Që operacioni i shpëtimit të 11 fëmijëve e trajnerit të tyre mbetur në një shpellë në Tajlandë është mjaft i vështirë, e ka treguar dhe fakti se një prej zhytësve ka humbur jetën nga mungesa e oksigjenit.
Bëhet fjalë për jë zhytës ushtarak të forcave Thai
Ndërkohë, komandanti i Marinës tajlandeze tha se “në fillim menduam se fëmijët mund të qëndronin për një kohë të gjatë … por tani gjërat kanë ndryshuar, ne kemi një kohë të kufizuar”.
Një valë lumturie përshkroi opinionin pas gjetjes së fëmijëve që ishin deklaruar të humbur, porse tani zymtësia është kthyer te njerëzit teksa shohin se sa e vështirë është nxjerrja e tyre.
Zhytësi viktimë, Saman Kunont, vdiq pasi po kthehej nga vendi ku fëmijët janë bllokuar. Ai ishte pjesë e një ekipi që përpiqej të krijonte një linjë oksigjeni me fëmijët që po presin shpëtimin.
Shumë nga djemtë të moshës 11 deri në 16 vjeç nuk janë në gjendje të notojnë dhe asnjë nuk ka përvojë në zhytje.
Zëvendësguvernatori i Chiang Rai-t, Passakorn Boonyaluck, dha lajmin e trishtuar për vdekjen e zhytësit para gazetarëve në hyrje të kompleksit të shpellës.
“Ne kemi humbur një njeri, por ne ende kemi besim për të kryer punën tonë”, shtoi ai më pas. /tesheshi.com/