I zoti i një supermarketi në rrethinat e Parisit që tregton veç artikuj hallall është vënë përpara alternativës që të shesë dhe mish derri e alkool, ose përndryshe do duhet ta mbyllë aktivitetin e tij.
Kërkesa ultimative është bërë nga autoritetet lokale, që pretendojnë se supermarketi Good Price nuk i ka plotësuar kushtet e kontratës së qiradhënies, ku thuhet se njësia duhet të jetë një dyqan i përgjithshëm ushqimor.
Nga autoritetet është deklaruar se banorëve nuk u shërbehet siç duhet nëse njësia tregtare nuk tregton mish derri dhe alkool.
Sipas autoriteteve, banuesit më të hershëm në zonë janë ankuar se nuk i gjenin të gjithë artikujt te supermarketi Good Price.
Shefi i personelit të kryetares së bashkisë në fjalë, Jerome Besnard, tha për britaniken The Telegraph se, “Kryetarja e bashkisë së Kolobit [Colombe], Nicole Goueta, shkoi vetë atje dhe i kërkoi pronarit ta bënte të larmishme gamën e produkteve, duke shtuar alkool dhe mish johallall.”
Ndërsa administruesi i supermarketit, Soulemane Yalcin, mbrohet duke thënë se bëhet fjalë për tregti. “Hodha sytë rreth meje dhe kërkova të shoh çfarë mund të shes. Kontrata e qiradhënies është për shitje ushqimesh të përgjithshme dhe për aktivitete përkatëse. Varet si e interpretoni ‘aktivitete përkatëse’,” deklaroi ai për Le Parisien.
Çështja ka shkuar në gjykatë, ku autoritetet lokale do kërkojnë anulimin e kontratës së qiradhënies, që është gjer në vitin 2019. /tesheshi.com/