Shumë është shkruar dhe folur për sekretin e një jete të lumtur, por tashmë studiuesit e Harvardit kanë gjetur se mjafton vetëm një gjë për të kaluar një jetë më të lumtur e më të shëndetshme.
“Gjyshja tregonte një histori. Një pasditë në zyrën e doktorit të vet, ai kishte larguar çantën e saj që zinte karriken dhe kishte vërejtur se ishte shumë e rëndë. “Duhet të jesh shumë e pasur”, i kishte thënë gruas. “Po, jam”, kishte pohuar ajo pa asnjë dyshim.
Në fakt, ajo jetonte në mënyrë modeste, në të njëjtën shtëpi ku kishte rritur fëmijët e saj. Të dy me bashkëshortin, as nuk udhëtonin, as hanin ushqime të veçanta apo psonisnin në dyqane luksoze. Asnjëri prej tyre nuk ndiqte ndonjë passion. Por në mënyrë të vetvetishme e konsideronte veten të pasur pasi kishte një bashkëshort, fëmijë, nipër e mbesa të cilët i adhuronte.
Gjyshja e dinte shumë mirë atë që studiuesit e Harvardit kanë konfirmuar: marrëdhëniet janë çelësi i një jete të lumtur”.
Robert Waldinger, psikiatër në Harvard nisi të rishikonte studimin 75-vjeçar Grant Study në vitin 2003, duke u bërë kështu personi i pestë që drejtonte projektin. Ai dha shpjegime për gjetjet e studimit, të cilat janë parë më shumë se 6.5 milionë herë që nga nëntori i kaluar.
Waldinger ndjeu se ishte e rëndësishme të jepte shpjegime. Qeveria kishte shpenzuar miliona dollarë për studimin me dekada të tëra, por taksapaguesit nuk e dinin ekzaktësisht se çfarë ishte zbuluar.
Dhe nga ana tjetër, ka një interes të madh mes njerëzve për të ditur se çfarë e bën jetën të lumtur e të mirë.
Studimi më i gjatë i zhvillimit të njeriut, që vijon ende, studimi Grant është një projekt që nisi me ndjekjen e jetëve të disa personave të përzgjedhur nga universiteti i Harvardit në vitin 1938- mes të cilëve presidenti John F. Kennedy dhe ish- botuesi i Washington Post, Ben Bradlee- duke gjurmuar të gjitha aspektet e jetëve të tyre. Në vitet
1970, grupi studimor u bashkua në një ekip me persona që po ndiqnin nga afër disa të rinj nga banesat me qira në zemrën e Bostonit e që kishin nisur ta bënin këtë punë prej viteve 1940. Një gjë e tillë iu lejoi studiuesve të bënin dallimet për shkak të statusit social dhe rrethanave të rritjes. Ndryshimet janë vetëm në këtë drejtim, pasi të dy grupet ishin meshkujt të bardhë.
Shumë përfundime dolën për aspekte të jetës, por njëri prej tyre është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: pjesëmarrësit më të lumtur e më të shëndetshëm të studimit në të dyja grupet ishin ata që kishin arritur të mbanin marrëdhënie të ngushta dhe intime.
Ata që ishin të kënaqur me marrëdhëniet e tyre me të tjerët, ishin më të lumtur dhe më të shëndetshëm: ishte kaq e thjeshtë.
“Njerëzit që janë më të izoluar sesa duan të jenë nga të tjerët, është e qartë se janë më pak të lumtur, shëndeti i tyre bie herët në moshën e mesme, funksionimi i trurit bie edhe më shpejt dhe ata jetojnë më pak sesa njerëzit që nuk janë të vetmuar”, thotë Waldinger në përmbledhjen e tij në TedTalk. “Dhe marrëdhëniet e mira e të ngushta me njerëzit duhet se na mbrojnë nga shigjetat e kohës”.
Waldinger dëshiron që njerëzit të kuptojnë se projektimi komercial i jetës së mirë – pasuri, fama, suksesi në karrierë – nuk do t’u sjellë shëndet apo lumturi. Është përpjekja që ata bëjnë për të mbajtur lidhje me qëniet e tjera njerëzore që do ua sjellë ato.
Cilësia dhe afërsia, sikundër stabiliteti dhe pajtueshmëria kanë rëndësi gjithashtu. Marrëdhëniet e rastësishme, si ato që krijohen në median sociale nuk bëjnë punë, as marrëdhëniet e detyrueshme si një martesë abuzive apo një mik që nuk të mbështet.
Pjesa më e madhe e burrave në fund të viteve 1930 besonin se arritjet në karrierë ishin zgjidhja për një jetë të mirë. Por, Waldinger thotë se është po aq e rëndësishme të punosh fort në marrëdhëniet e tua. Kjo është edhe më e vërtetë për lumturinë personale.
Që nga dhënia e shpjegimeve në TedTalk, Waldinger ka marrë me qindra letra. Ai nisi një blog për të vijuar bashkëbisedimin se çfarë e bën një jetë të mirë.
Ai thotë se mesazhet variojnë nga: “E kam ditur gjithnjë se kjo ishte e vërtetë, por shih rreth e rrotull, njerëzit sillen sikur të mos jetë e rëndësishme”, tek “ Çfarë ndodh nëse je i vetëm fare dhe nuk ka askënd në jetën tënde”.
Për këtë të fundit, rekomandimi është të kërkohen rrugë për t’u lidhur me njerëz të tjerë, ndoshta përmes daljes vullnetar për të ndihmuar njerëzit e vetmuar, si të moshuarit. “Eshtë e dobishme të duhet se është një zgjedhje që ia vlen”, thotë ai.
Kërkimet e tij e kanë frymëzuar të ndryshojë edhe jetën e vet. Ai zgjodhi mësuesinë për t’i kushtuar më shumë kohë se studimeve. Gjithashtu, në jetën e vet nxitet të ndihmojë më shumë miqtë që janë të sëmurë apo në vështirësi, edhe pse kjo mund të jetë e vështirë, pasi e di mirë se çfarë do të thotë kjo për ta.
“Marrëdhëniet janë të ngatërruara dhe me telashe. Puna e vështirë për të mbajtur një familje apo miqtë nuk është e lavdishme apo trendi. Gjithashtu është afatgjatë, nuk mbaron kurrë”.
Kështu, që kalojeni pushimin e drekës me kolegët. Telefonojuni miqve që keni kohë pa i parë. Ju bën mirë për shëndetin! Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/