Nga Gjergji Koja
Struktura e qeverisë së re duket se ka përfunduar, ndërsa në të parashikohen bashkime të disa ministrive aktuale.
Kjo do të thotë se kabineti qeveritar që pritet të miratohet nga Kuvendi në shtator do të ketë një numër më të vogël ministrash, duke shkruar drejt një ekzekutivi të trukur .
Nga burime qeveritare mësohet se do të ketë një bashkim mes ministrisë së Bujqësisë me atë të Mjedisit, për vetë specifikën e përbashkët që kanë këto dy dikastere.
Ndërkohë ministria e Turizmit do të bashkohet me Kulturën dhe Sportin, ajo e Zhvillimit Urban do t´i bashkangjitet Pushtetit Vendor, ndërsa Ekonomia dhe Energjitikës do të shkrihen në një dikaster.
Gjithashtu ministria e Integrimit mund të bashkohet me atë të Punëve të Jashtme.
Por në anën tjetër po diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë.
Gjithsesi, e gjithë struktura do të merret në shqyrtim në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku gjithashtu pritet të konfirmohen edhe emrat e kandidatëve për ministra në reverinë “Rama 2”.
Nga deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama, Fatmir Xhafaj mund të rikthehet në postin e ministrit të Brendshëm, të cilin e dorëzoi pas marrëveshjes së 17 majit mes kreut të qeverisë dhe atij të opozitës.
Ndërkohë që emrat aktualë të ministrave nuk dihet nëse do të vijojnë të jen ëpjesë e kabinetit apo do të marrin detyra të reja në organizimin e PS, Grupin Parlamentar etj.
Burimet shprehen se gjithçka do të varet nga kriteret që do të përcaktohen për kandidaturat, pra do të ketë lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, performacën e tyre të deritanishme në pozicionet që kanë, angazhimet në grupin parlamentar, apo do të synohet drejt një rinovimi të kabinetit me emra dhe figura të reja.
Edi Rama për herë të parë në 12 vitet e fundit ka luksin që qeverinë ta ndërtojë pa pasur nevojën e përfshirjes në të të partive të tjera, kjo për faktin se zotëron 74 mandate deputetësh, ndërkohë që minimum për votimin e ekzekutivit është 71.
Por në anën tjetër, rezultati i 25 qershorit ngarkon edhe me më shumë përgjegjësi Ramën si kryeministër dhe PS-në si parti qeverisëse, për faktin se në 4 vitet e ardhshme ajo nuk mund t´ia hedhë fajin askujt tjetër nëse nuk arrin të përmbushë premtimet.
Në këto kushte, duket se kryeministri do të jetë në dilemën nëse në mandatin e dytë qeveriëses do të përzgjedhë njerëzit me eksperiencë, të besuarit e tij, figura të reja, apo do të ketë një gërshetim të tyre.
Në 2013-ën, Rama eksperimentoi jo pak me emra të rinj, pa eksperincë në vendimmarrje apo në funksionimin e shtetit, duke promovuar të paktën dy prej tyre në poste dhe pozicione shumë delikate, Sajmir Tahirin si ministër të Brendshëm dhe Erjon Veliajn në atë të ministrit të Çështjeve Sociale.
Pavarësisht akuzave dhe përballjeve, presionit të brendshëm dhe atij të opozitës, vlerësimeve pro dhe kundër, duket se të dy emrat e përzgjedhur nga Rama kaluan testin.
Veliaj nuk mund të jetë pjesë e qeverisë, pasi prej 2015-ës drejton Bashkinë e Tiranës, ndërsa Tahiri me eksperiencën e fituar në mbi 3 vjet të drejtimit të ministrisë së Brendshme, mund të jetë sërisht një nga emrat që do të përzgjidhen nga Rama si pjesë të ekipit qeveritar.
Niko Peleshi, zv.kryeministër deri në marrëveshjen e 17 majit, ndoshta do të rikthehet në pozicionin që ka pasur. Në 4 vitet e mandatit të parë të qeverisë Rama, pothuajse 80 % e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave janë drejtuar prej tij, ndërsa disa qindar projektligje dhe vendime të miratuara nga ekzekutivi mbajnë firmën e tij.
Në anën tjetër, duket se Ditmir Bushati do të vijojë të jetë pjesë e qeverisë, ndoshta në të njëjtin pozicion atë të kreut të diplomacisë, kjo për faktin se është ndër emrat që ka kaluar edhe “testin” e ndërkombëtarëve, duke arritur të zhvillojë takime në kancelaritë më të rëndësishme botërore.
Damian Gjiknuri gjithashtu mbetet një nga emrat potentë për të vijuar postin e ministrit. Kjo jo vetëm për shkak se përfshihet në një ndër emrat e besuar të kryeministrit, por edhe për faktin se qoftë në Dibër ashtu edhe në Vlorë, ku drejtoi fushatat elektorale arriti rezultate spektakolare. Gjiknuri ka qenë një ndër emrat më të akuzuar nga opozita, por kjo ka mbetur thjesht në kuadrin e akuzave politike.
Mimi Kodheli është një tjetër emër, ndoshta jo në postin e ministres së Mbrojtjes, që mund të vijojë të jetë pjesë e Qeverisë. Ministrja është treguar e “hekurt” në 4 vitet e drejtimit të një prej dikastereve më të rëndësishme, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme që ka krijuar kryesisht me opozitën apo ish-drejtues të FA-ve.
Ogerta Manastirliu, e cila drejtoi për disa muaj ministrinë e Shëndetësisë, apo Olta Xhaçka gjithashtu mund të jenë ndër emrat që mund të përfshihen në ekipin e qeverisë. Manastirliut mund t´i besohet sërisht Shëndetësia, për faktin se ka një eksperiencë 4 vjeçare në këtë fushë, duke drejtuar për disa vjet QSUT-në. Ndërsa Xhaçka mund të marrë drejtimin e një prej dikastereve të reja që do të krijohen.
Gjithsesi e diela e 27 gushtit do të zgjidhë dilemat mbi strukturën dhe përbërjen e kabinetit qeveritar, ku të vetmit që deri më tani kanë pozicione të sigurta janë Edi Rama si kryeministër dhe Gramoz Ruçi si kryetar i Kuvendit. /tesheshi.com/