Rreth 71% e personave të pyetur në një sondazh në Serbi të kryer nga televizioni B92, mendojnë se hyrja e Serbisë në NATO dhe BE nuk do të jetë e mirë.
Njëkohësisht, më shumë se 55% të serbëve do të zgjidhnin marrëdhëniet e ngushta me Rusinë përpara Bashkimit Europian.
Siç bën të ditur B92, vetëm 11 përqind e popullsisë i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes që “Serbia duhet të bashkohej me NATO-n dhe Bashkimin Europian”.
Ndërkohë, pak më sumë se 19% janë të pavendosur.
Serbia është vendi që vitet e fundit është “llastuar” më shumë nga Bashkimi Europian, por para një muaji, eurodeputetja austriake që është reportere e Kosovës në PE, deklaroi atë që siç duket përbën qëndrimin bazik të Brukselit: “Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së pa njohur pavarësinë e Kosovës”.
Para dy ditësh, Kroacia bëri të ditur se do të bllokojë hyrjen e Serbisë në BE duke vendosur veton, pasi ky vend ende përkrah kriminelët e luftës; dhe mesazhi ka qenë i qartë për Vojisllav Sheshel.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq deklaroi se “është i tronditur nga qëndrimi i Zagrebit”.
“Qeveria kroate nuk ka asnjë arsye të vlefshme për ta marrë këtë vendim”, tha Vuçiq.
Zagrebi ka kundërshtuar të ashtuquajturin “kapitullin 33” i cili flet për pavarësinë e gjyqësorit dhe bashkëpunimin me Gjykatën Speciale për Krime të Luftës.
Kjo ka ndodhur pas pafajësisë së Vojislav Sheshelit nga Gjykata e Hagës, kur në fakt në Kroaci, gjatë luftës së viteve 1992-1995 paramilitarët e Sheshelit kryen krime të tmerrshme në zonën e Krainës. /tesheshi.com/