Nga Luljeta Progni
1-Berisha mungon në fushatë
Ka drejtuar Partinë Demokratike në beteja elektorale drejt fitoreve të bujshme e humbjeve fatale në 23 vite, por kësaj here mungoi në fushë-betejën politike. Sali Berisha, ish-kryetari i Partisë Demokratike, nuk mori pjesë aktive në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit. Berisha njihet si një ndër politikanët më energjik në këto vite, aftësi që ia njeh edhe kundërshtari i tij, Edi Rama. Mungesa e aktivizimit të Berishës në fushatë ka dhënë efekte të padiskutueshme dhe ky është një ndër detajet kryesore të kësaj fushate. Kësaj fushate i ka munguar pikërisht kjo energji, që me sa duket injektohej nga Sali Berisha. Mungoi në këtë fushatë sepse ai nuk është më kryetar i PD-së pasi dha dorëheqje pas humbjes fatale në zgjedhjet e 23 qershorit, pas një fushate dinamike drejtuar prej tij. Sfidën për të drejtuar PD-në drejt fitores e ka tashmë Lulzim Basha.
2-Fushata e vakët e opozitës dhe luksi i mazhorancës
Në këtë fushatë munguan mitingjet me pjesëmarrje masive. Ndërsa mazhoranca i shmangu që në nisje duke ndryshuar strategji, opozita nuk mundi të organizojë mitingje të krahasueshme më zgjedhjet e mëparshme, sa i përket pjesëmarrjes së elektoratit. Në këto zgjedhje vihet re një fushatë elektorale e vakët e PD-së. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e përcolli filozofinë e tij të drejtimit në këtë fushatë përmes fjalimeve me disa slogane që godasin kundërshtarin, por që nuk duket se japin efekt aq të fortë tek elektorati. Ish-drejtuesit e kësaj partie munguan në këtë fushatë elektorale dhe kandidatët e PD-së u shfaqën zbehtë edhe pse me premtimet e tyre ishin të bujshme.
Nga ana tjetër, dështimi i mitingut elektoral i Ramës në Kukës në nisje të kësaj fushate duket se diktoi një stil të ri të mazhorancës në këtë fushatë. Mazhoranca e majtë ka zhvilluar përgjithësisht një fushatë luksi me shpenzime të mëdha. Mbështetësit e mazhorancës janë akomoduar nëpër karrige e tavolina të shtrenjta në takime elektorale me pjesëmarrje të kufizuar, të përcaktuar paraprakisht nga shtabet elektorale. Ndoshta edhe nga frika e garës me opozitën për numrin pjesëmarrësve në takime elektorale.
3-Reforma e re administrative, pamundësia e kandidatëve për të shkelur terrenin
Ndarja e re administrative imponoi një model të ri të fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur njësitë vendore ishin të ndara në bashki e komuna, në këto zgjedhje, i gjithë territori është grupuar në 61 bashki nga 373 që ekzistonin. Me reformnën e re administrative një bashki përmbledh, përveç qytetit një numër të madh komunash në një territor shumë të shpërndarë me një numër votuesisht ndjeshëm më të lartë se në zgjedhjet e shkuara. Për këtë arsye, shumica e kandidatëve nuk arritën dot të shkelin në të gjithë zonat ku ata kandidojnë duke i mohuar një numri të konsiderueshëm votuesish të njihen nga afër me atë që do ti drejtojë katër vitet e ardhshme. Kjo për shkak se kandidatët dhe partitë u gjetën disi të papërgatitur me terrenin e ri që solli reforma e re administrative.
4-Fushata në rrjetet sociale
Në pamundësi për të kontaktuar votuesit në çdo cep të territorit që mbulon secila bashki, partitë dhe kandidatët janë përpjekur të përdorin çdo lloj mënyre për t`u shfaqur para syve të votuesve. Një prej tyre është edhe fushata intensive në rrjetet sociale. Në këtë fushatë është rritur ndjeshëm sasia e reklamave në rrjetet sociale. Për pasojë janë shtuar shpenzimet e partive dhe kandidatëve. Sipas të dhënave, në këtë fushatë janë angahzuar stafe të mëdha pranë kandidatëve të partive të aktivizuar për fushatë vetëm në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook e Instagram. Stafet pranë kandidatëve konfirmojnë se reklamat në Facebook 3 ditë para zgjedhjeve arritën një çmim rekord prej 0.15 USD për klikim, nga 0.01 USD për klikim që është çmimi në periudha normale për përdoruesit shqiptarë. Pra në qoftë se reklama e një kandidati është klikuar 1000 herë, ka kushtuar 150 USD.
5-Gjurmët e kandidatëve të pavarur në këto zgjedhje
Janë rreth 20 kandidatë të pavarur që kanë hyrë në garën për zgjedhjet e 21 qershorit. Gjergj Bojaxhi është kandidati më i rëndësishëm në grupin e të pavarurve. Bojaxhiu ka hyrë në garën më të rëndësishme në këto zgjedhje, atë për bashkinë e kryeqytetit. Gjergj Bojaxhiu dhe grupi i tij mbështetës “Ne Tirana” zhvilluan një fushatë elektorale modeste, por qytetare bazuar në vullnetarizëm, model i paplikuar më parë në Shqipëri. Gjergj Bojaxhi është vlerësuar nga sondazhet e deritanishme me peshë specifike në këto zgjedhje, deri në 15%. Jo pa ndikim është edhe kandidati i pavarur në Fier, Albert Çaçi, i cili mbështetet edhe nga PSD-ja e Skënder Gjinushit . Kandidati i pavarur Vasil Bedinaj në Vlorë pritet të ketë ndikim në uljen e numrit të votave të majta në këtë bashki. Mediat kanë shkruar se Bedinaj mbështetet nga ish-krytari socialist i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Sidoqoftë, në këtë fushatë nuk është i veçantë numri i kandidatëve të pavarur, por ndikimi i tyre në bashkitë ku garojnë.
6- Rekord në pjesëmarrjen e grave në garën e 21 qershorit, 50% në këshillat bashkiakë
Pjesëmarrja e grave kandidate në këto zgjedhje është padyshim një risi. Numri i kandidateve për kryetare bashkie është rritur ndjeshëm. Janë 26 gra që kanë hyrë në garë për 26 bashki dhe sipas sondazheve shumë prej tyre janë favorite për të fituar. Në zgjedhjet e shkuara numri i grave që garuan apo i fituan zgjedhjet ishte i papërfillshëm. Ishte vetëm një kryetare bashkie në mandatin që mbyllet sot.
Shifra rekord e pjesëmarrjes së grave është rritur me kandidatet për këshillat bashkiake. Janë 50% gra kandidate për këshillat bashkiakë me shumë mundësi për të fituar.
7- Kandidatët e pashkolluar
Një ndër detajet që të bie në sy kur shikon jetëshkrimin e kryebashkiakëve që kanë drejtuar Tiranën apo bashki të tjera të vendit në vitet 1913-1944, është niveli i lartë arsimor. Megjithë vështirësitë shumë të mëdha me të cilat përballej Shqipëria në ato vite, kishte personalitete të spikatuara për të drejtuar qoftë pushtetin vendor qoftë atë qëndror. Arsimimi i tyre ishte model dhe i pakrahasueshëm me ata që drejtojnë apo aspirojnë të drejtojnë, Shqipërinë e një shekulli më pas. Nëse kryebashkiakët e viteve 30-40 vinin nga shkollat e Stambollit, Vjenës, Londrës e Parsit, ata të sotmit janë miks, nga universitetit Kristal tek “aftësitë kopetente për programe kompjuterike…. “ e deri tek kandidatët me të shkuar kriminale. Ka kandidatë të veçantë të cilët kanë formim të mirë dhe kanë punuar për të merituar postin e kryebashkiakut. Por për shumicën e kandidatëve në këto zgjedhje, situata është dramatike. Reporter.al ka mbledhur dhe publikuar CV e të gjithë kandidatëve. Nga të dhënat e publikuara në këtë media citohet se ajo që dallohet nga të gjitha llojet e kandidatëve është niveli i ulët i arsimimit dhe numri i lartë i kandidatëve me të shkuar të dyfishtë, biznes privat plus punësim në shtet, ku në rastet e punësimit, dallojnë punë si në agjenci ligjzbatuese si Aluizni, dogana, polici tatimore, polici ndërtimore dhe ajo e rendit”.
8-Dekrimalizimi
Dekriminalizimi ishte padyshim ndër elementët kryesorë të kësaj fushate elektorale. Thirrjet e ndërkombëtarëve për përjashtimine kadidatëve të inkriminuar, e kanë dominuar këtë debat. Ambasadori i SHBA-së Donald Lu, i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të mos votojnë kandidatët e inkriminuar duke e konsideruar fakt se në këto lista ka kandidat të inkriminuar. Ky mesazh i ambasadorit amerikan vjen pasi thirrjeve të tij të vazhdueshme drejtuar partive politike për të mos kandiduar elementë me të shkuar kriminale. Po kaq e qartë dhe aktive ka qënë në këtë çështje edhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë Romana Vlahutin.
9-Tërheqja e kanditavë, PD i “fal” fitoren mazhorancës në tri bashki
Pas mesazheve të përsëritura të ambasadorëve dhe akuzave të ndërsjellta mes mazhorancës dhe opozitës për kandidat të inkriminuar në këto zgjedhje, kemi një bilanc të njëanshëm. Partia Demokratike ka tërhequr nga gara dy kandidate, ndërsa një i tretë është tërhequr vetëm dy ditë para datës së zgjedhjeve. Kandidati demokrat për bashkinë e Finiqit e la garën e tij për këtë bashki më datë 19 qershor dy ditë para zgjedhjeve. Ai sqaroi se e kishte marrë vendimin e tërheqjes për arsye familjare.
Më herët, Partia Demokratike ka çrregjistruar kandidatin e saj në Këlcyrë, Gentian Muhametaj. Vendimi i PD-së erdhi pas informacioneve se kandidati kishte të shkuar kriminale. Vendimi i PD-së ishte i vonuar, pasi në momentin e tërheqjes , Kodi i’a bën të pamundur zëvëndësimin e kandidatit. Për këtë arsye PD është e papërfaqsuar në Këlcyrë. E ngjashme është situata në bashkinë e Kurbinit. Kandidati i PD-së në Kurbin, Altin Biba, është tërhequr nga gara ndërsa KQZ ka refuzuar ta çrregjistrojë atë. Vendimi i KQZ-së pengoi zëvëndësimin e tij me një tjetër kandidat të PD-së dhe për këtë arsye elektorati demokrat në Kurbin mbetet i papërfaqësuar më 21 qershor.
Ndërsa PS nuk ka tërhequr asnjë kandidaturë të saj edhe pse ka pasur akuza të forta nga opozita por edhe fakte të pasqyruara në media për të paktën dy kandidat të dyshuar për të shkuarën e tyre kriminale.
10-Shitblerja e votës
Shitja e votës është ndër çështjet më të komentuara edhe në media dhe rrjetet sociale në Shqipëri, në këtë fushatë për zgjedhjet e 21 qershorit. Shitja e votës në këto zgjedhje është një ndër problemet kryesore e parë si e tillë nga ndërkombëtarët, pasi janë publikuar fakte konkrete të përpjekjes për shit-blerje vote. Ky është ndoshta akti më i rëndë kriminal, atentati më i madh ndaj demokracisë, është një papërgjegjshmëri qytetare nga blerësit dhe shitësit e votës.
Sidoqë të ndodhë pas fushatës, në se ndëshkohen apo jo përgjegjësit për shit-blerjen e votës, e sigurtë është se nëpërmjet këtij standardi të ulët, shqiptarët po krijojnë një precedent që do t’ju duhen dekada për ta zhdukur. Në kohët moderne dhe të hershme, ky fenomen ka rrezikuar jo vetëm funksionimin, por edhe vetë ekzistencën e shteteve. /tesheshi.com/