Çdo ditë, drejt Lumit të Shalës udhëtojnë me qindra turistë, varka që lundrojnë pa pushim teksa marrin e çojnë turistë për të vizituar apo për t’i kthyer nga kjo vizitë.
E cilësuar si “Tajlanda shqiptare” pak vite më parë, popullariteti i këtij destinacioni turistik u rrit gradualisht duke kulmuar në dy vitet e fundit kur edhe shifrat e të huajve kanë shënuar numër rekord.
Të pasionuar pas turizmit të aventurës dhe natyrës vizitorët e huaj thuajse të gjithë janë të interesuar për të vizituar këtë pjesë të Veriut, duke përfshirë ndër të tjera edhe pika si Thethi apo Valbona por popullariteti duket se ka rritur frikën për shkatërrimin që i sjell natyrës ky mbishfytëzim ku rëndom në fotot që postohen ka një numër të lartë shezlonesh dhe ankesa për muzikën e lartë.
“Nëse prisni të gjeni një vend idilik, mos shkoni këtu.
Gjatë kohës kur turistët janë këtu (11:00 – 15:00) është plotësisht i mbushur me njerëz dhe jashtëzakonisht i zhurmshëm (çdo bar ka muzikë me zë të lartë).
Nëse qëndroni gjatë natës, gjërat përmirësohen pak pas orës 18:00, derisa lokali në hyrje vendos të bëjë një festë tjetër, duke i mërzitur TË GJITHA AKOMODIMET E TJERA. Bari në plazh të hapur mendon se është i vetmi vend dhe me egoizëm luan muzikë gjatë gjithë natës.
Nuk kemi fjetur fare!!!! Mëngjesin tjetër ishte krejtësisht i qetë, vetëm zhurma e natyrës ….. deri sa erdhën turistët ditorë, shumë të zhgënjyer”, shprehet Maria Katarina F. në një vlerësim të datës 14 korrik për destinacionin e Lumit të Shalës.
Vlerësimi për natyrën është gjithmonë më i larti teksa mënyra sesi menaxhohet turizmi në këtë rajon i jepen vlerësimet e ulëta diçka që mund ta hasësh edhe në video të postuara në TikTok.
Turet që organizohen drejt lumit të Shalës janë ndoshta të vetmet që njëzëri kanë vlerësime pozitive kryesisht për mënyrën sesi janë organizuar, por më tepër për pamjet panoramike përgjatë rrugës dhe ujit të kristaltë të Lumit.
“Do të kthehesha aty me një rrahje zemre”, komenton një turiste në një nga videot në TikTok.
“Ky vend ka zemrën time dhe ujërat më të pastra që kam parë ndonjëherë”, komenton një tjetër.
“Rruga për në Koman nuk është në gjendjen më të mirë, por mund të bëhet me makinë normale. Mund të parkoni disi larg në një parking, ose afër hyrjes së tunelit në rrugë (me rrezikun e një gjobe prej 20 €).
Do të keni pamje të bukura të zonës përreth gjatë një ore ose më shumë që lundroni përgjatë lumit. Më pas mund të kaloni disa orë në një vend me plazhe me gurë. Është relativisht turistike, por jo shumë e mbushur me njerëz”, tregon një tjetër turiste.
Ankesa për rrugën e Komanit ka vazhdimisht edhe nga operatorët turistikë, të cilët ndër vite kanë kërkuar që të ndërhyrjet për të përmirësuar transportin e turistëve sidomos atyre të organizuar që kanë interes për të vizituar këtë pikë turistike. /Monitor/