Shumica e të rekrutuarve të të ashtëquajturit Shtet Islamik dijnë pak për Islamin apo nuk janë të interesuar fare për fenë, tregon një studim i kryer nga Associated Press.
Një formular i paraparë për pranimin e “xhihadistëve” pyet të rekrutuarit, nga 1 dero në 3 për njohuritë të tyre mbi Islamin, me ç’rast aplikantët për ISIS, të tubuar diku brenda në një hangar në kufirin Siri-Turqi, dalin të jenë jashtëzakonisht të padijshëm për këtë besim, principet dhe rregullat.
Gjatë pikut të rekrutimit për ISIS-in, në peridhën prej vitit 2013 dhe 2014, në grupin e të rekrutuarve, ishte edhe një grup francezësh, të cilët kishin frekuentuar bashkë me rekrutuesit e tyre një numër baresh në Francë, në mesin e tyre edhe një i rekrutuar, i cili tashmë nuk heziton të përshkruajë veten si homoseksual, dhe dy britanikë të cilët kishin porositur librat “The Koran for dummies” (Kurani për teveqelë) dhe “Islam for dummies” (Islami për teveqelë) në Amazon, me qëllim që të përgatiten për xhihad jashtë vendit.
“Pas procesit të pranimit, ata janë grupuar nëpër shtëpi të sigurta, në të cilat janë indoktrinuar nga një rrymë e imamëve të ISIS-it”, bazuar në dëshmitë gjyqësore dhe intervistimet e kryera me ta nga agjencia Associated Press.
“Kuptova se isha në vend të gabuar, në momentin kur filluan të më pyesin si: “Kur të vdesësh, kë duhet ta lajmërojmë?’”, tha një evropian 32-vjeçar i rekrutuar, duke folur për AP në kushte anonimiteti. Ai po mendonte se i ishte bashkangjitur grupit për t’u rreshtuar kundër forcave të Bashar al-Assad dhe për të ndihmuar sirianët, dhe jo për të ashtuquajturin Shtet Islamik.
Evropiani, sjelljet djaloshare të të cilit e bëjnë të duket shumë më i ri sesa mosha e tij, shkoi në Siri në vitin 2014. Ai tha se rekrutët e rinj detyroheshin të shikojnë video të ISIS-it për Islamin dhe të vizitojnë shpesh imamët e grupit. Larg shtëpisë, pa njohuritë më elementare për fenë, me lidhje të ndërprera familjare, pasi kishin dorëzuar gjitha pajisjet e tyre elektronike, shumica prej tyre nuk kanë qenë në pozitë që të gjykojnë drejt.
Një analizë nga AP e mijëra dokumenteve, zbulon se shumica e rekrutuesve, nga ditët e para kanë ardhur me njohuritë më minimale të mundshme për Islamin. Më shumë se 3,000 prej këtyre dokumenteve kanë përfshirë njohuritë e këtyre të rekrutuarve mbi Sheriatin, sistemin i cili interpreton ligjërisht ajetet kuranore dhe hadithet, thëniet e Profetit Muhamed.
Sipas dokumenteve, të cilat janë siguruar nga faqja opozitare Zaman al-Ëasl dhe i janë dorëzuar AP, 70% të të rekrutëve kanë deklaruar se kanë njohuri minimale për Sheriatin, njohuritë më të ulëta të mundshme; 24% kanë pasur njohuri mesatare; dhe vetëm 5% njohuri të avancuara për Islamin. Ndërsa vetëm pesë prej të rekrutuarve kanë pasur të memorizuar Kur’anin.
Gjetjet adresojnë një nga pyetjet më shqetësuese në lidhje me rekrutimet e ISIS-it në SHBA dhe Evropë: a janë më të prirur për radikalizim dhe nxitje të dhunës ata të cilët e njohin mirë Sheriatin, apo ata me më pak njohuri për Islamin?
Dokumentet sugjerojnë për grupin e dytë.
Grupi i vë në shënjestër personat me injorancë fetare, duke iu mundësuar ekstremistëve që të imponojnë një brend të islamit, të konstruktuar për qëllime të veta.
Mbështetësi famkeq i ISIS-it, Mohamed Lahouaiyej Bouhlel, i cili vrau 85 njerëz duke shkelur me kamion nëpër turmën e njerëzve që po kremtonin një festë kombëtare në Nice të Francës, është përshkruar nga familja dhe fqinjët si një person indiferent ndaj fesë, jo stabil dhe prirur për zbavitje me pije alkoolike, prirje të vallëzuar salsa, si dhe të ketë pasur një të dashur mashkull.
Ndryshe nga Omar Mateen, sulmuesi i Orlandos, Bouhlel nuk ka bërë ndonjëherë deklaratë publike për aleancë me ISIS-in, aq më pak se kishte lidhje të drejtpërdrejta me ekstremistët në zonën e luftës. Megjithatë, grupi ishte i shpejtë t’i shpallë ata si ushtarë të tij.
AP ka analizuar formularin për pranim të 4,030 rekrutëve të cilët kanë depërtuar në Siri në kohën kur grupi po zgjerohej në mënyrë të shpejtë e dhe po gllabëronte territore në Irak dhe Siri në vitin 2013 dhe 2014. Në atë kohë, sipas vlerësimeve të CIA-s, kishte mes 20,000 dhe 31,500 ushtarë në mbarë Irakun dhe Sirinë.
Në mesin e dokumenteve, është edhe një formular për 9 prej 10 të rinjsh nga qyteti jugor i Francës, Strasburgut, të gjithë të rekrutuar nga një person me emrin Mourad Fares. Njëri prej tyre, Karim Mohammad-Aggad, ka treguar se si kishte frekuentuar baret nëpër Gjermani bashkë me Fares. Ai u tha hetuesve se rekrutuesit e ISIS-it përdornin “fjalë të ëmbla” për t’i bindur ata.
Ai kishte udhëtuar me vëllaun e tij më të ri dhe miqtë e tij në Siri në fund të vitit 2013. Dy prej tyre kanë vdekur në Siri, kurse shtatë tjerë u kthyen brenda disa muajsh, me ç’rast u arrestuan. Vëllau i Mohammad-Aggad, 23 vjeçar Foued, u kthye në Paris dhe ishte një prej tre personave që morën pjesë në sulmin e Bataclan-it natën e sulmeve me 13 nëntor, me ç’rast humbën jetën 130 vetë.
“Bindjet e mia fetare nuk kanë të bëjnë asgjë me shkuarjen time në Siri”, tha avokati i Karim Mohammad-Aggad-it në gjykatë, para se ai të dënohet me 9 vite burg. “Islami është përdorur për të më vënë në kurth”, tha ai.
Të dhënat e ISIS-it tregojnë se Karim dhe vëllau i tij, Foued ishin në mesin e tetë personave në grupin e Strasburgut tëcilët kishin njohuri minimale për Islamin.
Duke shprehur ndjenjat e tij, e të cilat janë të ngjashme me ato të shumë rekrutëve tjerë evropianë me prejardhje verio-afrikane, ai i tha gjykatës se ai ndjehet si emigrant nga Algjeria dhe një “arab i pistë” në Francë. Pas vetëm disa muaj në Siri, ai braktisi atë vend për shkak se trajtohej nga ta si një “renegat”, një person i cili kishte hequr dorë nga feja e tij.
Kur u vu në presion nga gjyqtari për njohuritë e tij për Sheriatin dhe mënyrën se si ISIS po e zbaton atë, Mohammad-Aggad, i shtangur, u përgjigj: “Unë nuk kam njohuri për pyetjen që po më bëni”.
Një ndër pandehurit tjerë, Radouane Taher, po ashtu ishte vënë nën presion nga gjyqtari nëse heqjet e kokave të kryera nga grupi i ISIS-it ishin konform ligjit islam.
Ai nuk ishte i sigurtë për këtë, duke thënë se nuk kishte njohuri.
Dhe mu këtu kryen punë Amazon-i.
Gjykimi i miqvem Mohammed Ahmed dhe Yusuf Sarwar nga qyteti britanik i Birmingham, zbuloi se 22-vjeçarët kishin porositur librat “The Koran for Dummies” (Kurani për teveqelë) dhe “Islam for Dummies” (Islami për teveqelë), në parapërgatitje për rrugëtimin e tyre për në Siri.
Ata ishin arrestuar dhe kthyer në Britani dhe dënuar në vitin 2014 për terrorizëm.
Patrick Skinner, një ish-zyrtar i CIA-s me përvojë të gjatë me organizatat ekstremiste në Lindjen e Mesme, thotë se ka njerëz të cilët deklarojnë besnikëri ndaj ISIS-it për shkak të bindjeve fetare, por shumica të cilët i bashkohen grupit, përfshirë këtu ata nga Perëndimi, e bëjnë këtë “për shkak të ndjenjës së përkatësisë, ndjenjës së famës dhe ndjenjës së eksitimit”.
“Feja është një mendim i mëvonshëm”, thotë Skinner, i cili është edhe drejtor i projekteve të veçanta në konsulencën për siguri Soufan Group.
Dijetari islam, Tariq Ramadan, thotë se nëse i hidhet një vështrim i afërt komandantëve të lartë të ISIS-it, mund të shohësht se shumica prej tyre nuk kanë formim fetar islam, dhe se të njëjtit kanë mbajtur pozita të larta nën qeverinë bathiste të Sadam Huseinit.
Ramadan është ligjërues në Qendrën për Studime Islame në Oxford dhe ka shkruar libra të shumta për Islamin dhe integrimin e muslimanëve në Evropë. Ai thotë se muslimanët duhet të demonstrojnë faktin se mësimet e ISIS-it janë të gabuara.
“Njerëzit të cilët po e bëjnë këtë janë vetëm kriminelë. Ata po vrasin njerëz të pafajshëm. Asgjë në Islam, ama bash asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e njerëzve të pafajshëm, kurrën e kurrës”.
Një homoseksual evropian i rekrutuar tha se ishte konvertuar në Islam për shkak se ishte i interesuar në kulturën dhe se ishte diçka e lehtë.
“Ajo çfarë kërkohej prej meje ishte të falem vetëm një herë dhe nuk kërkoheshin prej meje kurrëfarë njohurish paraprake për Islamin” tha ai.
Si një i konvertuar pa dije për Islamin, ai thotë se ishte viktimë e lehtë.
“Njerëz si unë u mashtruan në diçka që ata nuk e kuptojnë. Nuk ishte kurrë qëllimi im të përfundoj në ISIS”, përfundon ai.
Përgatiti Jeton Zenuni – /tesheshi.com/