Standardet e zgjedhjeve, sfida 25-vjeçare e politikës shqiptare…
Nga Luljeta Progni
Mos votoni kandidatët e inkriminuar! Ndërkombëtarët, arbitri i zgjedhjeve shqiptare, vazhdimisht kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, kanë denoncuar votimin familjar dhe fshehtësinë e votës, kanë folur për listat e të tjerë element që plotësojnë standardet, por këtë radhë u shtua edhe një thirrje tjetër: që të shpëtojmë nga kriminalizimi pushtetin vendor.
Në Shqipëri gjatë 25 viteve, nga 13 zgjedhje të realizuara vetëm 3 janë pranuar. Inercia e kërkon që edhe zgjedhjet e 21 qershorit të pranohen si rezultat, megjithatë sfida e vërtetë nuk është pranimi, por arritja e standarteve.
Ende pa filluar procesi i votimit, ekziston një listë jo e shkurtër me probleme dhe incidente. Dy janë më kryesoret. Kriminalizimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe shitblerja e votës. Ndërkombëtarët janë aktivizuar gjatë gjithë fushatës me thirrjet e tyre drejtuar votuesve shqiptarë të mos e shesin votën dhe të mos votojnë kandidatët e inkriminuar. Thirrjet e tyre drejtuar votuesve dëshmojnë se ata kanë dështuar në përpjekjen e tyre drejtuar partive politike për të mos kandiduar personat me të shkuar kriminale.
Këto janë dy arsye të mjaftueshme për të parashikuar se raporti i tyre për 21 qershorin, do të shoqërohet nga një listë e gjatë me rekomandime të OSBE/ODIHR-it.
Si janë zhvilluar gjashtë zgjedhjet e mëparshme lokale në këto 25 vite?
Cili ishte konteksti politik, rezultatet dhe raportet e ndërkombëtarëve?
Historia nis me zgjedhjet vendore të vitit 1992 dhe vjen deri në 8 maj 2011.
26 korrik 1992
Zgjedhjet lokale të vitit 1992 u zhvilluan në një situatë specifike politike. Ishin të parat zgjedhje lokale pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri dhe vinin vetëm tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare ku kishte fituar me rezultat të thellë partia Demokratike.
Situata politike ishte mjaft e acaruar. Po mbusheshin dy vite prej rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri dhe partia e parë opozitare PD kishte fituar pushtetin për të nisur menjëherë revanshin kundër ish-komunistëve të PS-së. Rezultati i zgjedhjeve të 26 korrikut ishte suprizë. Partia Socialiste i fitoi këto zgjedhje me 49.87% të votave ndaj koalicionit të djathtë, i cili fitoi 46.98 %. Ishte surprizë pasi në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara tre muaj më parë PD kishte fituar rreth 67% në shkallë vendi. Një ndër arsyet e humbjes së PD-së në këto zgjedhe ishte kosto e krijuar për shkak të reformave ekonomike që nisen menjëherë, por kishte edhe arsye të tjera. PD ishte përçarë pasi një grup themeluesish të saj hodhën kritika të ashpra ndaj liderit Sali Berisha, i cili në atë kohë ishte president i vendit. Për shkak të mosmarrëveshjeve, Arben Imami, Gramoz Pashko e të tjerë themelues të PD-së dolën kundër vendimeve të Berishës dhe kjo u reflektua edhe në mungesën e tyre në fushatën e zgjedhjeve vendore të 26 korrikut. Ata morën emërimin mocionistët, për shkak se pas humbjes së PD-së në zgjedhjet lokale publikuan një mocion me disa pika ku bëhej përgjegjëse për humbjen, por edhe për standardet e cënuara të demokracisë, nga lidershipi i PD-së.
Raportet ndërkombëtare kishin thuajse të njëjtin vlerësim për procesin zgjedhor të 26 korrikut me atë të 22 marsit. “Situata parazgjedhore ishte e tensionuar dhe me mosbesim të dyanshëm. Fushata elektorale u shoqërua me retorikë të ashpër në media dhe fjalime publike, dhe se situata ekonomike ishte shumë e rëndë”, sipas raportit të NRI / NDI. “Briefing Report for the Albanian Elections”, Tirana, mars 1992. SHBA e vlerësoi procesin me standarde minimale duke vënë në dukje grupin më të prekur nga manipulimi i votës, atë të ushtarakëve. Në këto zgjedhjet edhe pretendimet e ndërkombëtareve për standarde ishin minimale pasi Shqipëria kishte vetëm dy vite që ishte ndarë nga sistemi komunist.
20 tetor 1996
Zgjedhjet vendore të 20 tetorit të vitit 1996 u zhvilluan pas zgjedhjeve problematike të 26 majit të këtij vitit. Ato të 26 majit, u konsideruan si zgjedhjet më të manipuluara në historinë e tranzicionit. U kontestuan nga ndërkombëtarët dhe nuk u pranuan nga opozita. Por vetëm pak muaj më pas zgjedhjet vendore të 20 tetorit u konsideruan si zgjedhje të qeta dhe me më pak probleme. Në fund të këtij procesi Partia Demokratike fitoi 37 bashki, PS-ja në 4 bashki, një bashki u fitua nga kandidati i pavarur dhe 22 në balotazh. Në votimin proporcional në 36 rrethe Partia Demokratike fitoi 52.5%, PS-ja 31.2%, dhe partitë e tjera pjesën e mbetur.
Në përfundim të këtyre zgjedhjeve, misioni vëzhguesve ndërkombëtarë, deklaroi se zgjedhjet lokale të 20 tetorit 1996 përbënin një përparim të konsiderueshëm në krahasim me zgjedhjet e majit 1996. Sipas ekipit vëzhgues atmosfera elektorale e zgjedhjeve lokale ishte shumë më e qetë dhe demokratike sesa në zgjedhjet e majit 1996. Këto zgjedhje u konsideruan aq pozitive sa ekipi vëzhgues ndërkombëtar i Istitutit Republikan Amerikan arriti në përfundimin se në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje legjitime, por sistemi zgjedhor dhe administrimi i tyre është vulnerabël ndaj abuzimeve dhe manipulimeve të mundshme.
1 Tetor 2000
Zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2000 u zhvilluan në një situatë politike më të qetë krahasuar me proceset e dhjetë viteve të mëparshme.
Partia Socilaiste dhe aleatët e saj kishin rreth tre vite në pushtet dhe këto zgjedhje ishin prova e parë e kësaj mazhorance për të zhvilluar një proces zgjedhor të lirë dhe me standardet demokratike. Për tre vitet e mandatit të parë legjislativ mazhoarnca e majtë kishte kaluar furtuna të forta politike, brenda saj dhe në përballje me kundërshtarin. Përballë kësaj mazhorance të përçarë gjendej një opozitë e cila kishte nisur të rimëkëmbej pas tronditjes së thellë që kishte pësuar në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997. i
Zgjedhjet vendore të vitit 2000 ishin po aq të rëndësishme edhe për opozitën e djathtë pasi ishte gjthashtu prova e parë elektorale pas refomimit të së djathtës, gjatë tre viteve në opozitë.
Pavarësisht problemeve këto zgjedhje u morën shumë seriozisht nga dy palët politike dhe finalja ishte një rezultat shumë i ngushtë në përqindjene votave të marra prej tyre në zgjedhjet lokale 2000.
Në përfundim të zgjedhjeve rezultoi se PS-ja dhe aleatët e saj fituan 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna. Në proporcional PS-ja fitoi 42.91% ndaj 33.79% të PD-së.
Këto zgjedhje u monitoruan rreptë nga ndërkombëtarët. Misioni kryesor ishte ai i OSBE/ODHIR-it i drejtuar nga diplomati italian Eugenio Polizzi. Në përbërje të tij ishin 270 vëzhgues nga shtetet anëtare, ndërkohë që disa dhjetëra vëzhgues të huaj vepruan edhe në kuadër të Këshillit të Europës, Institutit Demokratik Amerikan dhe Parlamentit Europian.
Misioni kryesor, ai i ODHIR-it, doli me 2 tetor me deklaratën paraprake, e cila vlerësonte
se zgjedhjet shënuan “një përparim domethënës drejt arritjes së standardeve për zgjedhjet demokratike”. Në këtë raport renditen një sërë kritikash që kanë të bëjë me kodin elektoral, përbërjen e KQZ, klimën politike etj.
12 tetor 2003
Specifike edhe në këto zgjedhje ishte diferenca shumë e vogël në rezultate mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Sociolaiste dhe aleatët e saj fituan 34% të votave në pushtetin vendor, ndërsa Partia Demokratike mori 32% të votave në këto zgjedhje. Këto zgjedhje u zhvilluan menjëhrë pas marrëveshjes politike ndërmjet PS dhe PD, e quajtur ndryshe marrëveshja Nano-Berisha. Mazhoranaca e asaj kohe, e cila kishte përqenduar të gjithë pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, hyri në një krizë të thellë. U ashpërsuan skajshëm betejat politike brenda Partisë Socialiste, e cila u reflektua edhe në institucionet më të larta të shtetit duke shkaktuar kriza ndërinstitucionale. Marrëveshja Nano-Berisha u stimulua nga thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarë për konsensus politik mes palëve. Pas kësaj marrëveshje, u zgjodh presidenti i Republikës në korrik të vitit 2002. Alfred Moisiu është emri konsensual që u zgjodh në krye të shtetit me marrëveshjen e dy palëve. Ndërkohë që mazhoranca brenda saj vazhdonte të vuante pasojat e konflikteve Rama-Meta, opozita u përqëndrua fort në betejën e saj elektorale kryesisht në Tiranë dhe rezultati final mes dy palëve ishte me një diferencë prej dy pikësh. PS e i fitoi këto zgjedhje, por humbi ndjeshëm terren në elektorat krahasuar me zgjedhjet e fundit që ishin zhvilluar. Pas përfundimit të procesit zgjedhor misioni vëzhgues i OSBE/ODHIR-it arriti në përfundimin se zgjedhjet “ishin një mundësi e humbur për një përparim domethënës drejt përmbushjes së angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”. Misioni vlerësoi pozitivisht klimën politike dhe elektorale. “ Mosmarrëveshjet në periudhën parazgjedhore u trajtuan në një mënyrë të matur dhe përfshirëse, ku presidenti i Shqipërisë dhe KQZ-ja luajtën një rol konstruktiv”.
18 shkurt 2007
Zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007, u paraprinë nga një krizë e gjatë politike e cila çoi në shtyrjen me disa muaj të ditës së zgjedhjeve. Kryetari i opozitës Edi Rama refuzoi të hynte në zgjedhje duke pretenduar në përpjekjet e mazhorancës për manipulim të procesit. Zgjedhjet vendore ishin parashikuar të zhvilloheshin në nëtor të vitit 2006 dhe ato u shtynë për 18 shkurt 2007 pasi u arrit marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës. Edi Rama ishte në garë për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës për herë të tretë. Në garën përballë tij ishte Sokol Olldashi një ndër ministrat më të suksesshëm në dy vitet e para të qeverisë Berisha. Edi Rama e fitoi garën në Tiranë, por PS e humbi garën në shkallë kombëtare. Megjithatë PS dhe aleatët e saj fituan 6 bashkitë më të rëndësishme të vendit, por humbën shumicën e komunave. PD fitoi në shkallë kombëtare 47,86% të votave ndërsa PS fitoi 43.74%. Ndërkombëtarët i vlerësuan me përparim të dukshëm këto zgjedhje, por ende jo aq sa të konsiderohen zgjedhje me standarde . Ndërkombëtarët vlerësuan pozitivisht kuadrin ligjor, por ishin gjithashtu kritikë në nenet ligjore për identifikimin e zgjedhësve, sidomos të emigrantëve, në verifikimin e nënshkrimeve, krijimin e kompozimin e KQV-ve etj.
Raporti vlerësoi se zgjedhjet ishin sërish larg standardeve duke argumentuar se në 10% të rasteve të votimit dhe në 23% të numërimit, zgjedhjet u vlerësuan “keq” ose “shumë keq”.
Zgjedhjet lokale të vitit 2011
Në zgjedhjet lokale të 11 majit të vitit 2011, Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan 51.77 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet e 8 majit, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj fituan 42.75 për qind. Në këto zgjedhje, Ilir Meta dhe LSI ishin pjesë e koalcionit të djathtë me Berishën. Kryetari i PS-së Edi Rama ishte në garë për Tiranën për herë të katërt përballë Lulzim Bashës si kandidat e PD-LSI-së. Lulzim Basha ishte ndër ministrat kryesorë të qeverisë Berisha në dy mandate qeverisëse. Edi Rama e humbi garën me Bashën me një diferencë shumë të vogël votash. Ndërsa ndërkombëtarët i vlerësuan këto zgjedhje sërish larg standarteve të kërkuara megjithse pranuan disa përmirësime në këtë proces.
Zgjedhjet e sotme lokale janë të parat pas fitores së PS-LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 23 qershor 2013. Këto zgjedhje janë test i rëndësishëm jo vetëm për të konfirmuar mbështetjen në elektorat për reformat e ndërmarra, por janë një test mjaft i rëndëishëm për kryeministrin Rama sa i përket plotësimit të standardeve në procesin zgjedhor. Edi Rama ka premtuar solemnisht se me të ardhur në pushtet, një ndër objektivat kryesore të tij do të ishin zhvillimi i zgjedhjeve me standarde demokratike, garantimi i votës së lirë për qytetarët. Ai premtoi se cilido që do të provojë të manipulojë vullnetin e lirë të zgjedhësve do të përballet me burgun.
Në të vërteë nuk po ndodh kështu. Në këtë fushatë kanë ndodhur mjaftueshëm incidente sa për të rrëzuar këtë premtim të kryeministrit. Ashtu siç duket se raportet e ndërkombëtarëve do të kenë të njëjtin mesazh: zgjedhjet kishin përmirësime (nëse do kenë) por janë ende larg standarteve. /tesheshi.com/