Edhe pse martesat shoqërohen nga përbetimi klasik i një dashurie të ndërsjelltë deri në vdekje, kjo ngjan shumë poetike në raport me realitetin, ku ndarjet, divorcet, shkurorëzimet, po i trondisin themelet e familjes, më tej dhe shoqërisë.
Kjo po ndodh dhe në Kosovë, ku një lloj konservatorizmi, përfaqësuar sidomos nga idoli i familjes mbështetur në besnikërinë bashkëshortore, ishte gjithsesi një kolonë mbajtëse e fuqishme. Por që vit pas viti nuk po është kështu.
Sociologja Eglantina Nushi Mustafa, shpjegon se ç’po ndodh me çiftet, përse i japin duart njëri-tjetrit, duke rritur numrin e shkurorëzimeve e duke ulur atë të martesave.
“Tradhtia bashkëshortore” – këtu janë rrënjët e flamës së madhe e të frikshme, sipas saj, e jo vetëm kaq…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Pothuajse çdo vit trendi i shkurorëzimeve shënon rritje të lartë. Cilat janë arsyet e një rritjeje të tillë?
Për fat të keq, kjo është e vërtetë. Numri i shkurorëzimeve është në rritje ndërsa i martesave është gjithnjë e në rënie. Në SHBA, dhe po i referohemi SHBA-së, sepse aty bëhen studime të shumta në këtë fushë, 50% të martuarve shkurorëzohen më vonë, ndërsa në BE vetëm në vitin 2011 kanë qenë 986.000 shkurorëzime për 2.1 milion martesa. As Kosova nuk është përjashtim. Edhe tek ne statistikat flasin për numër të madh të shkurorëzimeve në krahasim me periudhën para lufte.
Duhet të pranojmë që numri i vogël i shkurorëzimeve në të kaluarën nuk do të thotë në vetvete që jeta ka qenë e lumtur dhe se nuk kemi pasur probleme bashkëshortore. Përkundrazi, martesat deri në vdekje janë mbajtur kryesisht me flijimin e femrës, sepse ato martesa janë lidhur shpesh pa pajtimin e femrës, në rast të problemeve femra nuk ka pasur adresë ku t’i dërgoj vuajtjet e veta, nuk ka gëzuar përkrahjen familjare për denoncimin e dhunës në familje, nuk ka gëzuar të drejtën e pronës, të drejtën e punës, nuk ka pasur vend tek babai në rast shkurorëzimi, ndarja nga burri ka nënkuptuar edhe ndarje përfundimtare nga fëmijët, etj.
E sot për fat të mirë janë këto të drejta për gruan. Dhe tani, meqë femrat janë shumë më të lira dhe të pavarura të lidhin martesë me vullnet të lirë, logjika do të thoshte që tani martesat duhet të zgjasin. Por nuk është ashtu. Martesat që përfundojnë me shpërbërje nuk janë larguar. Prandaj shpjegimi se shkurorëzimet janë shpeshtuar sepse femrat janë më të lira dhe nuk kanë nevojë të durojnë çdo gjë, nuk është shumë bindës. Sepse femrat dhe meshkujt lidhin martesë që të jetojnë të lumtur e jo të ndahen. Dhe meqë femrat janë më të lira martesat që do t’i lidhnin, ato duhet të zgjasin e jo të shkurtohen.
Por disa nga shkaqet e shkurorëzimit, sipas meje, janë këto: Tradhtia bashkëshortore. Kjo është shkaku më i madh i shkurorëzimeve. Dhuna në familje është po ashtu shkak. Kur njëri partner, zakonisht burri, ushtron dhunë dhe femra s’ka përkrahje nga familja, kjo martesë zakonisht shpërbëhet. Ndërhyrjet nga anëtarët e tjerë të familjes së gjerë. Kur dikush, përpos bashkëshortëve, ka ndikim në martesë, aty zakonisht lindin pakënaqësi, sepse gruaja përpos burrit, duhet t’i përshtatet kunatave, vjehrrit, etj. E mbajtja e të gjithëve të kënaqur nganjëherë është mision i pamundshëm. Mungesa e bindjes fetare. Hulumtimet kanë dëshmuar që tek njerëzit fetar, shkalla e ndarjeve është më e ultë. Kur njerëzit kanë aftësi të përmbahen nga alkooli, bixhozi etj., sepse kanë një qëllim më sublim, edhe tejkalimi i problemeve martesore bëhet më i lehtë. Një shkak tjetër, janë edhe ligjet për martesë, të cilat e kanë lehtësuar shkurorëzimin shumë. Në shumë legjislacione, shkurorëzimi mund të bëhet edhe pa pëlqimin e dy bashkëshortëve. Prandaj edhe pse martesat nuk duhet të mbahen me shtrëngim, edhe lehtësia e tepërt e përfundimit të martesës është një shkak në vetvete. Alkoolizmi dhe abuzimi me narkotik. Edhe pse kjo është pasojë e diçkaje tjetër, p.sh. problemet ekonomike, dështimi në biznes, prapëseprap fillimi me alkool dhe droga shpie në përfundime të hershme të martesave
Prindërit e shkurorëzuar është po ashtu një shkak. Fëmijët e martesave të thyera kanë gjasa më të larta të jenë të shkurorëzuar edhe vet.
Shkak tjetër akoma është edhe ajo që quhet bashkëjetesë e që faktikisht i bie martesë mirëpo, pa obligime martesore ndaj partnerit. Edhe kjo e ka devalvuar martesën dhe është një shkak i shkurorëzimeve të mëvonshme. Në shumicën e vendeve kjo formë e jetesës përcjellët me shkurorëzime të mëvonshme. Njerëzit që mësohen me këtë lloj lirie brenda ‘martesës’, në kohën kur të lidhin martesa të plota, e kanë tepër të vështirë të rehatohen dhe të mos shkurorëzohen.
Sa e marrin serioze të rinjtë martesën? A hyjnë të përgatitur në të?
Kjo është një pyetje sa e gjerë aq edhe abstrakte. Nuk ka hulumtime në këtë fushë pothuajse fare. Edhe kur të rinjve u jepet hapësirë, si p.sh. në debate, në programe televizive që janë enkas për ta, ata zakonisht ftohen për tema sikurse janë muzika, pushimet, filmi, etj. e që për mua është stereotipike sepse të rinjtë mendohen si të paaftë të flasin për tema të “mërzitshme” që janë vetëm për të mëdhenjtë. Prandaj edhe nuk mund të themi me një siguri se sa janë të rinjtë serioz apo të përgatitur për këtë.
Çka mund të flasim ne janë disa indikator (tregues) që i shohim tek të rinjtë tanë. E kjo është se rinisë sonë i mungon siguria financiare. Rinia në shumicë janë të papunë dhe kjo si duket e ka bërë martesën ‘më të frikshme’ në sytë e të rinjve.
Faktor rëndues këtu është edhe sistemi i dobët i arsimit. Duke mos i përgatitur si duhet për tregun e punës në Kosovë, ky sistem i arsimit e ka bërë rininë të shohin veten inferior në krahasim me situatën e rëndë ekonomike dhe e ka krijuar tek ta iluzionin e shpëtimit tek perëndimi, muzika, manekinizmi, etj. E martesa nuk hyn askund në këto kalkulime. Edhe niveli i lartë i shkurorëzimeve është një shembull i keq që i frikëson të rinjtë se edhe ata mund të përfundojnë në të njëjtën mënyrë dhe se nuk ja vlen të martohesh fare.
Por edhe nga aspekti social, tani rinia është më mobile, të rinjtë lëvizin nga një vend në tjetrin, qoftë për punë apo për shkollim. Edhe kjo është faktor rëndues ma merr mendja.
Si përfundim mund të them që vet shoqëria e ka devalvuar martesën, e ka vënë fitimin me çdo kusht në vend të parë dhe nuk pritet nga rinia ta përjetoj ndryshe.
Kjo është një përgjigje shumë e përgjithshme dhe këtu fare lehtë mund të jem lajthitur por kjo është si e shoh unë rininë karshi martesës.
Çfarë duhet të dijë një i ri para se të futet në martesë?
Nuk ka ndonjë shkollë për martesë e as ndonjë model i dhënë. Për fat të keq apo të mirë, secili duhet të di për vetëvete pse martohet. Por gjithsesi duhet të dihet se martesa është bashkim me një person tjetër, dhe nëse që në fillim nuk përkushtohemi për durim, bashkëndjenjë, tolerim, nderim, dhe shumë të tjera, gjasat janë të vogla që martesa do të mbijetoj.
Prandaj, nëse nuk dijmë paraprakisht me siguri se çka duhet për një martesë, ne e dimë se çka nuk duhet, e kjo është kokëfortësia, egoizmi, arroganca, përbuzja ndaj bashkëshortit/es, etj.
Apo ndodh e kundërta, shoqëria i frikëson se martesa është tejet e vështirë, gjë që ndikon që shumë njerëz ta shtyjnë martesën deri në një moshë goxha të vonshme, e pastaj nuk mund t’i përballojnë obligimet, sepse tërë jetën janë mësuar të jetojnë vetëm e pa to?
Gjithsesi. Nëse prindërit u japin mësim të tillë fëmijëve të vet, kjo patjetër që ndikon në shtyrje të martesës, por edhe kur kjo ndodh, kjo të jetë më gjasa të larta që të më vonë të dështon. Nuk mund të jetë diçka e keqe në rini e të bëhet e mirë për moshë më të shtyrë apo moshë të vonë.
Shumë jam në favor të asaj që të rinjtë të edukohen të mos hyjnë në martesë me nguti, pa e menduar mirë, pa e kuptuar ne fakt çka është martesa. Por frikësimi i të rinjve me një institucion kaq jetik për shoqërinë, për mua është absurd prandaj edhe nuk di si ta shpjegoj më shumë.
A mund që ndërrimi i partnerëve para martesës të çiftit ta bëjë jetën bashkëshortore monotone? Si të evitohet kjo?
Patjetër. Dhe jo vetëm kjo. Me ndërrimin e partnerëve në një formë konsumohet një nga cilësitë e martesës. Pastaj edhe individët mësohen me partner por pa obligime. Njëherë që të tillat dalin, lindin zhgënjime, mospajtime, grindje e më në fund edhe shkurorëzime. Ndërrimi i partnerëve sjell edhe erozion emotiv. Bashkimi pastaj ndarja e shpeshtë nga partnerët disi e stërvit njeriun për një shkurorëzim në të ardhmen pa e marrë si tragjike një gjë të tillë.
Prandaj, prindërit, në vend se t’i këshillojnë kundër martesave, është mirë që fëmijët t’i këshillojnë kundër ndërrimit të partnerëve dhe jetës aktive emotive para martesës.
A kanë ndikuar filmat dhe serialet e ndryshëm në rritjen e divorceve?
Kjo varet se sa shpesh shikohen dhe sa seriozisht merren këto seriale. Nëse tek disa individ këto seriale merren si shembull i jetës reale dhe pastaj ato skema mundohen t’i projektojnë në jetën reale, atëherë mund të kemi probleme serioze, dhe jo vetëm në martesa, por në çdo aspekt të jetës.
Unë them që këto seriale më shumë i kontribuojnë djerrjes së trurit sesa ndikimit në martesë. Prandaj nëse janë shkak, janë shkak i tërthortë i degradimit të martesës. Pra krijimi tek njerëzit i një iluzioni të rremë, i cili si çdo iluzion, pasi të prek realitetin, zhduket dhe njerëzit pastaj zhgënjehen me momentin e parë që e kuptojnë se martesa nuk është ashtu siç portretizohet në disa filma të pavlerë të huaj.
Si ndikon divorci i prindërve tek fëmijët?
Kjo është më shumë temë psikologjike, por nga aspekti social dihet se disa fëmijë me ndarjen e prindërve ndryshojnë personalitetin përgjithmonë. Ata mbyllen në vetvete, e ulin suksesin në shkollë, bëhen më të dhunshëm, psikotik, etj. Pastaj kjo krijon edhe stigmatizim social. Fëmija i tillë, ndryshe nga fëmijët e tjerë, merret vetëm nga njëri prind në shkollë, i cili mund të jetë me partnerin tjetër. Fëmija fillon të ndihet ndryshe nga të tjerët dhe rrjedhimisht edhe sillet ndryshe.
Gjithashtu, kur njëri prind del nga shtëpia, me këtë jepet edhe shembulli të cilin me gjasë do ta pasoj edhe fëmija, e i cili mund të jetë prind i ardhshëm.
Si duhet të sillen prindërit para, gjatë ose pas divorcit?
Kur kjo gjendje arrin, atëherë veq kemi dështim të martesës. Por prap që gjendja të mos bëhet edhe më e keqe, partnerët që po ndahen është mirë që betejat e veta ti mbajnë sa më larg syrit dhe veshit të fëmijëve. Dhe varësisht nga mosha dhe pjekuria e fëmijëve, t’i përgatisin për realitetin e ri. Edhe pse kjo tanimë është metastaza e rënies së familjes
Sa i vështirë është kapërcimi i pasojave të ndarjes së prindërve për fëmijët?
Shumë i vështirë. Madje disa nuk e tejkalojnë kurrë. Madje një nga personat që kanë gjasa të larta të përfundojnë me martesa të dështuara janë edhe ata që i kanë pasur prindërit e ndarë kur kanë qenë fëmijë. Disa madje e tejkalojnë më lehtë vdekjen e njërit prind sesa ndarjen.
Ndarja e prindërve ka ndikim emotiv te fëmijët, prandaj edhe është vështirë të vihen në letër këto, por një gjë është e sigurtë se kjo ka pasoja shumë të rënda tek fëmijët.
Sa ndikon edukata fetare në krijimin e një familjeje të mirëfilltë dhe parandalimin e divorceve?
Unë them që edukata fetare është ilaqi më i mirë për problemet në martesë. Është evidente se feja merret më shumë me përgatitjen e personave për të qenë të matur dhe të pjekur për martesë shumë më përpara se këta të hyjnë në një marrëdhënie të tillë. Pra feja më shumë merret me parandalim sesa me pasoja të shkurorëzimit.
Feja i dekurajon tekat e individit, trillet individuale të personave në martesë. Në fe, edhe pse teologët janë më të thirrur në këtë, nuk ka ndërrim mendje, mospëlqim, etj. Martesa merret shumë seriozisht dhe ajo shuhet vetëm më një arsye të cilat bashkëshortët nuk i kanë ditur, e që sikur ti dinin, nuk do të lidhej martesa.
Edhe pse feja nuk e ndalon divorcin, prap e bën atë shume të papëlqyeshëm. Feja kërkon nga njerëzit sakrifica, dhe jo vetëm në martesë. Feja e konsideron njeriun si qenie të arsyeshme që mund të bart barra edhe më të rënda, dhe dorëzimi para problemeve familjare se kinse martesa nuk na qenka siç kemi pritur, se duam individualitetin dhe privatësinë, se jetojmë jetën sikur të jemi qendra e botës, konsiderohen si llastim më shumë sesa arsye.
Pasi që feja e merr martesën seriozisht, është një mendim stereotipik që feja shtyp gruan, se nuk është mjaft ‘liberale’ etj. Por sikur të merrej parasysh parimi fetar i shenjtërisë sociale të martesës, nuk do të kishim shkurorëzime në këtë shkallë. /tesheshi.com/