Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka këshilluar se është e papranueshme çfarëdo përpjekje që mund të jetë e dëmshme për demokracinë e ndonjërës prej vendeve të NATO-s.
Kreu i Aleancës Atlantike, përkundër heshtjes që shoqëroi diplomacinë perëndimore si 15 korrikun e kaluar e si sot, në 1-vjetorin e grushtit të shtetit të dështuar në Turqi, ka dërguar një mesazh me shkrim me rastin e përvjetorit të parë të kësaj ngjarjeje, në të cilën ai kujton se NATO, menjëherë i ka siguruar mbështetje aleatit të saj Turqisë, dhe njëkohësisht ka dënuar përpjekjen për grusht shteti.
“Kam vizituar Ankaranë menjëherë pas tentativës për grusht-shtet. Ende nuk e kam harruar tronditjen që kam përjetuar kur vizitova ndërtesën e parlamentit turk, i cili u bombardua nga ana e puçistëve”, tha Stoltenberg.
Duke dërguar mesazhe ngushëllimi familjeve të viktimave të 15 korrikut, Stoltenberg përfundoi: “Dua të theksoj se për NATO-n është e papranueshme çfarëdo përpjekje që mund të minojë demokracinë në ndonjërën prej vendeve tona anëtare. Ne shprehim respekt për popullin turk i cili u ngrit në këmbë dhe kundërshtoi tentativën e pabesë, shënjestër i së cilës ishte qeveria turke dhe institucionet demokratike të këtij vendi”. /tesheshi.com/