Opinioni publik në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara po i drejtohet vijës së ashpër pas sulmeve terroriste në Paris. Më shumë se katër në dhjetë britanikë, apo 44 për qind, tashmë besojnë se Britania e Madhe duhet të mbyllë krejtësisht kufijtë e saj për refugjatët. Kjo shifër përbën një rritje me pesë pikë krahasuar me sondazhin e zhvilluar në tetor nga kompania Ipsos Mori.
E njëjta pikëpamje gjen mbështetje tek një ndër dy amerikanë, apo 48 për qind, me dy pikë rritje krahasuar me muajin e kaluar. Opinionet në këto dy vende janë ndërkaq, në kontrast të thellë me Kanadanë ku vetëm një e treta e votuesve dëshirojnë mbylljen e kufijve për refugjatët, që përfaqëson rënie me 1 për qind krahasuar me tetorin.
Debati në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve në Paris u përqëndrua rreth kontrolleve të sigurisë dhe procesimit të të dhënave përpara se refugjatët sirianë të vendosen në vend, shoqëruar me një retorikë të shtuar mes kandidatëve republikanë për Shtëpinë e Bardhë, që kërkojnë miratimin e një ligji që do ta bëjë akoma edhe më të vështirë hyrjen në Amerikë për refugjatët nga Siria dhe nga Iraku.
Ndërkaq, qeveria kanadeze e kryeministrit të zgjedhur rishtaz, Justin Trudeau ka ripohuar angazhimin për të rritur deri në 25 mijë numrin e refugjatëve sirianë që synon të presë deri në fund të këtij viti.
Në të treja vendet ku është zhvilluar sondazhi, ka një pohim të fortë për skanimin e përshtatshëm të refugjatëve pavarësisht situatës ku ata gjenden, me 83 për qind të amerikanëve, 80 për qind të kanadezëve e 86 për qind të britanikëve që shprehen se qeveritë e tyre duhet ta bëjnë sa më shpejt një gjë të tillë.
Shumë të vogla janë shifrat deri në 30 për qind, të atyre që besojnë se refugjatët duhet të pranohen sa më shpejt të jetë e mundur për shkak të emergjencës humanitare. Këto shifra shënojnë një rënie me 10 pikë në të treja vendet krahasuar me kohën përpara sulmeve të së premtes së 13 Nëntorit në Paris.
Sondazhi ka konfirmuar një druajtje të shprehur nga ekspertët që pas sulmeve të Parisit, një pjesë e madhe e njerëzve shprehen se terroristët vijnë në vendet e tyre të maskuar si refugjatë.
Por, në të treja vendet shihet një rritje dyshifrore në pikëvështrimin për rrezikun nga terrorizmi, me 95 për qind të britanikëve, 91 për qind e amerikanëve dhe 75 për qind e kanadezëve që thonë tashmë se kërcënimi për një sulm në vendin e tyre brenda 12 muajve të ardhshëm është real. Gati në një nivel janë edhe shifrat e mundësisë së një lufte ndërkombëtare.
Edhe pse dy të tretat e votuesve të marrë në anketim shprehen se kanë besim tek qeveritë respektive për marrjen e masave dhe në aftësinë për të mbajtur nivele të gatishmërisë dhe mbrojtjes ndal sulmeve terroriste, shifrat bien kur bie fjala sesa të mbrojtur e ndjejnë veten ndaj sulmeve bërthamore, biologjike apo kimike.
Një tjetër pikë debatesh kanë qenë edhe dështimet e shërbimeve sekrete në Europë dhe aftësia e tyre për të mbajtur të sigurta kufijtë e zonës Shengen.
Ky debat mund të shpjegojë, të paktën pjesërisht, përse ka rënë besimi tek forcat e sigurisë për identifikimin e terroristëve potencialë. Në të treja vendet, vetëm 48 për qind e kanadezëve, 34 e britanikëve dh 39 për qind e amerikanëve kanë besim tek shërbimet sekrete të vendeve të tyre në identifikimin e terroristëve të mundshëm që pretendojnë se janë refugjatë.
Një aspekt i qartë i sondazhit, sidomos në Britaninë e Madhe, është se sulmet e javës së kaluar kanë shtuar mendimin mes publikut se qeveria “duhet të bëjë diçka”.
Shumica e britanikëve, 54 për qind, tashmë thonë se të mos bësh asgjë në Siri është më keq sësa ndërhyrja ushtarake me një rritje prej 14 pikësh krahasimisht me tetorin.
Një në dy votues mbështet përdorimin e ndërhyrjes ushtarake në zonat e konfliktit, me një rritje prej 16 për qind.
Dy të tretat dëshirojnë të shohin rritje të ndihmës për refugjatët në kampet e OKB-së në kufirin me Sirinë.
Por, vetëm katër në 10 britanikë besojnë se vendi i tyre duhet të ndihmojë vendet e tjera europiane që po pranojnë një numër të lartë refugjatësh, si Gjermaninë, Italinë apo Greqinë. Gjithsesi, shifra përbën rritje krahasimisht me periudhën përpara sulmeve të Parisit.
Sidoqoftë, më pak se një e katërta e britanikëve kërkojnë që vendi i tyre të rrisë numrin e pranimit për refugjatët sirianë, nga angazhimi ekzistues që është 20 mijë persona, një rënie me katër pikë krahasuar me tetorin.
Tetë britanikë në 10 besojnë se ndërmarrja e veprimeve ushtarake në Siri do të inkurajonte sulme mbi vendin e tyre dhe Perëndimin.
Sulmet e Parisit duket se kanë pasur shumë pak ndikim në pikëvshtrimin e britanikëve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Rreth 30 për qind e tyre besojnë se përgjigja e dobët që ka marrë kriza e refugjatëve nga Brukseli tregon se Britania duhet të ndahet nga BE, që përfaqëson vetëm 2 pikë rritje nga katër javë më parë.
Mes të anketuarve në të treja vendet perëndimore, qytetarët britanikë janë më pesimistët sa i takon perspektivës së një integrimi të ardhshëm të refugjatëve. Vetëm 43 për qind janë besimplotë se refugjatët do të integrohen në shoqërinë britanike, krahasuar me 52 për qind në Shtetet e Bashkuara dhe 57 për qind në Kanada.
Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/