Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta janë takuar për të dytën herë brenda javës. Pas më shumë se dy orë takim, Kryeministri Rama zbardhi një pjesë të asaj që është diskutuar.
Shefi i qeverisë tha se palët diskutuan për një sërë çështjesh, por më e rëndësishmja prej tyre ishte reforma e drejtësisë. “Diskutuam për një sërë çështjes, si mbyllja e një viti dhe ato që kemi për të bërë vitin e ardhshëm. Kemi disa objektiva në vitin e ardhshëm. Pa dyshim që një prej tyre është çuarja përpara e reformës së drejtësisë dhe ndamë kënaqësi që trenit të reformës iu bashkua edhe Partia Demokratike”, tha Rama.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se duhet të vlerësojmë punën e madhe që është bërë deri më tani. “Procesi ka qenë gjithëpërfshirës ku kanë marrë pjesë të gjitha forcat politike, duke përfshirë dhe opozitën. Doja të falënderoja ekspertët ndërkombëtarë për angazhimin e tyre”, tha Meta.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe dy krerët e grupeve parlamentare të PS dhe LSI, Gramos Ruçi e Petrit Vasili. Mediat nuk janë lejuar që të marrin pjesë në takimin dypalësh./tesheshi.com/