Kjo është ajo periudhë e vitit ku mijëra studentë janë në ankth dhe të entuziazmuar për ardhjen në Turqi me studime. Më në fund “ëndrra turke” po bëhet realitet, sidomos pasi janë kaluar një sërë fazash stresuese me aplikime formularësh, intervista, pritje përgjigjesh dhe pritje…pritje pa fund.
Shumica e studentëve vijnë përmes bursave qeveritare, shoqatash ose me shpenzime personale. Megjithatë, pritshmëritë besoj janë të njëjta për të gjithë, dhe si ish-studente bursante ndiej nevojën të ndaj disa nga eksperiencat dhe një qasje të realitetit përkundrejt pritshmërive që disa mund të kenë, kjo për arsye se shumë mund të zhgënjehen dhe mund të duan të heqin dorë dhe të kthehen mbrapsht.
Pritshmëria e parë: Mësuesit e gjuhës turke (gjatë kursit përgatitor) me siguri dinë anglisht, kështu që kam për t’ia hedhur kollaj!
Në fakt, janë të paktë ata mësues apo njerëz të tjerë në përgjithësi në Turqi që dinë anglisht. Por edhe nëse dinë, nuk u lejohet ta përdorin gjatë mësimdhënies. Zakonisht nuk janë të prirur të të ndihmojnë në këtë drejtim, pasi për ta mësimi i gjuhës është detyrë dhe përgjegjësi përsonale e secilit.
Nëse keni mundësi para nisjes mësoni sa më shumë fjalë turke të mundeni, të paktën sa për të dalë nga situata. Ndërkohë, shfrytëzojeni mirë vitin përgatitor se po nuk e kapët atëherë gjuhën, më pas do të jetë shumë e vështirë.
Pritshmëria e dytë: Konviktet shtetërore me siguri do të jenë të rehatshme!
Ashtu si kudo në botë, edhe në Turqi shumica e konvikteve shtetërore nuk janë aspak të rehatshme. Disa mund të kenë fatin të vendosen në konvikte gjysëm-private dhe gjysëm-shtetërore dhe ato janë me kushte shumë të mira. Kapaciteti varion nga dy studentë në dhomë në konviktet private deri në 8 veta në ato shtetërore.
Pritshmëria e tretë: Konvikti ofron dy vakte, dhe këto besoj do më mjaftojnë!
Po, është e vërtetë, megjithatë mund t’ju rastis të dilni herët në mëngjes kur vakti i mëngjesit nuk është ende gati apo si dhe të ktheheni vonë në mbrëmje dhe mos të ketë tepruar asgjë nga darka.
Mund të jeni me fat nëse nuk keni për të dalë në orare ekstreme të ditë-natës, por nga ana tjetër nga të gjitha variantet mund të mos preferoni asnjërën ose të jeni alergjik ndaj ndonjë ushqimi të caktuar. Ushqimi mund të jetë shumë më i yndyrshëm dhe djegës nga ai që përdoret në Ballkan, kështu që zgjidhja për të gjitha këto është të gjeni ndonjë restorant apo fast-food të lirë dhe të mirë që ta keni si plan të dytë për çdo rast.
Pritshmëria e katërt: Mezi pres t’i mbarojë ato 3 vite (ose 2 vite) shkollë dhe të kthehem në shtëpi.
Ndoshta do t’ju duhet më shumë se aq për të përfunduar studimet, dhe kjo nuk varet nga ju por rrethanat. Nëse studimet do të jenë në turqisht do t’ju duhet një vit përgatitje për gjuhën, por edhe nëse janë në anglisht dhe nuk keni mbrojtjen e anglishtes përsëri do t’ju duhet një vit përgatitor. Nëse keni ndërruar degë ose shkolla juaj nuk i njeh disa nga kreditet apo lëndët e shkollës tuaj të vjetër, atëherë do ju duhet edhe një tjetër vit përgatitor. Nga ana tjetër, gjasat janë që për shkak të njohurive jo të mjaftueshme të gjuhës për të kuptuar lëndët në semestrin e parë mund të ngelni një kurs ose dy. Nëse ju qëllojnë profesora, siç ndodh rëndomtë, të cilët kanë një “pasion” të veçantë për të ngelur studentët e huaj, atëherë përgatituni emocionalisht të humbisni një semestër apo një vit të tërë. Ajo që ju mund të bëni është t’i jepni forca që në vitin e parë duke mësuar paralelisht lëndë të shkollës së ardhshme dhe gjuhën e kursit përgatitor. Ju këshilloj që të shkoni ta vizitoni shkollën tuaj për të mësuar zonat, auditoret, zyrat dhe çdo cep të mundshëm që mund t’ju nevojitet gjatë vitit akademik. Mirë është që semestrin e fundit të shkoni të takoni dhe profesorët për t’i kërkuar ndonjë lexim paraprak dhe për të rënë në sy për mirë. Nëse keni guxim, pse jo dhe të ndiqni një lënd, kjo ka për t’ju motivuar që t’i futeni mësimit të gjuhës me kokë.
Pritshmëria e pestë: Lekët e bursës do më mjaftojnë, përndryshe mund të bëj dhe ndonjë punë part-time!
Nuk dua t’ju demoralizoj, por çmimet në Turqi po rriten dita ditës ndërsa shuma e bursës ka mbetur po ajo dhe me shumë gjasa do të mbesë e njëjtë. Studentët e huaj gjithmonë kanë shpenzime edhe pse në pamje të parë duket se çdo gjë e përfshin bursa. Duke qenë larg shtëpisë dhe duke qenë se sasia e rrobave apo sendeve për të marrë nga shtëpia është e kufizuar do të duhet të blini çdo gjë këtu. Pastaj llogarisni lekët për biletën e vizitës në mëmëdhe një herë ose dy herë në vit për pushimet, në fund të muajit nuk do mbetet asgjë. Për të gjetur punë është thuajse e pamundur për shkak të mungesës së kohës së lirë si dhe mundësive të pakta punësimi për të huajt, e sidomos për ata që nuk dinë gjuhën. Këshilla ime në këtë rast: kurseni daljet, pazaret, hani në konvikt, udhëtoni sa më pak dhe shikoni për ndonjë punë online ose me honorare.
Pritshmëria e gjashtë: Do të kem mundësinë të vizitoj të gjithë Turqinë!
Turqia është më e madhe se sa mund ta mendoni. Për të udhëtuar duhen para dhe mbi të gjitha kohë. Të dyja gjatë viteve të studimit do të jenë tepër të limituara. Ajo që mund të bëni është të përfitoni nga pushimet e semestrit dhe të hiqni dorë nga e vajtja në shtëpi për më shumë se një herë në vit. Organizata të ndryshme ofrojnë udhëtime falas për aktivitete të ndryshme, kështuqë bëni durim deri atëherë dhe siurohuni që t’i shfrytëzoni mungesat e lejuara në shkollë pikërisht për këto raste.
Pritshmëria e shtatë: Në përfundim të shkollës do të jem në gjendje të flas turqisht shumë lehtë.
Kjo është ndër pritshmëritë më qesharake nga të gjitha. Pavarësisht se do të hasni me persona që do t’ju thonë: “turqishtja jote është perfekte” (sidomos nga turqit të cilëve u bëhet qejfi që një i huaj po mëson gjuhën e tyre duke u munduar t’jua bëjnë qefin), por mos iu besoni. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se një vit përgatitor kursi gjuhe dhe të jetuarit në një vend për 4 apo 5 vite nuk të bën ta mësosh gjuhën në mënyrë perfekte. Një vit përgatitor të mjafton vetëm të krijosh bazat dhe llogjikën e gjuhës, ndërsa vitet e tjera të studimit të ndihmojnë më shumë të komunikosh në përditshmëri apo të mësosh djalektin vendas. Për të përfituar nga këto vite qëndrimi për të mësuar gjuhën duhet që mbi të gjitha të bëni sa më shumë miq turq, të merrni pjesë në aktivitete të ndryshme në turqisht dhe mbi të gjitha: rrini larg të huajve të tjerë apo bashkëkombasve sidomos kur gjeni një gjuhë të përbashkët komunikimi përveç turqishtes.
Nga ana tjetër, përtej këtyre pritshmërive mund të filloni të gëzoheni se do të keni shumë mundësi të tjera që ndoshta nuk i keni menduar më përpara: do të jeni të rrethuar nga kultura të ndryshme prej të cilave mund të mësoni shumë, shoqëria juaj mund të ketë më shumë ngjyra se sa një poster i “United Colors of Beneton”. Do të filloni ta doni vendin tuaj dhe njerëzit tuaj më shumë se më parë, do të zgjoheni në mëngjes duke i thënë vetes se jeni një hero i vërtetë sepse të jesh student i huaj do të thotë të kesh “super fuqi” krahasuar me bashkëmoshatarët tuaj të cilët mësojnë pranë familjeve të tyre dhe në gjuhën e tyre. Mbi të gjitha keni fituar një gjuhë të re, një kulturë të re dhe ju është hapur një portë e re plot mundësi.
Përgatiti në shqip Nada Dosti – /tesheshi.com/