Kosova ka nënshkruar sot në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.
Nënshkrimi fillimisht u konfirmua në rrjetin social Twitter, nga Bekim Çollaku, ministër për Integrime Evropiane në qeverinë e Kosovës, i cili e ka vlerësuar marrëveshjen si moment historik.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kanë nisur para dy vjetësh, vetëm pasi Kosova është angazhuar në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Serbia, si shpërblim, ka fituar negociatat për anëtarësim në BE. /tesheshi.com/