësimin e Komisionit të Venecias, por të dëgjosh përfaqësues të tyre që thonë se do të çojmë draftin, apo komisonin përgatitor në komision hetimor këta pastaj nuk janë më qesharakë, janë për të ndenjur në stola parqesh si këtu tek ty dhe jo në karrige Parlamenti.
Referendumi mbetet opsion nëse nuk arrini 94 vota?
Është procedurë kushtetuese. Në qoftë se keni parasysh edhe kjo Kushtetutë që kemi sot ka kaluar nëpërmjet një referendumi, pasi edhe atëherë u bllokua nga Sali Berisha, i cili nuk e votoi. Populli na bëri me Kushtetutë.
LSI, nëpërmjet Petrit Vasilit deklaroi sot se nuk është pro referendumit, por pro zgjidhjes në Kuvend…
Kjo është një mënyrë sesi gjërat mund t’i bësh me konsensualitet. Edhe unë jam në të njëjtën linjë, do të dëshiroja që kjo çështje të kalonte përmes mekanizmave konsensual parlamentarë, por unë e di që ka shumë deputetë në PD që kontrollohen nga Berisha që nuk do t’i lejojë të votojnë këtë reformë, sepse i pari që do të ketë më pas problem do të jetë pikërisht Berisha, ndaj derisa ka problem me drejtësinë si mund ta pranojë këtë reformë?! E dimë se nuk mund të ketë një reformë me ta, por këto kohë jo vetëm ne, por edhe ndërkomëbëtarët po dërgojnë apele të vazhdueshme në selinë blu për nevojën e kryerjes së kësaj reforme, si vitale për këtë vend.
Duket sikur për dekriminalizimin jeni shumë afër. Ka mbetur vetëm kjo puna e testit të drogës. Prapë ndërkombëtarët do të ndërhyjnë. Si të varur jemi prej tyre?
Do isha hipokrit po t’ju thoja të kundërtën. Në vendimarrjet e rëndësishme faktori ndërkombëtar përgjatë këtyre 24 viteve ka qenë shuëm i rëndësishëm. Duhet kuptuar një gjë. Nuk ka mazhoranca jonë merak tek testi i drogës, por ne nuk duam ta bëjmë këtë proces qesharak. Jo vetëm në asnjë vend të Europës, por as në Kolumbi nuk është kjo çështja e testit të drogës. Imagjinoni vetëm një gjë. Ditën që Kuvendi do të miratonte këtë të gjithë mediat e botës CNN, BBC, do të shkruanin se politikanët shqiptarë po i nënshtrohen këtij testi.
Ky është provokim i një procesi shumë serioz. Kjo është si të thuash hajde ta bëjmë qesharake një gjë që është shumë serioze, me qëllimin e vetëm që të mos bëhet kjo që është serioze. Por, ama të jesh i bindur që edhe ditën që do ta kemi superuar këtë çështje do të dalë një nga opozita që është aty tek rreshti i dytë dhe do të thotë se duhet të shtojmë edhe testin e kolonës vertebrale. Në gjitë këto vite opozita ka një problem shumë të madh, nuk ka gjetur një kauzë që të luftojë.
Dekriminalizimi është kauzë shumë e mirë…
Nëse ata duan realisht ta zgjidhin këtë çështje, kjo zgjidhet qysh sot. Mblidhet komisioni i posaçëm, shyrtohen draftet siç është rënë dakord, çohen tek Komisioni i Venecias. Po nuk duan, sepse po ta zgjidhin këtë kauzë ngelen pa kauzë, prandaj iu intereson ta mbajnë varur.
Vë re që ke ligjërim shumë të ashpër…
Në një vend ku problemet janë të ashpra edhe ligjërimi duhet të jetë i ashpër. Unë them ato që mendoj dhe reagoj ashtu siç e ndjej. Është e vërtetë që në Kuvendin e Shëipërisë kam një reagim të ashpër për çështje që lidhen me korrupsionin. Kur shoh që njerëz që kanë bërë dëme të mëdha me korrupsionin në këtë vend si Berisha apo të tjerë që nga njerëz shumë të akuzuar dhe që ende nuk kanë vetëdijen e të dhënit llogari politikisht, moralisht dhe ligjerisht, si mund të mos reagosh ashpër kur këta për shkak të dredhive, të sekserëve e gjyqtarëve nuk hetohen vetë dhe sot të ngrenë gishtin. Humbja e zgjedhjeve nuk është amnisti. Sovrani nuk të jep të drejtën që nga i akuzuar të kthehesh në akuzues.
I bie që vetëm opozita është e korruptuar dhe në shkelje të ligjit? Përse nuk e keni këtë ton me rastet e qeverisë?
E ke gabim. Merre seancën e fundit të Parlamentit. I jam drejtuar shumë ashpër një ministreje që filloi të akuzonte paraardhësin e saj për shkelje, por paraardhësin nuk e kishte çuar në prokurori.
Këtu po po flitet për tendera çdo ditë, flitet për trafikun e drogës. Për këto keni reaguar?
Unë kur kam qenë në opozitë jam paraqitur në dyert e Prokurorisë mbi 130 herë, për çdo çështje që ngreja në Kuvend. I hapte ai i mbyllte akuza hetimet ishte çështje e saj, por të paktën unë çoja çfarë kisha. Ua them shpesh kolegëe të opozitës që nëse kanë akuza t’i çojnë në Prokurori. Ditët e fundit kam parë një sjellje klienteliste në kulm. Ka filluar opozita ankohet për disa tendera publik duke thënë pse e merr firma filan dhe nuk e merr firma fistek. Është bërë opozita si komisoni i prokurimeve publike, ku firma që janë miq të PD-së shkojnë aty dhe thonë bjeri aksh kompanie se më mori tenderin.
Nuk është roli i opozitës që të përcaktojë se kush duhet të fitojë tenderin. Kur isha në opozitë pjesa më e bukur ishte monitorimi i qeverisjes. Kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me njerëz që vinin dhe denonconin akte korruptive të ish-zyrtarëve të caktuar. Unë i them sot çdo qytetari që të vijë e të denoncojë, të vijë të më tregojë se cili zyrtar i kërkon para apo një favor të vijë të denoncojë. Por, është krejt e papranueshme që kur tenderin e fiton ndonjë firmë pranë Saliut, tenderi është i rregullt, në të kundërt jo.
Pra më e keqja është opozita në gjithë këtë histori?
Jo, jo, por opozita nuk bën detyrën. Do t’i bësh të keqen një vendi? Lëre pa opozitë. Dhe këta e kanë lënë vendin pa opozitë. Nuk ke një njeri tek PD që të shkosh dhe të bësh një marrëveshje për mbarëvajtjen e komisoneve parlamentare, sepse o nuk i lë Luli ose nuk i lë Berisha.
Opozita dhe media ju kanë akuzuar që keni marrë para për punësimet në administratë. Ke një koment?
E para është që nëse një e një milionta e një akuze të tillë të ishte e vërtetë jo s’do isha këtu, por do kisha dorëzuar mandatin dhe nuk do të merresha më me këtë punë. Ka edhe një moral kjo punë, nuk mund të akuzosh të tjerët, nëse nuk je i pastër vetë. Të paktën unë kështu e kam kuptuar këtë histori. Është e vërtetë që në një portal ka dalë një listë, e cila është e para dy vjetëve, ku janë publikuar disa të dhëna që nuk janë të vërteta. E para lista është e manipuluar, sepse ky portali i bën gjërat personale me individë të caktuar. Para se të hynte në fuqi ligji i nëpunësit civil janë rektrutuar në adminsitratë një numër shumë i vogël i njerëzve që vinin nga mazhoranca, por këta janë shumë pak as 2 % dhe sigurisht që ka patur një proces përzgjedhjeje.
Ne për fat të keq jemi në borxh me socialsitët, sepse nuk e bëmë administratën strehë të tyre. Emrat që janë në atë listë tek pjesa politke janë antarë të PS-së apo LSI-së, por jashtë pjesës së administratës publike. Sot, nuk ndërhyn dot jo një deputet në një konkurs të DAP po as kryeministri. Në fazën e parë kemi patur një strukturë e cila koordinonte koalicionin dhe që bënte le të themi vetëm këtë pjesë të vogël të emërimeve që ishin poste politike, jo administrative. Këtë strukturë e kam kordinuar unë, por këta gjërat që i bëjnë vetë ose i mendojnë vetë mundohen të na i hedhin ne. I vetmi që nuk ka as burrninë dhe as peshën që të bëjë akuza të tilla ndaj meje është Lulëzim Basha. Si mund të dalë ai në televizor dhe të thotë se unë jam imun ndaj korrupsionit, meqë kam 1 milion euro pasuri. Burrë më qesharak se ky nuk ka. Ai e drejton partinë deri të enjten se në fundjavë është në Hollandë.
Këta thonë se ju keni marrë para…
Nuk ka asnjë rast. Po të dalë një që të thotë se ka paguar mbaj unë përgjegjësi deri në fund.
Teksa ndërtoja intervistën vendosa në google emrin tuaj dhe gjeta replika pafund me Berishen, Lulin. E ke personale?
Ti lëviz nëpër Tiranë. Si mendon që qytetarët shqiptarë janë të kënaqur që Berisha nuk është akoma para drejtsisë? Debati politik me ata që janë të padënuar ende do të vazhdojë të jetë po kaq i ashpër sa kohë drejtësia nuk do të bëjë punën e saj. Kur Berisha e Basha të hetohen për Gërdecin, 21 janarin , për shitjen e detit, lejet e ndërtimit, vetem ateherë ligjërimi do të ndryshojë.
Ke bërë një lloj bilanci për emigrantët e zonës tuaj që kanë kërkuar azil në Gjermani a gjetkë?
Kryesisht kanë qenë familje të vendosura në Greqi dhe për shkak të krizës greke, në këmbim të kthimit në Shqipëri kanë zgjedhur që të shkojnë në Gjermani apo gjetkë.
Sa përqind e popullsisë janë?
Unë e kam studiuar me themel këtë çështje. Nga 38 mijë që janë nga gjithë Shqipëria deri me 31 gusht 2015, numri i atyre që janë nga Librazhdi është shumë i vogël, rreth 234.
Nga këta pjesa më e madhe kanë shkuar nga Greqia?
Unë po flas me të dhënat që kam, se tani azilkërkimi ka rënë. Unë përsëris thirrjen se nuk është kjo mënyra sesi mund të shkohet në Gjermani. Unë kam bërë aktivitete dhe me ambasadorin gjerman dhe kemi thënë shpesh se mund të shkohet për të punuar në këtë vend fjala vjen si infermier a infermere, për të cilët ky vend ka nevojë, por paraqitja për azil ekonomik apo politik është e pavlerë. Është një humbje kohe, një harxhim financash kot. Shqipëria pret të marrë çeljen e negociatave për anëtarësim, ndaj nuk mund të përfitojnë qytetarët tanë. Për ata që kthehen duhet të ketë disa iniciativa sociale, ndaj jemi në komunikim me Ministrinë e Punës për t’iu siguruar një mundësi më shumë të rikthyerëve.
A e keni një përfundim përse u larguan kaq masivisht njerëzit?
Ka një gjë, së pari kjo nuk lindi në Shqipëri. Kjo lindi se u kthye në një lloj rryme në një pjesë të Europës, ku vala e fundit ishte Kosovë e Shqipëri. U keqinterpretuan edhe disa deklarata të bëra në Gjermani se kishte vende pune. Këto deklarata u frynë, u manipuluan dhe u kthyen në një lloj miniepidemie. Lajmi u manipulua dhe nga një rrjet trafikantësh që merrnin përsipër transportin kundrejt pagesave të mëdha. Mbaj mend raste të panumërta që denoncoheshin edhe nga mediat kosovare të grupeve të trafikanëve.
Tani, kjo ka qenë dhe çështje komunikimi në kohë. Në momentin që qeveria ndërhyri dhe filloi verifikimin që në kufi të elementëve të destinuar për t’u trafikuar, efekti ishte i menjëhershëm dhe ra. Ajo që ka ndikuar më shumë në këtë histori ka qenë intesifikimi i krizës greke. Pra, nëse tre-katër vitet e para të kësaj krize shqiptarët shpresonin se ajo do të kalonte shpejt, atëherë vazhdoi inercia, por pasi kriza u bë edhe më e thellë shumë familje që jetonin në Greqi nuk e përballuan dhe ikën në vendet e tjera të BE. Ka një studim Ministria e Brendshme që flet se të larguarit në valën e parë janë diku 90 % e që shkonin nga Greqia me 10 % që ishin rezidentë në Shqipëri.
Po këto aksionet e fundit sa kanë ndikuar në largimet e qytetarëve? A janë depresive këto reforma?
Ne kur erdhëm në qeverisje në shtator të 2013 e dinim që në dy vitet e para nuk do të mbaronte varfëria. Nuk e kemi thënë kurrë. Reformat tona të ndërmarra këto dy vjet nuk japin efektet në mënyrë të mënjëhershme këtë e dinë të gjithë, por të krahasohet se ku e gjetëm Shqipërinë e ku është sot, jam i gatshëm të hyj fushë për fushë dhe sektor për sektor t’ju tregoj. Reforma më e fundit, ajo kundër informalitet përse kujtoni se po bëhet? Për të varfëruar qytetarët? Ajo po bëhet për të pasuruar familjet shqiptare, sepse deri pa filluar kjo reformë ne kishim një situatë ku nuk paguanin taksa bizneset që pasuroheshin. Taksat e mbledhura shkojnë gjithmonë për shërbime sociale, për më shumë shtet social. Lufta kundër informalitetit rrit të ardhurat. Për një vit kemi mbledhur 150 milion dollarë më shumë nga shitja e energjisë elektrike, me të cilat mund të paguhen dhe ndihmat ekonomike.
Por, ama ka rënie të ardhurash…
Nuk është dramë rënia e të ardhurave në buxhet, kur ka rënie të prodhimit. Tani, e rëndësishme është që t’i shohësh me cilësinë e mbledhjes së të ardhurave. Sot, mbledhja e të ardhurave në Shqipëri është më e madhe. Në gusht-shtator që kur nisi reforma kundër informalitetit kanë kaluar nga informal në formal 129 mijë të punësuar. Këta ishin në punë, por punëmarrësi i tyre i mbante në të zezë pa sigurime shoqërore. Dhe kjo është garanci dhe jetë më e mirë për sot e nesër, kur ata të dalin në pension. Faza e dytë e gjithë këtyre procesve do të jetë ngritja e një sistemi që të garantojmë të drejta për çdo familje, për shembull reforma në energji, e cila do të garantojë të drejtën themelore për çdo qytetar që të ketë energjinë bazike në shtëpi.
Unë e kam mbështetur që prej ditës së parë dhe çështjen e instalimit të matësve inteligjentë të energjisë sipas modelit të konsoliduar gjerman. Unë në çdo kohë jam shprehur pro të drejtës për ndriçim në mënyrë që çdo familje të ketë në çdo kohë dhe çdo rrethanë energji për një llampë e një televizor. Por, kjo nuk mund të bëhej pa konsoliduar sistemin. Që të jetë e qartë për të gjithë, nuk kanë qenë familjarët problemi në sektorin e energjisë në këtë vend, ishin bizneset e mëdha me kablla pa fund.
Meqë jemi tek emigrantët a dihet sesa refugjatë sirianë do të presë Shqipëria?
Nuk ka një shifër, sepse nuk ka kancelari në botë që të parashikojë sesa do të jetë fluksi.
Po sa mund të presim ne pa hyrë në hall?
Shqipëria nuk është destinacion, është rrugë tranziti. Arsyeja përse Shqipëria bëhet kanal, është vetëm për shkak të dimrit, sepse korridori Serbi, Kroaci, Slloveni bëhet i vështirë për shkak të dëborës dhe korridori Adriatiko-Jonian është një ndër kanalet më të lehta të lëvizjes së tyre. Shqipëria bën pjesë në ato vende të Europës që mendon se kriza e emigrantëve duhet menaxhuar në Turqi. Unë kam vizituar një kamp muaj më parë në Turqi dhe realisht kam mbetur i habitur nga cilësia e tij. Bëhej fjalë për një kamp me 84 mijë refugjatë, ku çdo familje siriane kishte shtëpizën e saj. Kampi kishte shkolla, universitet, spitale, madje dhe të zgjedhur për ta qeverisur si në formë “bashkie”.
Pra. Turqia arriti në një fazë të parë ta administrojë. Më mirë se atje nuk mund të administrohen askund, por një pjesë e emigrantëve që janë zhvendosur në gjithë këto muaj kanë lëvizur prej andej, sepse ideja e tyre është që të bëhen pjesë e shoqërisë gjermane apo suedeze për shak dhe të profilit shumë social që kanë për trajtimin e emigantëve. Shqipëria si pjesë e Europës do të mbajë rolin e saj, por shumë e rëndësishme që strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes , Shërbimit Inteligjent është të luajnë një rol verifikues, sepse një pjesë e emigrantëve që vijnë nga Greqia nuk arrijnë të rregjistrohen aty dhe monitorimi i tyre duhet të bëhet tek ne, për të parandaluar kështu rastet e infiltrimit terrorist. Megjithatë, unë jam i bindur që masat që ka marrë vendi ynë kanë qenë masa të marra në kohë, pasi informacioni se Shqipëria mund të kthehet në rrugë kalimi të refugjatëve të luftës është marrë me kohë. Ndërkohë edhe bisedimet në Vjenë për konfliktin në Siri kanë ecur përpara, për mënyrën sesi do të administrohet Siria post Asad.
Turqia ka bërë një negociatë të mirëfilltë me BE për çështjen e emigrantëve. Ne kërkuam ndonjë gjë?
Ka një fond të miratuar nga BE për këtë çështje. Në varësi të shpenzimeve të faturuara do të ketë rimbursime. Nuk do të ketë shpenzime të mëdha publike nga buxheti i shtetit për këtë çështje. BE në kuadër të mekanizmit të solidaritet e konsideron këtë çështje një lloj emergjence civile dhe Këshilli Europian përmes mekanizmit të samitit të liderëve dhe atij të ministrave të Brendshëm i ka miratuar fondet. Faza e parë është përgatitore dhe pastaj në varësi të numrit të emigrantëve do të vijnë dhe fondet.
Përse përjetohet ndryshimi i qeverisë si disfatë personale e kryeministrit?
Nuk është e vërtetë që përjetohet si disfatë. Kryeministri asnjëherë nuk ka thënë se qeveria është një kuti që nuk hapet, përkundrazi. Por, për sa kohë ne si shumicë me provimin e parë që kaluam, zgjedhjet vendore, fituam si asnjë mazhorancë tjetër, pse duhet kërkuar ndryshimi i qeverisë. Kjo është si t’i thuash një nxënësi që sapo ka marrë notën 10-të, ti ke ngelur. Qeveria sapo ka marrë vlerësim maksimal. Që ka nevojë në disa sektorë të bëhet më shumë kjo është e sigurtë. Por, me ecurinë që ka qeverisja këto dy vjet nuk ka të krahasuar me çfarë ishte më parë.
Duhen impulse të reja?
Nuk është çështje impulsesh. Duhet që gjithkush të bëjë mirë detyrat e veta. Qeveria të bëjë mirë punën e saj, ne të bëjmë deyrën tonë në Kuvend, sepse një gjë e them gjithmonë me shqetësim që Shqipëria nuk ka jetë parlamentare të rregullt. Diskutohet një ligj shumë i rëndësishëm për fondet e BE që i kalonin Shqipërisë dhe aty del kryeplaku i PD-së dhe diskutonte për çështje që nuk lidheshin me temën. Ky është problem, kur nuk bëhet puna, për të cilën jemi caktuar.
Jeni që ligji i ri elektoral të ndryshojë me prim?
Çdo ndryshim i mundshëm do të bëhet vetëm në koordinim me aleatët tanë, LSI-në dhe PDIU-në. Lërini përrallat që kemi marrëveshje me Bashën. Këtë ligj e kemi provuar dy herë dhe e njohim mirë megjithë defektet e tij.
Nëse kryeministri thotë që ligji elektoral nuk do të jetë me prim, kurse ministri Çuçi shpjegon madje edhe detajet si do të jetë ky prim, kë duhet të besojmë?
Unë komentoj vetëm kryeministrin. Ministri jep shpjegime, sepse është specialist më i mirë i fushës. Ju thashë çdo ndryshim vetëm me koordinim me aleatët.
Më thanë që të kishte mërzitur libri i fundit i…
Mua? Ku? Kur? Si? Jo, jo fjalë kot. Unë nuk e kam lexuar librin, sepse tani nuk kam kohë të lexoj, por do ta lexoj në verë në kohë pushimesh. E vetmja gjë nuk do të pranoj të bej asnjë koment janë librat e kolegëve për çështje të caktuara. Dua të them një gjë me bindje se kur vendos të bësh politikanin, mos bëj historianin.
Marrë nga: ‘Shih Programin’ – tesheshi.com