Sudani bëhet vendi i tretë pas Arabisë Saudite dhe Bahrejnit që i ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Në një deklaratë të Ministrisë së jashtme sudaneze thuhet: “Në përgjigje të sulmeve barbare mbi ambasadën e Arabisë Saudite në Teheran dhe mbi konsullatën në Meshhed, qeveria e Sudanit njofton ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit.”
Emiratet e Bashkuara Arabe bënë të ditur po ashtu se po e zbresin nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme të EBA-ve u dha pasditen e sotme. Emiratet e Bashkuara Arabe do ta reduktojnë numrin e diplomatëve iranianë në vend, e po ashtu po e tërheqin ambasadorin e tyre në Teheran.
Në njoftim sqarohet se Emiratet do të përqendrohen vetëm në marrëdhëniet tregtare me Iranin, e se e ndërmarrin veprimin e sotëm për shkak të “ndërhyrjes së vazhdueshme të Iranit në punët e brendshme të vendeve arabe dhe të Gjirit Persik.”
Zjarri i vënë ambasadës së Arabisë Saudite në Teheran nga protestuesit iranianë orët e para të së dielës solli fillimisht reagimin e sauditëve, të pasuar sot nga tre vende të tjera. Tensioni është përshkallëzuar që prej së shtunës, pas ekzekutimit të 47 personave në Arabinë Saudite, mes të cilëve gjendej dhe një klerik shiit. /tesheshi.com/