Ish-tekniku i Lacios pritet të zyrtarizohet sot si trajneri i ri i Interit.
Stefano Pioli do të zëvendësojë në këtë detyrë holandezin Frank de Boer, që nuk ia doli të qëndronte gjatë te Interi, një skuadër e njohur në Itali për paqëndrueshmërinë në rezultate.
Gazzetta dello Sport njofton se Pioli-t do t’i ofrohet një kontratë 18-mujore, ndërkohë që marrëveshja e pagesës pritet të jetë 1.4 milionë euro gjer në fund të këtij sezoni, e dy milionë euro në sezonin pasardhës.
Stefano Pioli do ta zhvillojë stërvitjen e parë të mërkurën, gjatë së cilës do të mungojnë plot 13 lojtarë, të mbledhur me përfaqësueset përkatëse.
Me pesë humbje në 12 javë kampionat, me 17 pikë e në vend të nëntë në renditje, detyra e Pioli-t për ta kthyer Interin në nivelet konkurruese do të jetë e vështirë.
Interi fitoi 3-0 në fundjavë ndaj Krotones së vendit të fundit. Ekipi i Milanos është drejtuar gjatë këtyre ditëve nga trajneri i të rinjve, Stefano Vecchi. /tesheshi.com/