Nga Bardha Nergjoni
“Spiuni i Ballkanit” është një aventurë e re e regjisorit Spiro Duni, që këtë herë skenën e Teatrit Kombëtar e ka paguar me paratë e publikut të Tiranës. Ka preferuar sërish autorin dhe regjisorin serb pasi veprat e Dushan Kovaçeviçit përshkohen nga fryma ballkanike dhe janë të ngjashme me realitete të përbashkëta të të shkuarës dhe të së tashmes. Spiro Duni nuk i kursen batutat edhe me komente të politikanëve që e kanë ndjekur, apo ashtu ata që e kanë “shpuar” se pse ditën e Pavarësisë në Teatrin Kombëtar vihet në skenë një autor serb.
Spiro Duni shquhet për zgjidhjet e papritura dramaturgjike, shpesh krejt të ndryshme nga perceptimi i lexuesit dhe i auditorit, aq sa gjetjet në lojën e tij mund të cilësohen pa dyshim ato të një mjeshtri të madh. Jo më kot, Kovaçeviç është cilësuar dramaturgu më i njohur serb; ai që ka arritur të ndërtojë një dramë familjare, plot humor dhe batuta të ndërthurura mjeshtërisht edhe pse me pak personazhe, duke e rritur shkallën e tensionit deri në kufijtë ku përfshirja e publikut në shtjellën e ankthit është e pashmangshme.
Këtë herë rolet ua ka besuar aktorëve Ndriçim Xhepa, Albano Prodani, Alesia Xhemalaj, Besmir Bitraku, Maja Aliçkaj, e njohur nga publiku si këngëtare dhe Genti Deçka. Me shumicën e këtyre aktorëve, Duni ka bashkëpunuar në vepra të mëparshme, të vendosura në TK, apo edhe në Teatrin e Korçës. Ashtu si tregojnë dhe emrat e përzgjedhur, bashkë me protagonistin Xhepa, komedia nuk do t’i kufizojë të qeshurat bashkë me dramën e njëkohëshme të paranojës. Pas disa veprave të fuqishme dramatike, Duni kërkon të sjellë pak buzëqeshje, por pa i ikur dramës që përcjell individi.
Është hera e dytë që Duni zgjedh të vërë në skenë një vepër nga Kovaçeviç. Një pjesë, të cilën ai e kishte menduar që para tri vitesh. “Spiuni i Ballkanit” vjen pas “Doktor Shuster”, që shënoi një sukses të madh, nën interpretimin e aktorit Robert Ndrenika, në rolin kryesor, si dhe Artan Imamit, Flaura Kuretës etj.
Regjisori i njohur Spiro Duni flet për “Spiuni i Ballkanit” dhe përmend projektin e tij ndërkombëtar në një intervistë për tesheshi.com.
Mos është gjë “Spiuni i Ballkanit” një dramë e së shkuarës së spiunimeve ndaj njëri-tjetrit siç ka ndodhur edhe me zbulimet e fundit me shkrimtarët shqiptarë?
Titulli i veprës është simbolik. Ky mentalitet nuk është vetëm komunist por haset kudo dhe në çdo kohë. Madje mund t’ju sjell një shembull që po e them për herë të parë. Dy deputetë të PD-së, kur e panë shfaqjen, më thanë një ditë më pas: “Ne tek ky personazh pamë 50% të anëtarëve të PD-së, që nëse guxojmë të themi qoftë edhe një ankesë ndaj kryetarit, këta “Iliat” zgjohen e na thonë “si guxon”. Nëse kjo vepër e Kovaçeviç ka pasur sukses në të gjithë botën ku në gjysmat e regjive ka qenë vetë ai, vjen sepse është edhe regjisor i spikatur. Vepra nuk vazhdon në një trajtë lineare të konfliktit apo të ngjarjeve. Ajo nis nga një pyetje e thjeshtë: Tek ju banon “filani” dhe me çfarë merret? Kaq mjafton që personazhi, i cili ka bërë dy vjet burg dikur për çështje politike, ta kthejë këtë informacion në një ngjarje personale duke përfshirë vëllain dhe gruan në paranojën e tij. Qeraxhiu dhe vajza e shtëpisë janë të vetmit njerëz me këmbë në tokë.
Është mentalitet ballkanas dyshimi dhe paranoja?
Pa diskutim që po. Nuk ka njohës më të mirë të mentalitetit ballkanas se Kovaçeviç. Nuk ka autorë ballkanas më të spikatur se ai pa rënë në provincializëm apo folklorizëm.
Arsyeja pse vë veprat e tij në skenë është se ato janë të shkuara për çdo vend të Ballkanit e më tej. Pra janë të shkruara edhe për Laprakën, për Kinostudion apo Pazarin e ri. Veprat e tij janë simbol i Evropës. Sot mund të cilësohet Çehovi i Evropës.
Ju kanë paragjykuar pse keni zgjedhur një autor serb?
Më kanë paragjykuar si jo. Tani vonë ka ndodhur madje në ditën e Pavarësisë. Një mik i imi, që ma ka aprovuar veprën, në një gazetë do të shkruante se Teatri Kombëtar duhet të vinte në skenë jo veprën serbe të Kovaçeviç, por Ismail Qemalin. Në fakt unë para 3 vjetësh, në 100-vjetorin e Pavarësisë, e realizova veprën kushtuar Ismail Qemalit. Unë nuk mund të ngre sot Fatos Selën nga varri që të luajë Ismail Qemalin, por në një vit të shënuar siç ishte 2012-ta, e realizuam. Mbrëmjen e 28 nëntorit në TVSH u dha. I them mikut tim se e mendoj Kovaçeviçin pjesë të Ballkanit. Mua më duket se vepra përfaqëson edhe 50% të shqiptarëve. E kështu jam i detyruar t’i dëgjoj edhe ata që më kanë folur më parë fjalët më të mira për veprën. Kovaçeviç është një pasuri për Ballkanin. Ka shkruar 50 vepra që i ka realizuar vetë regjinë në pjesën më të madhe dhe kjo e përcjell pse e kam përzgjedhur për herë të dytë.
Eshtë e vërtetë që ju, për të vënë në skenë këtë shfaqje nuk keni pasur asnjë mbështetje?
E vetmja mbështetje është kompania që më ka realizuar posterat. Gjithçka që vjen në shfaqje ëshë vetëm me paratë e spektatorit të Tiranës.
Po testoni spektatorin me këtë shfaqje se sa tërhiqet ai apo veten?
Spektatori i Tiranës e ka paguar 500 lekë biletën për të parë shfaqjen time. Sigurisht që nuk u thyen dyert e teatrit, por ata që vijnë, për mua ka rëndësi që nuk largohen deri sa të përfundojë edhe përshëndetja e fundit. Ishte një aventurë, unë nuk humba asgjë, as fitova. I jap 250 mijë lekë të vjetra Teatrit Kombëtar sa herë që shfaqja ngjitet në skenë. Është e diskutueshme nëse duhet të paguhet apo jo por këtë e kemi bërë. Nuk fitoj para por fitoj një eksperiencë dhe ata që erdhën në sallë më thanë fjalët më të mira.
A është teatri shqiptar në vështirësi?
Nuk dua të flas në përgjithësi për teatrin. Me aq sa ka mundur edhe vetë drejtori Çuli më ka dhënë një mbështetje. Por e gjithë çështja qëndron nëse maja që quhet shtet mendon se teatri do ndihmuar apo jo.
Ju do të jeni së shpejti regjisor i një shfaqjeje që do të vihet në skenë nga teatri kombëtar i Rumanisë. Si lindi ky bashkëpunim?
Kam qenë në Rumani me pjesën “Udhëtimi i gjatë drejt natës” kur konkuruam në “NETA festival” Bukuresht me 13 trupa të tjera europiane. Aktorja e njohur rumune tashmë ndërkombëtarisht Maja Morgenstein dhe drejtues të teatrit rumun e pëlqyen dhe më propozuan të vendosja në skenë një vepër për ta. Më propozuan autorë si Goldon, ose Tolstoi por nuk pranova sepse unë në fakt preferoj autorë të shekullit XX, nuk jam i Tolstoit apo Shekspirit por jam i autorëve si Miller, Willams, O’Neill, etj. ose shqiptare.
Pjesa “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë” i Pëllumb Kullës i tërhoqi vëmendjen. Kur i tregova përrallën për një kryeministër(aludohej për Ibrahim Biçakun) që kërkon ministra në kohën e kolaboracionizmit, ju duk shumë e afërt me historitë rumune pasi edhe ata kanë histori me bashkëpunëtorë të nazizmit.
Ia dërgova të përkthyer në ndihmën e ambasadës shqiptare në Rumani dhe shfaqjen e regjistruar para 28 vjetësh. Pra shfaqja, që do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar rumun, do të ketë regjisor, kompozitor, skenograf por edhe aktorë shqiptarë.
Do të vijë edhe në Tiranë kjo shfaqje?
Ëndërra e tyre por edhe e jona është të vijë edhe në Shqipëri por le ta realizojmë atje fillimisht e më pas do të shikojmë drejt Tiranës.
Aktore në këtë shfaqje do të jetë edhe Maya Morgenstern, “nëna e Krishtit në krah të Mel Gibson. Si e bindët?
Ne kishim një njohje të mëparshme por Maja donte të më shikonte së fundi në teatër ndaj erdhi në shfaqje. Bashkë me drejtorin e teatrit ndoqi premierën e “Spiuni i Ballkanit” në Tiranë. Kur pa komedinë e Kovaçeviç, që sigurisht e njihte mirë si autor, vendosi përfundimisht të bëhet pjesë e shfaqjes që do të vihet në skenë në Rumani. Një aktore me famë botërore si ajo do të luajë në pjesën shqiptare.
Kjo shfaqje është një lëvizje për teatrin e vërtetë dhe një bashkëpunim ballkanas?
S’mund të kërkoja më tepër. Një vepër shqiptare në Rumani, skenograf e kompozitor shqiptar, si Fatbardh dhe Klement Marku, aktorë të mëdhenj rumunë që kanë luajtur edhe në Hollivud janë maksimumi i kërkuar për këtë shfaqje.
“Spiuni i Ballkanit” pati ndikimin e vet apo jo?
Derisa aktorja e madhe dhe drejtori i teatrit rumun erdhën nga Rumania për të parë veprën, mendoj se ka ndikim. Ata e njohin veprën dhe erdhën ta ndjekin. Në përfundim mbetën shumë të kënaqur dhe u larguan të bindur se kishin bërë zgjedhjen e duhur.
“Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë” ishte e rrezikshme në kohën kur e keni vënë në skenë për herë të parë apo jo?
Ishim ende në komunizëm por nuk ishin të gjitha të zeza në atë kohë. Ishte viti 1989 kur diktatori kishte vdekur. Kisha frikë pasi vepra kishte probleme politike. Por disa miq të mitë që kishin qëndruar me Ramiz Alinë në Moskë më kishin thënë se ai fut artistë në burg. Në atë kohë arratiseshin njerëz dhe unë i kisha në vepër. Rezultoi një vepër shumë e suksesshme dhe shpresoj shumë që ky bashkkëpunim shqiptaro-rumun të jetë i suksesshëm gjithashtu. /tesheshi.com/