Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se trupat e KFOR-it mbështesin përpjekjet e diplomatëve të Bashkimit Evropian për të arritur përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Ballkani Perëndimor është një rajon në Evropë ku BE dhe NATO bashkëpunojnë shumë ngushtë. Ne ndihmuam për t’i dhënë fund dy luftërave brutale, fillimisht në Bosnje, pastaj në Kosovë”, tha ai pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës në Bruksel.
“Ne kemi prezencën tonë, misionin e KFOR-it në Kosovë. Aleatët janë të përkushtuar të vazhdojnë të kontribuojnë për forcat”, tha Stoltenberg në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nga Ballkani Perëndimor.
Ai ka deklaruar se në takimin në Bruksel ka pasur njoftime të reja nga disa shtete për rritjen e mbështetjes për misionin e KFOR-it dhe ka thënë se “rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, jo vetëm në lidhje me çështjen e targave”. /tesheshi.com/