24 Marsi i vitit 1999 padyshim është ndër datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës. 16 vjet më parë kur serbët vrisnin, digjnin e dëbonin shqiptarët e Kosovës nga toka e tyre, ndërhyri fuqishëm Aleanca Veri Atlantike që njëherë përgjithmonë e dëboi agresorin serb nga Kosova dhe krijoi kushtet për kthimin e shpejtë të afro një milion shqiptarëve të Kosovës, që ishin strehuar, kryesisht në Maqedoni dhe Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës.
16-vjet më parë, pikërisht më 24 mars të vitit 1999 rreth orës 20:00, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, duke dhënë sinjal se një ardhme e re për qytetarët e Kosovës po vjen.
Portali ynë ‘tesheshi’, ka biseduar me disa qytetarë të cilët kohën e bombardimeve ishin në Kosovë. Ata kanë rrëfyer se si janë ndijerë në momentin e bombardimeve, derisa jo larg shtëpive të tyre ishin paramilitarët serbë.
Qytetari nga Prishtina, Bujar Avdiu duke kujtuar vitin 1999, konkretisht datën 24 Mars, kujton se si ai dhe familja e tij ishte e izoluar në shtëpinë e tyre pasi për asnjë moment nuk ishin larguar nga Kosova. Ai thotë se është gëzuar tej mase kur ka dëgjuar se po bombardohen pozicionet serbe.
“Kishte pasiguri në tërë Kosovën. Lufta kishte kapur majën. Nëpër lajmet e agjencive të huaja transmetohej vendimi i paktit NATO për të bombarduar caqet Serbe. Në heshtje ishim të ngazëllyer dhe njëkohësisht të frikësuar nga hakmarrja e forcave policore serbe. Ishte situatë mbresëlënëse, kohës në të cilën detyroheshim të rrinim të izoluar – duke qenë se ishim të rrethuar nga paramilitarët dhe policia serbe – po i vinte fundi. Më gëzonte fakti që dikush mendonte për popullin tonë. Ditë pas dite bombardimesh, niveli i të qenit i lirë rritej, kështu duke përfunduar me lirinë e plotë”, tregon qytetari Avdiu.
Hanife Telaku, nga Banja e Malishevës ka treguar për portalin tonë se si e ka përjetuar momentin e bombardimeve të NATO-s.
“Natën e bombardimit të NATO-s kam qenë në Kosovë. Kemi qenë në një katund të Malishevës, të strehuar në një familje. Më kujtohet mire kur një nga familjarët ka ardhur dhe na ka thënë ‘Amerika po e bombardon Serbinë’, jemi gëzuar shumë në atë moment, pasi menduam se serbët do të largohen menjëherë. Por, jo, policët serbë duke pare se po ju vije fundi, ata nisën të digjnin dhe shkatërroin çdo gjë. Forcat serbe kanë qenë jo larg fshatit ku jemi strehuar ne. Nga oborri kemi parë se si atë natë, serbët ia venin flakën çdo shtëpie në fshatrat, Astrazub, Dragobil e fshatra tjerë të Malishevës.
Nga frika që serbët do të vijnë në fshatin ku rrinim, kemi marrë rrugë për një fshat tjetër të Malishevës, i cili quhet Bellanicë. Këtu kemi nejt dy netë dhe forcat serbe kanë hyrë në brendi të fshatit më duket në mëngjesin e 3 prillitt. Ka qenë ditë e tmerrshme. Jemi frikësuar shumë pasi në këtë vend thuhet se kanë qenë diku 10 mijë persona në një fushë. Na morën çdo gjë që kishim, para, ari, por fatmirësisht shpëtuam, pasi frikësoheshim se do të na vrisnin të gjithëve, fëmijë, gra e plqe që ishim, pasi të rinjtë kishin ikur maleve për të mos rënë në duart e kriminelëve serbë.
Në Bellanicë kemi përjetuar tmerr të vërtetë pasi çdo moment serbët na kërcënoin se do të na vrisnin. Por, fatmirësisht na dhanë urdhër të largohemi nga ky fshat. Dy tre familje kemi qenë në një traktor dhe nga aty jemi nisur mes frikës për në Malishevë. Kur, kemi mbërri këtu na kanë hypur në një kamion të mëdhenj dhe na kanë dërguar në kufi me Shqipërinë. Aty na kanë zbritur dhe kemi ecur këmbë deri në Kukës. Kurrë nuk do t’i harroi këto momente. Falë zotit jemi gjallë pasi kur e mendoi çfarë kemi kaluar më duket e pabesueshme si kemi shpëtuar”, ka rrëfyer Hanifja.
Endrit Jakupi nga Prishtina. ka treguar se në momentin e bombardimeve të NATO-s ka qenë në shtëpinë e tij. Bombardimi i NATO-s i ka rikthyer shpresën dhe gëzimin në fytyrat e njerëzve të gjorë që kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe po jetonin në tenda.
“ Kurrë nuk do ta harroi 24 Marsin e vitit 1999. Kemi qenë me familje pasi nuk kishim ikur ende. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe bombardimi i caqeve serbe nga gëzoi shumë, ishte ditë shprese për të gjithë ne, që regjimit serb po i vije fundi. Megjithatë, nuk mund të gëzoheshim aq shumë pasi paramilitarët serbë i kishim afër dhe ende ishim në ankth se nga frika e këtyre e bombardimeve policët serbë do të hakmerreshin ndaj popullatës që kishte mbetur në Prishtinë, por edhe në qytetet dhe fshatrat tjera të Kosovës.
Ti kthehem ndërhyrjes së NATO-s. Ka qenë shpëtim për të gjithë shqiptarët, pasi paramilitarët serbë po tentonin shfarosjen e të gjithë shqiptarëve. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë padyshim vendimtare nga çlirimi i paramilitarëve serbë, por assesi nuk duhet të harrohet lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-së. Është ditë e lumtur për të gjithë popullin e Kosovës që besoj se nuk do të harrohet kurrë”, ka thënë Endriti.
Bota tregoi humanizmin me dëbimin e forcave serbe nga Kosova
16-vjet pas, institucionet e Kosovës kanë falendëruar vendet anëtare të NATO-s për intervenimin mbi caqet serbe.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate me rastin e 16-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s i ka vlerësuar si një akt i cili mundësoi që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë.
“Në shënimin e 16-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, kur shënohet fillimi i kthimit të shpresës për qytetarët e Kosovës për një jetë të re, shprehim mirënjohje të përhershme për SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë”.
“Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes të së martës të qeverisë, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka shprehur falendërimet e thella për vendet anëtare të NATO-s.
“Them se 24 marsi shënon fillimin e fundit të luftës së Kosovës dhe fillimin e lirisë së vendit tonë. Gjatëmbëdhjetë vjet pas, Kosovën ne e përjetojmë si vend të lirë, vend sovran dhe vend të pavarur, dhe vend i cili synon të integrohet në Bashkimin Evropian”.
“Dëshiroj që veçmas t’i falëndëroj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të vendit tonë, për një kontribut shumë të madh për mbrojtjen e civilëve dhe në mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për përkrahjen dhe ndihmën që i dhanë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë”, ka thënë Mustafa.
Beograd, digjen flamujt e NATO-s, BE-së, SHBA-së dhe Kosovës
Qindra mbështetës të Partisë Radikale Serbe në Beograd, sot në 16 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë dhe Serbi, ia kanë vënë flakën flamujve të NATO-s, BE-së, SHBA-ve dhe Kosovës.
Mëtutje, siç raporton agjencia Beta nga Beogradi, duke folur në këtë tubim, lideri i radikalëve, Vojisllav Sheshel, tha se Serbia asnjëherë nuk guxon të bëhet anëtare e NATO-s e as e Bashkimit Evropian, megjithqë “regjimi tradhtar i Aleksadar Vuçiqit po punon për këtë”. “Kemi dashur që simbolikisht me këtë tubim ta shënojmë fillimin e agresionit, por regjimi këtë tubim e ka ndaluar”, tha Sheshel, dhe ka shtuar se “Partia Radikale e Serbisë “kurrë” nuk do të pajtohet me “pavarësinë e imagjinuar” të Kosovës.
78 bombardime
Pas 78 ditëve të bombardimeve, që filluan në mbrëmjen e 24 Marsit të vitit 1999, dhe
aktualisht forcat e jashtme paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, në kuadër të misionit, KFOR, ende janë në Kosovë, dhe ndihmojnë në transformimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Më 17 shkurt 2008, Kosova e ka shpallur pavarësinë e cila është njohur nga 110 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara,përfshirë Shtetet e Bashkuara, 23 vende të Bashkimit Evropian, e shumë të tjera.
Por, pavarësia e Kosovës nuk njihet nga Serbia. Rusia, po ashtu, e kundërshton pavarësinë e Kosovës. /tesheshi.com/