Nga Roald A. HYSA
”Unë në Europë nuk shkoj asnjëherë kokë ulur, ngase nuk kam vrarë asnjë plak, grua apo fëmijë. Nuk kam sulmuar asnjë vend të shenjtë. Ndërsa ata (serbët) i bënë të gjitha mizoritë, para syve të Perëndimit – dhe në emër të Perëndimit” – Alija Izetbegoviç
Fjalë të mëdha të shprehura nga një burrë shteti musliman, i cili nuk e kurseu veten e vet në shërbim të së vërtetës dhe të popullit të vet. Ngjarjet dramatike të atyre ditëve të vështira për popullin boshnjak janë kthyer në një marshim përkujtimor të përvitshëm për të mos e harruar kurrë atë që ndodhi në ato ditë, kur diktatura e Millosheviçit dhe e bashkëpunëtorëve të vet katila vriste të pafajshëm të çdo moshe pa dallim.
Gjatë tri ditëve mijëra pjesëmarrës përshkojnë rrugën, që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat genocidale serbe. Pas një rrugëtimi prej gati 110 kilometrash, që nis nga fshati Nezuk, pranë Tuzlës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 30-vjetori i masakrës. Gjithashtu 7 mbetje kufomash të tjera do të rivarrosen në Potoçari pasi janë identifikuar si persona që kanë humbur jetën në ato ditë të tmerrshme.
Një delegacion nga Kosova do të marri pjesë në këtë përkujtimore të 11 korrikut, duke kujtuar gjithashtu, se edhe politika shqiptare në përgjithësi e ka dënuar këtë masakër ndaj popullit të pafajshëm boshnjak. Mbi 8.370 persona humbën jetën e tyre për të hyrë në histori, si një nga masakrat e tmerrshme ndaj popullsive muslimane në Evropë e gjetkë.
Mirëpo ashtu si e dënuan këtë masakër ndaj boshnjakëve qeveritë tona kanë harruar ose bëjnë sikur nuk e dinë, që një tjetër tragjedi njerëzore po zhvillohet jo shumë larg nesh në Gaza. 650 ditë masakra nga më të ndryshmet ndaj njerëzve tw pafajshwm, si fëmijë, pleq, gra, burra, mjekë, infermierë e gazetarë i kanë çuar shifrat në mbi 60,000 frymë dhe qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës reagojnë në krah të Izraelit me justifikimin banal, që Izraeli ka të drejtë të mbrohet???
Si të mbrohet? Duke vrarë fëmijë e pleq të pambrojtur? Tashmë të gjithë instancat ndërkombëtare të OKB-së dhe mekanizma të ndryshme që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë folur se kjo është gjenocid, kurse qeveritë tona heshtin, duke u bërë bashkëpunëtorë të heshtur në këto vrasje masive.
Të shkosh në Potoçari sot është një hipokrizi. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me gjenocid dhe ne nuk mund të heshtim aspak. 30 vite që përkujtohet masakra e Srebrenicës dhe me qindra të tjerë nuk do të mjaftojnë për ta shlyer nga ndërgjegjja njerëzore masakrën e Gazës. Përmasat e Gazës në shkatërrim ia kalojnë çdolloj përfytyrimi çnjerëzor, dhe ne nuk mund të ndihemi rehat kur qeveritë e dy vendeve tona sillen me parametra të dyfishta, që i çojnë ata në hipokrizi ndërkombëtare. /tesheshi.com/