Ka bërë zhurmë dhe ka rindezuar debatin një nismë e studentëve të universitetit Sciences Po në Paris për të patur sot Ditën e Hixhabit.
Ndërsa islamofobia po njeh rritje në Francë, studentët e këtij universiteti, posaçërisht studentet, i kanë ftuar femrat të marrin pjesë në këtë aktivitet nëse mendojnë se të gjitha ato kanë të drejtë të vishen siç dëshirojnë.
Me vënien e hixhabit në këtë ditë, protagonistët e një nisme të tillë kanë dashur të demistifikojnë një praktikë të parë shtrembër në Francë.
Studentet organizatore kanë deklaruar se janë zemërthyera nga komentet e fundit nga anëtarët e qeverisë socialiste franceze, që e krahasojnë vënien e mbulesës islame me skllavërinë.
Ministrja për të drejtat e grave në qeverinë e Francës, Laurence Rossignol, i krahasoi muajin e shkuar muslimanet që mbajnë hixhab me zezakët amerikanë që ishin në favor të skllavërisë.
Vetë kryeministri francez do të deklaronte së fundi se ishte për një ligj që i ndalonte shamitë e kokës në universitetet publike. /tesheshi.com/